EKONOMI & MJEDIS /

Infrastruktura, Bashkia e Tiranës 8 mln euro për ndërhyrjet në katër rrugë

Shkruar nga Versus

Infrastruktura, Bashkia e Tiranës 8 mln euro për ndërhyrjet

Bashkia e Tiranës synon të ndërhyjë në disa rrugë në kryeqytet në funksion të përmirësimit të gjendjes së tyre ekzistuese.

Këto të hënë në sistemin e prokurimeve u hapën disa procedura të lidhura me to ku së pari është “Rikonstruksioni i rrugës “Pjetër Budi” me një fond limit 250 milionë lekë apo 2.5 milionë euro.

“Rruga ka një gjatësi afërsisht 3 km dhe një gjerësi që varion nga 4-6 m dhe është pjesë e Njësisë Administrative Nr.2 Shtrihet afërsisht 2.5 km larg qendrës së Tiranës në drejtim lindor dhe fillon në zonën që njihet si Qytet Studenti Kjo rrugë është lidhëse në mënyrë të përshkruar të zonës së populluar të rrugës Elbasanit dhe Qytet Studentit me zonën e Liqenit të Farkës.

Gjendja ekzistuese e rrugës, siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, është jo e mirë, ku shtresat asfaltike dhe nënshtresat janë dëmtuar në masë të konsiderueshme kryesisht gjatë gjithë gjatësi së saj Trotuaret pothuajse në të gjithë gjerësinë mungojnë ose aty ku janë shumë të amortizuar.

Gjithashtu të dëmtuara janë dhe kunetat ekzistuese Vihet re se një pjesë e kësaj rruge është e konturuar nga muret rrethuese dhe mbajtëse të banesave të shumta të zonës” sipas raportit teknik të projektit. Bashkia synon të ndërhyjë edhe në disa rrugë të tjera për të cilat ka hapur procedurat e mbikëqyrjes përveç Pjetër Budit.

Të tilla janë:

Loti I Mbikëqyrja e punimeve për objektin “Ndërtim Unaza Mustafakoc – Veski – Kocaj, Asfaltim i Unazës që lidh 5 fshatra”
Loti II Mbikëqyrja e punimeve për objektin Ndërtimi i rrugës Verri – Urë”
Loti III “Mbikëqyrja e punimeve për objektin Ndërtim i rrugës Pezë e Madhe – Pojan”
Loti IV “Mbikëqyrja e punimeve për objektin Rikonstruksion i rrugës Pjetër Budi”.
Më herët javën e shkuar Bashkia çeli tenderat për punimet e këtyre loteve konkretisht “Ndërtimi i rrugës Verri – Urë” me fond limit 196 milionë lekë apo rreth 2 milionë euro, “Ndërtimi i rrugës Pezë e Madhe – Pojan” me fond limit 179 milionë lekë apo rreth 1.8 milionë euro dhe më datën 21 tetor “Ndërtimi Unaza Mustafakoc – Veski – Kocaj, Asfaltim i Unazës që lidh 5 fshatra” me fond limit 166 milionë lekë apo 1.66 milionë euro. Monitor.al

Poll