Vendimet për ish pronarët që kanë përfituar të drejtën për kompensim lidhur me pronat e tyre kapin nivelin 120 miliardë lekë apo 1.2 miliardë euro.
Agjencia e Trajtimit të Pronës pranon në raportin e saj vjetor se kjo vlerë me shumë gjasa do të ndryshojë si efekt i ankimimeve që janë bërë karshi vendimeve të dhëna dhe që janë brenda afateve ligjore.
Dokumenti specifikon se nga hyrja në fuqi e ligjit 133/2015 deri në mbylljen e procesit të vlerësimit, ka ndërmarrë procedurat administrative të vlerësimit financiar për 27 023 vendime përfundimtare për kompensim të viteve 1993 – 2013.
Në këtë raport ATP ndalet edhe një panoramë të përgjithshme të situatës dhe treguesve financiarë lidhur me vendimet e pronave.
Konkretisht 20,532 vendime u vlerësuan financiarisht, nga të cilat 915 vendime u vlerësuan gjatë vitit 2024.
“Nga këto të fundit, 536 janë me vlerë pozitive 4.2 miliardë lekë dhe 73 rezultojnë me vlerë negative -647milionë lekë. Ndërsa për 306 vendime pritet plotësimi i dokumentacionit nga ana e subjekteve. Vlera totale e vendimeve me të drejtë kompensimi të vlerësuar financiarisht është 121 miliardë lekë (vlera pritet të ndryshojë pasi ATP është në pritje të përfundimit të ankimimeve nga subjektet në bazë të afateve ligjore)” thuhet në raport. I njëjti dokument nënvizon se për 3126 vendime ku nuk është përcaktuar se ku bie parablerja ndërsa 2532 vendime për të cilat subjekti konsiderohet i kompensuar, vlera prej – 27.7 miliardë lekë.
Po kështu ATP vlerëson se janë 833 vendime të fshira gjatë procesit të rivlerësimit të tyre kurse për 3,919 vendimet e prekura nga ndryshimet ligjore dhe fatura financiare është rritur me 16 miliardë lekë pas ndryshimeve ligjore.
“Nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 133/2015, janë depozituar 2,570 kërkesa për kompensim financiar dhe fizik, nga të cilat janë ekzekutuar 33.85%, përkatësisht 870 vendime, me një vlerë totale prej 8.4 miliardë lekë. Nga këto, 87 vendime janë mbyllje procedimi, ndërsa është shpërndarë gjithashtu një sipërfaqe prej 765 ha tokë nga fondi fizik. Pjesa e mbetur e kërkesave nuk është ekzekutuar kryesisht për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm, vonesave nga ndryshimet ligjore, mungesën e deklaratave noteriale, problematika të lidhura me tagrin e prokurave dhe çështje të tjera administrative që kanë penguar përfundimin e procedurave ligjore” thuhet në raport./ Monitor.al
