Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria mbeten kryesisht të udhëhequra nga fondet publike, madje edhe ato mbeten modeste.
Raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) publikuar më herët për këto vende vlerëson se kjo panoramë bëhet më sfiduese po të mbajmë parasysh që në disa prej tyre nuk ka parqe teknologjike si dhe po vuajnë largimin e kapitalit human të kualifikuar. Lidhur me këto të fundit raporti referon Shqipërinë dhe Maqedoninë si dy raste që përfaqësojnë këtë konstatim.
“Ndërkohë që shumica e ekonomive të Ballkanit Perëndimor nuk raportojnë të dhëna të sakta mbi pjesën e sektorit privat në shpenzimet e përgjithshme për R&D, qeveritë e pranojnë se kontributet private mbeten minimale. Përjashtim bën Serbia, ku 44% e investimeve të përgjithshme në R&D vijnë nga sektori privat.
Gjithsesi, rritja e shpenzimeve për R&D në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ka pak gjasa të sjellë përfitime në inovacion të ngjashme me ato të BE-së pa përmirësime të njëkohshme në faktorët bazë si infrastruktura dhe aftësitë.
Sa i përket infrastrukturës, mungesa kritike ekziston ende në disa ekonomi; për shembull, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë të mos kenë parqe të mirëfillta shkencore dhe teknologjike (OECD, 2024[20]). Njëkohësisht, mungesat e vazhdueshme të aftësive, të përkeqësuar nga largimi i fuqisë punëtore të kualifikuar (brain drain) dhe nga suksesi i kufizuar në tërheqjen e talenteve të reja, vazhdojnë të kufizojnë kapacitetin e brendshëm për R&D” nënvizon raporti.
Në fakt Shqipëria së fundmi nisi shfrytëzimin e parkut të parë të teknologjisë DURANA TECH. Në prill të këtij viti ky park hapi dyert për 35 rezidentët e parë. Zhvillimi afatgjatë i parkut synon një gjenerim prej 5 mijë vende pune kryesisht të orientuara në teknologji.
Sipas dokumentit nivelet aktuale të financimit për kërkimin dhe zhvillimin (R&D) jo vetëm që janë dukshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së, por gjithashtu nxjerrin në pah sfida të gjera për të përmbushur angazhimet specifike të ekonomive për të rritur investimet në kërkim dhe zhvillim.
Disa ekonomi kanë vendosur objektiva për rritjen e financimit të kësaj fushe ku Shqipëria synon të arrijë në 1% të PBB-së deri në vitin 2030, gjë që kërkon një rritje më shumë se pesëfish, ndërsa qeveria e Serbisë është zotuar të rrisë financimin me 50%, me qëllim që të arrijë në 1.5% të PBB-së deri në vitin 2028.
“Këto zotime ende nuk janë shndërruar në rritje të qëndrueshme të financimit aktual. Edhe pse shpenzimet qeveritare për në kërkim-zhvillim janë të kufizuara, investimet e sektorit privat në inovacion janë edhe më të ulëta. Investimi privat zakonisht synon zgjidhje me leverdi tregtare, duke nxitur zhvillimin e produkteve konkurruese të drejtuara nga tregu, të cilat adoptohen lehtësisht nga konsumatorët dhe industritë./ Monitor.al






Kursi i këmbimit valutor për ditën e sotme, 12 korrik

Shtrëngimi për zyrat e këmbimit valutor
