EKONOMI & MJEDIS /

Gara e qyteteve për turistët, Tirana më e lira, por më e zëna

Në kryeqytet sheshi është gjithnjë i mbushur me të huaj që flasin të gjitha gjuhët. Në Durrës, tërheqja është jo vetëm bregdeti, por edhe historia që nga koha e Romës.

Shkruar nga Versus

Gara e qyteteve për turistët, Tirana më e lira, por më e

Shqipëria është e gjitha për t’u vizituar. Në kryeqytet sheshi është gjithnjë i mbushur me të huaj që flasin të gjitha gjuhët. Në Durrës, tërheqja është jo vetëm bregdeti, por edhe historia që nga koha e Romës.

Vlora dhe sidomos Saranda me Ksamilin, janë bërë të famshme për plazhet që krahasohen edhe me Maldivet.

Për t’iu përgjigjur kërkesës së turistëve, shumë banorë kanë liruar shtëpitë e tyre për t’ua dhënë me qira turistëve, apo të tjerë kanë marrë ambiente për t’i kthyer në struktura akomoduese.

Sipas të dhënave të AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, nga 23.4 mijë njësi banuese që ishin të listuara për t’u dhënë me qira në prill 2025, rreth 21% e tyre (rreth 4.9 mijë) ishin në Tiranë.

Segmenti Vlorë-Sarandë është një mundësi e mirë për biznes me përkatësisht 37.5% të listimeve totale, ose rreth 8.8 mijë. Në Durrës ishin të listuara gati 3.3 mijë apartamente, në Shkodër, rreth 1.1 mijë.

Çmime më të lira mbeten në kryeqytet, ku niveli maksimal i qirasë ditore arrin në 50 euro në muajt e verës dhe në pjesën tjetër të vitit është rreth 40 euro.

Më i larti është në zonën Vlorë-Sarandë, duke arritur deri në 96 euro në gusht. Edhe Durrësi në verë është konkurrues, me qira ditore deri në 85 euro. Në bregdet, edhe jashtë sezonit, çmimi mbetet më i shtrenjtë sesa në kryeqytet.

Tirana ka avantazhin që ka një përqindje më të madhe të zënies gjatë gjithë vitit, ndryshe nga bregdeti, ku kërkesa më e lartë është në muajt e verës.

Kryeqyteti kishte një normë zënieje prej 53% si mesatare e 2024-s, ose gjysmën e muajit, përkundrejt 40% të Vlorës dhe 42% në Durrës.

Gjithsesi, në totalin vjetor, kryeqyteti mbetet pas. Sipas të dhënave të AirDNA për vitin 2024, të ardhurat neto vjetore për Vlorën e Sarandën ishin rreth 10 mijë euro dhe në nivele të ngjashme edhe për Durrësin.

Në kryeqytet, nga qiradhënia ditore fiton mesatarisht diçka më pak se 9 mijë euro në vit.

Theksojmë sërish se këtyre të ardhurave duhet t’u zbriten shpenzimet e ujit, dritave, amortizimit të pajisjeve, konsumit të peshqirëve, çarçafëve e të tjera të papritura, që i zbresin të paktën edhe 10-15% të vlerës së arkëtuar.

 

Fitimi vjetor nga qiradhënia ditore

Për vitin 2024, të ardhurat neto vjetore për Vlorën dhe Sarandën ishin rreth 10 mijë euro dhe në nivele të ngjashme edhe për Durrësin. Në kryeqytet nga qiradhënia ditore fiton mesatarisht diçka më pak se 9 mijë euro në vit. Këtyre të ardhurave duhet t’u zbriten shpenzimet e ujit, dritave, amortizimit të pajisjeve, konsumit të peshqirëve, çarçafëve e të tjera të papritura, që i zbresin të paktën edhe 10-15% të vlerës.

Tirana, shtohet konkurrenca e njësive, të huajt ulin net-qëndrimet

Në Tiranë, ata që japin shtëpinë me qira nëpërmjet platformës Airbnb kanë gjeneruar 5.7 milionë euro të ardhura në janar-prill 2025, me rritje prej 23% me bazë vjetore.

