Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, sot Kuvendi mblidhet për të diskutuar lidhur me projektbuxhetin 2025 në një seancë plenare maratonë që nis në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë deri të martën vonë kur të bëhet votimi.
Projektbuxheti me 8 miliardë euro në total, është më i madhi në historinë e vendit dhe sipas mazhorancës planifikohet për të financuar vijimin e reformave dhe përfundimin e kantiereve të hapura aktualisht.
Në projektbuxhet nuk parashikohet ndonjë rritje pagash apo fond të caktuar për rritjen e pensioneve gjatë vitit të ardhshëm, pavarësisht se qeveria ka bërë me dije vazhdimisht se po punohet për krijimin e një skeme të mirëfilltë pensionesh. Problematikë mbetet edhe mungesa e shtimit të financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmën e shtresave në nevojë.
Gjatë raportimeve të bëra në komisionet parlamentare, zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila është njëkohësisht ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, deklaroi se ky buxhet do të përdoret për financimin e projekteve infrastrukturore siç është autostrada “Durrës-Tiranë”, rruga Ndroq-Plepa dhe Elbasan-Qafë Thanë.
Ndërkohë, opozita u rikthye në Kuvend dhe në komisionet hetimore vetëm për të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin, ka paralajmëruar të mbajë një protestë ditën e nesërme jashtë Kuvendit në momentin kur të bëhet votimi i buxhetit. Kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje mbështetesve të PD të mblidhen kundër atij që e konsideroi si “buxheti i vjedhjeve”. Megjithatë, pas diskutimeve në parim, votat e mazhorancës janë të mjaftueshme për të miratuar buxhetin e vitit 2025, një ndër më të rëndësishmit në historinë e vendit për shkak të shumës së alokuar për t’u përdorur. Versus.al