EKONOMI & MJEDIS /

Rrugë, porte e matës inteligjentë për energjinë elektrike, Balluku prezanton projektet për 2025-ën

Vetëm për përmirësimin e disa projektesh portuale të nisura, sipas Ballukut projektbuxheti parashikon 14.98 miliardë lekë në dispozicion.

Shkruar nga Versus
Rrugë, porte e matës inteligjentë për energjinë
Balluku raporton në komisionin e Veprimtarive Prodhuese

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, njëherës zv.kryeministre ka raportuar sot në komisionin e Veprimtarive Prodhuese mbi projektet që parashikohet të zbatohen në kuadër të buxhetit 2025 të bërë publik disa ditë më parë nga ministri i Financave Petrit Malaj.

Sa i takon infrastrukturës rrugore, Ballluku u ndal tek ndërhyrja për zgjerimin e superstradës Tiranë Durrës, projekt për të cilin tha se do të zgjaste deri në vitin 2027 së bashku me ndërhyrjen për përmirësimin e infrastrukturës së rrugës alternative Kombinat-Ndroq-Plepa.

“Për 2026 kemi superstradën Tiranë Durrës dhe rikonstruksionin e rrugës Kombinat-Ndroq Plepa. Në vitin 2027 kemi po ashtu këto rrugë të cilat do të hyjnë në fazën e tjera të ndërhyrjes së bërë, supestrada Tiranë Durrës hyn në fazën e tretë ndërsa rruga e Kominatit dhe Ndroqit hyn në fazën përfundimtare”- tha Balluku.

Ndërsa përmendi edhe ndërhyrjen për rrjetin e kanalizimeve në disa qarqe të vendit, si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Peqin, Elbasan dhe Përrenjas.

Një ndalesë të rëndësishme sa i takon shpjegimit të programeve të projekteve të parashikuara në buxhet, e pati tek portet e vendit. Balluku shpjegoi se porti i Porto Romanos në Durrës është në raundin e dytë të garës ndërkombëtare mes kompanive që kanë paraqitur projektet e tyre.

“Porti i Porto Romanos ndodhet në raundin e dytë të garës ndërkombëtare. Nuk ka asnjë dështim në këtë mes pasi interesimi ka qenë shumë i madh. Kompani të mëdha europiane, greke, hollandeze janë përfshirë në këtë proces dhe shpresojmë se mund të kemi një fitues për ndërtimin e këtij porti.

Gjatë periudhës 2025-2027 do vijojmë përmirësimin e një sërë projektesh portuale të nisura. Ky projektligj na akordon ne 14.98 miliardë lekë. Për vitin 2026 financimi i buxhetit është parashikuar 14.98 miliardë lekë ndërsa për 2027-ën 10 miliardë lekë.  Porti në Porto Romano do t’i shërbejë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut pasi është i lidhur me dy porte të tjera të thata të vendosura në Prishtinë dhe Shkup”- deklaroi zv.kryeministrja.

Për triportin e Vlorës, Balluku tha se do të vijojë investimi me qëllim që porti të shërbejë edhe për akomodimin e transportit të pasagjerëve në të ardhmen.

“Ndërtimi i triportit të Vlorës është prioritar. Një port që me projektin e ri kthehet në port të integruar dhe komercial që parashikon akomodimin e transportit të pasagjerëve në të ardhmen. Mbështetja do të vazhdojë pasi të përfundojë periudha ndërtimore, parashikohet të fillojë në vitin 2027. Vetë të ardhurat e gjeneruara nga operimet do të mbulojnë detyrimet që kemi ndaj partnerëve ndërtues.”- shtoi ajo.

Lidhur me energjinë elektrike, Balluku tha se do të nisë edhe faza e parë me vlerë 60 milionë euro e projektit për vendosjen e matësve inteligjentë të shpërndarjes. Mes të tjerash shpjegoi se ky projekt ka si qëllim që matësit inteligjentë të vendosen fillimisht në kabina elektrike dhe më pas edhe tek shtëpitë e qytetarëve.

“Projekti ka për objektiv vendosjen e rrjetit të shpërndarjes matësat inteligjentë të cilin e nisim nga pjesa e kabinave të shpërndarjes dhe më pas do jetë edhe për abonentë fundorë në 1 milionë e 90 mijë abonentë në të gjithë vendin.  Për çdo 1% humbje teknike që ne ulim nga gabinat elektrike, OSHEE siguron të ardhura më shumë në buxhet rreth 8 milionë euro. Vendosja e matësve inteligjentë për ne janë një nga projektet më të rëndësishme. Vlera e fazës së parë të këtij projekti shkon në 60 milionë euro”- u shpreh Balluku.

Pjesë e projekteve që pritet të zbatohen me buxhetin e 2025-ës janë edhe ato për infrastrukturën digjitale me investime në fibra optike dhe rrjetin 5G.

Edhe këtë herë opozita nuk ishte e pranishme në komision ku u zhvilluan diskutime rreth buxhetit duke bërë që mos të ketë debate mes palëve për të dhënë sqarime më të detajuara mbi projekte. Pritet që të jenë gjatë mbledhjeve të tjera pasi një ditë më parë u njoftua se do të heqin dorë nga kaosi në Kuvend. Versus.al

Poll