Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në nisje të seancës plenare maratonë për projektbuxhetin 2025. Ai e nisi fjalën e tij duke njoftuar për rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët duke përdorur një fond prej 100 milionë eurosh.
Kreu i qeverisë sqaroi se pensionistët të cilët marrin deri në 20 mijë lekë pension, do të përfitojnë bonus 150 eurosh ndërsa ata me mbi 20 mijë lekë pension, do të përfitojnë 100 euro bonus.
“Qeveria ka vendosur të përdorë një fond prej afro 100 milionë eurosh për bonsuin e fundvitit që do ndahet në dy shkallë. Të gjithë ata që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin trefishin e bonusit që kanë marrë herën e kaluar pra në masën 150 euro. Ndërsa të gjithë ata që kanë pensionet më të larta se 20 mijë lekë do marrin dyfishin e bonsit të deridjeshëm në masën 100 euro. Kjo është për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët”- u shpreh Rama.
Kjo solli reagimin e opozitës. Deputetë demokratë u ngritën në këmbë duke e akuzuar kryeministrin me thirrjet “mashtrues”. Rama kërkoi 5 minuta pushim deri në rikthimin në normalitet të seancës.
Në rinisje të fjalës, Rama njoftoi se përveç bonusit të fundvitit do të ketë edhe bonus të pranverës, pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025. Ai shtoi se nga këto bonuse përfitojnë 511 mijë pensionistë.
“Fondi i dytë do jetë ai i pranverës, me këto dy bonuse vjetore plus indeksimin vjetor, pensionistët tanë do mund ta prekin me plot gojë rritjen shembullore ekonomike. Vitin e ardhshëm do kemi gati planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes së ekonomike që do sjellë edhe të ardhura të tjera për pensionistët duke mos rrezikuar stabilitetin financiar të vendit”- shtoi kryeministri. Versus.al