EKONOMI & MJEDIS /

Banka e Shqipërisë kufizon kredinë për qytetarët! Vendimi për blerjen e banesave publikohet në fletoren zyrtare

Ky vendim synon të rrisë kujdesin në huadhënie dhe të mbrojë stabilitetin financiar, në kushtet e një rritjeje të vazhdueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në vend.

Shkruar nga Versus

Banka e Shqipërisë kufizon kredinë për qytetarët!

Banka e Shqipërisë ka miratuar një vendim të ri, tashmë të publikuar në Fletoren Zyrtare, që vendos kufizime për kreditë që qytetarët mund të marrin për blerjen e banesave. Ky vendim synon të rrisë kujdesin në huadhënie dhe të mbrojë stabilitetin financiar, në kushtet e një rritjeje të vazhdueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme në vend.

Kushtet për kreditë për shtëpinë e parë
• Shuma maksimale e kredisë nuk mund të tejkalojë 85% të vlerës së banesës, nëse kredia merret në lekë.
• Për kreditë në valutë, kjo përqindje ulet në 75%.
• Kësti mujor i kredisë nuk duhet të kalojë:
• 40% të të ardhurave mujore, për kreditë në lekë.
• 35% të të ardhurave mujore, për kreditë në valutë.

Kushtet për blerjen e një prone të dytë

Në rastet kur qytetarët kërkojnë të blejnë një shtëpi të dytë, që zakonisht konsiderohet si investim:
• Kredia në lekë do të mbulojë maksimumi 80% të vlerës së pronës.
• Kredia në valutë do të jetë deri në 70% të vlerës së pronës.
• Edhe në këtë rast, kufizimet për këstin mujor mbeten të njëjta: 40% për lekë dhe 35% për valutë.

Afati i shlyerjes së kredisë

Afati maksimal për shlyerjen e një kredie do të jetë 30 vjet. Megjithatë, bankat mund të vendosin një afat më të shkurtër në varësi të moshës së kredimarrësit, për të shmangur rastet ku individët mbajnë kredi edhe pas hyrjes në moshën e pensionit. /Versus.al/

Poll