EKONOMI & MJEDIS /

Investimi i bankave shqiptare në Eurobonde arrin rekord historik në gati 1.1 miliard euro

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, portofoli i Eurobondeve të mbajtura nga bankat tregtare në vend arriti shumën rekord të 107.6 miliardë lekëve ose gati 1.1 miliard eurove.

Shkruar nga Versus

Investimi i bankave shqiptare në Eurobonde arrin rekord historik në

Sektori bankar në vend ka rritur ndjeshëm investimin në Eurobondet e qeverisë shqiptare pas emetimit të tyre të radhës, në shkurt të këtij viti.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars, portofoli i Eurobondeve të mbajtura nga bankat tregtare në vend arriti shumën rekord të 107.6 miliardë lekëve ose gati 1.1 miliard eurove.

Vetëm në dymujorin e fundit, shkurt-mars, vlera e Eurobondeve të mbajtura nga bankat është rritur me 11.2 miliardë lekë. Ndërsa në harkun e 12 muajve të fundit, vlera e tyre është rritur me 19.3 miliardë lekë ose 21.8%.

Në muajin shkurt, Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit 10-vjeçar në Bursën e Londrës, për një vlerë totale prej 650 milionë eurosh, me një yield prej 5%.

Megjithatë, në një masë të madhe investimet e bankave në Eurobonde kryhen nëpërmjet blerjeve në tregun dytësor.

Instrumentet e borxhit në valutë të qeverisë shqiptare kanë tërhequr një interes në rritje të sektorit bankar shqiptar në vitet e fundit, për disa arsye. Investimi në këto instrumente ka ofruar kthime të kënaqshme, përgjatë një periudhë kur normat e interesit për monedhën euro kanë qenë shumë të ulëta.

Paralelisht, rritja e lartë e depozitave në valutë gjatë viteve të fundit ka krijuar sasi të konsiderueshme likuiditetesh të lira për bankat.

Edhe kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë tenton ta bëjë më të kushtueshëm kreditimin në valutë të huaj për subjektet me të ardhura në Lekë, çka i kufizon hapësirat e rritjes së kredisë në Euro për sektorin privat shqiptar.

Në këtë mënyrë, Eurobondet në vitet e fundit kanë shërbyer edhe si një instrument për thithjen e likuiditeteve të lira në valutë të sektorit bankar.

Ndërkohë, duke përfshirë edhe letrat e borxhit në lekë, ekspozimi total i sektorit bankar ndaj qeverisë shqiptare ka arritur vlerën e 573 miliardë lekëve. Kjo shumë përbën 26.6% të vlerës totale të aktiveve të sektorit bankar në vend.

Ndërkohë që letrat me vlerë të qeverisë në Euro kanë shënuar rritje të ndjeshme në tremujorin e parë të këtij viti, ato në Lekë kanë pësuar rënie.

Në fund të marsit, vlera e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare në Lekë në bilancet e sektorit bankar zbriti në 466 miliardë lekë, pothuajse 13 miliardë lekë më pak krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Kjo ulje duket se është ndikuar ndjeshëm nga tendenca rënëse e huamarrjes në Lekë nga qeveria shqiptare. / Marrë nga Monitor