EKONOMI & MJEDIS /

Bonusi i pranverës për pensionistët, ministri Malaj zbulon kur përcaktohet shuma që do të marrin

Gjatë konferencës për gazetarët, Malaj foli edhe për çështjen e pagave duke e konsideruar si "objektiv të arritur".

Shkruar nga Versus

Bonusi i pranverës për pensionistët, ministri Malaj zbulon kur

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot para mediave se bonusi i pranverës për pensionistët do të përcaktohet pas rishikimit të buxhetit në fund të dhjetorit.

“Sa i përket rishikimit të buxhetit, ai pritet të ndodhë gjatë fundit të vitit. Është akt normativ shumë i rëndësishëm sepse në bazë të tij do përcaktojmë edhe bonusin e pensionistëve gjatë pranverës”- tha Malaj.

Lidhur me skandalin e mikrokredive, Malaj tha se janë ngritur dy grupe pune për të formuar një draft rregullativ për të parandaluar që raste të tilla të përsëriten në të ardhmen.

I pyetur nga gazetarët për fushatën anti-informalitet, ministri tha se ka një reagim pozitiv nga ana e bizneseve dhe se rezultatet do të mund të shihen vetëm pas fazës së dytë.

“Drejtoria e tatimeve fillimisht u ka bërë thirrje subjekteve të deklarojnë pagat reale, ka patur njoftim të dytë për bizneset që nuk e kanë reflektuar pagat e tyre. Në përgjithësi bizneset kanë reflektuar pozitivisht dhe besoj pas fazës së tretë do kemi rezultate konkrete”- shtoi Malaj.

Për rishikimin e normave tatimore, kreu i dikasterit të Financave u shpreh se do të ketë rishikim në dy plane.

“Kemi parashikuar në strategjinë afatmesme të bëjmë një rishikim të normave tatimore dhe përjashtimeve tatimore. Do të rishikohen në dy plane, për të parë nëse kanë dhënë përfitime ekonomike, plani i dytë për të parë nëse janë në linjë me direktivat e BE”- deklaroi ministri.

Në lidhje me emigrimin e studentëve shqiptarë, ai tha se ky është një fenomen që ka prekur edhe vende të tjera të rajonit, por shtoi se qeveria është përpjekur të ulë masën e emigrimit duke rritur pagat në sektorin publik. Versus.al

Poll