Teksa numri i njësive të listuara është rritur gjithashtu me shpejtësi, duke arritur në 4.9 mijë në prill 2025, vihet re një ulje e net-qëndrimeve, në mesatarisht 2.7-2.8, nga 3-3.2 dy vite më parë.

Norma e zënies është rreth 40-55%, që do të thotë që vetëm 15 ditë ose më pak apartamenti është i zënë, duke arritur maksimumi në 60% në muajt e verës. Në muajt e parë të 2025-s, norma e zënies erdhi në ulje për shkak të shtimit të ofertës dhe rënies së kohëzgjatjes së qëndrimit të turistëve.

Çmimi ditor ishte mesatarisht 44 euro në muajt e parë të vitit.

Teksa vetëm gjysmën e kohës këto njësi akomoduese nuk janë të zëna, fitimi neto është përgjithësisht sa gjysma e çmimit ditor, duke ardhur në rënie në fillim të 2025-s, në krahasim me janar-prill 2024 (shih grafikun).

Në janar 2025 në Tiranë, e ardhura neto mujore ishte rreth 550 euro, në shkurt 640 euro, në mars 590 euro dhe në prill u rrit ne 760 euro.

Edhe Vlora dhe Saranda nuk kanë arritur t’i shpëtojnë tendencës së përgjithshme, ku shtimi i ofertës ka rritur konkurrencës dhe nuk ka mundësuar shtrenjtimin e çmimeve, ndonëse ka pasur shumë më tepër turistë.

AirDNA i raporton së bashku Vlorën dhe Sarandën.

Të ardhurat në këto dy qytete për 4-mujorin e parë të vitit arritën në 2.4 milionë euro, me zgjerim të fortë prej 71% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i njësive të listuara ishte 8.8 mijë në prill 2025, ose 2.3 mijë më shumë se prilli i vitit të kaluar.

Gjatë janar-prillit 2025, qiraja luhatej midis 40-60 euro/ditë, me një normë zënieje prej 30-40%.

Si një zonë bregdetare, si kërkesa dhe çmimet janë më të larta në verë.

Vitin e kaluar, në gusht, një njësi banimi u dha me qira nëpërmjet Airbnb mesatarisht 95 euro/ditë në Vlorë ose Sarandë, më e larta në të gjithë vendin dhe në korrik, 92 euro.

Apartamentet në verë vitin e kaluar ishin të zëna në 60% të kohës. Më të larta janë dhe fitimet neto, që arrijnë në rreth 60 euro në korrik e gusht. Në periudhën jashtë sezonit, kthimi është i ulët, në 15-20 euro.

Durrësi

Zona e Durrësit dhe e Golemit ishin të parat që nxitën turizmin e organizuar kryesisht nga Polonia, Çekia, por dhe shtete të tjera të Europës.

Për shkak të numrit të lartë të apartamenteve në bregdet, edhe qiradhënia është kthyer në një biznes të mirë. Të ardhurat gjithsej nga qiradhënia nëpërmjet Airbnb arritën në 1.7 milionë euro për 4-mujorin e parë 2025, me rritje prej 71% me bazë vjetore.

Numri i njësive të listuara arriti në rreth 3.3 mijë në prill 2025, nga 2.1 një vit më parë. Norma e zënies ishte 30-44% në pjesën e parë të këtij viti dhe çmimi mesatar 45-63 euro/ditë. Në mars dhe prill, e ardhura mesatare ditore neto erdhi në rënie në raport me vitin e mëparshëm.

Çmimet ditore rriten më pas ndjeshëm në pikun e sezonit. Në gusht 2024, një njësi banuese me qira ditore kushtonte 85 euro, nga 75 euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qenë e dyta më e shtrenjta pas Vlorës e Sarandës, nga qytetet e raportuara nga AirDNA.

Në verë, më shumë se 60% e muajit është e zënë nga pushuesit.

Fitimi neto në muajt e verës arrin në 50-55 euro, ndërsa gjatë muajve të tjerë luhatet nga 15-30 euro/ditë./Monitor

 

Poll