Prononcim i tatimeve se si do të llogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për arsimim prej 100 mijë lekësh
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron në një prononcim për Monitor se kush e përfiton zbritjen e shpenzimeve për arsimin e fëmijëve prej 100 mijë lekë, dokumentacioni i nevojshëm që duhet të ruhet për justifikimin e tyre dhe afati për marrjen e kompensimit në rastet e tepricës kreditore.
Cilat janë kërkesat ligjore për përfitimin e shpenzimeve prej 100 mijë lekësh për arsimin e fëmijëve?
Në ligjin nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar neni 22 “Zbritjet nga baza tatimore”, pika 2, përcaktohet se, tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë.
Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Çfarë lloj faturash përfshin dokumentacioni justifikues për arsimin e fëmijëve? A do të ishte i nevojshëm zgjerimi i kategorive të shpenzimeve të njohura (p.sh. kurset jashtëshkollore, kostoja e librave apo pajisjeve teknologjike për mësim)?
Në pikën 23.1 të udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, janë përcaktuar si natyrë shpenzimesh që përfitojnë zbritjet për arsim, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.
Për sa i përket zgjerimit të fushës së këtyre shpenzimeve, mund të kihet parasysh në të ardhmen.
A ekziston një mënyrë e standardizuar për të dorëzuar ose ngarkuar faturat në platformën DIVA me qëllim zbritjen e shpenzimeve për arsim?
Tatimpaguesi individ deklarues i DIVA-s duhet vetëm të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore dhe dokumentacionin vërtetues të të dhënave që ka deklaruar duhet ta disponojë për ta vënë në dispozicion të administratës tatimore, në rast kërkese nga administrata.
Sa kohë duhet të mbahen faturat e ruajtura nga individët, në rast kontrolli nga administrata tatimore?
Dokumenti që do të ruhet dhe që justifikon deklarimin në Deklaratën Individuale vjetore përcaktohet në pikën 23.1 të udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar dhe është kontrata me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.
Periudha e ruajtjes së dokumentacionit është përcaktuar në ligjin 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 48 “Mbajtja dhe ruajtja e dokumenteve të të dhënave tatimore”, pika 2. Afati është të paktën 5 vjet duke filluar nga fundi i vitit tatimor të cilit i përkasin dokumentet.
A ka rrezik për penalizime nëse individi nuk disponon dokumentacionin justifikues?
Në rast se individi deklarues nuk disponon dokumentacion që justifikon zbritjen për arsimin dhe në rast kontrolli, deklarimi do të konsiderohet i gabuar, atëherë individi deklarues do të penalizohet në referim të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
A mund të sqarohet përfitimi me një shembull praktik, për një familje me 2 fëmijë të moshës nën 18 vjeç me të ardhura nën 1,2 milionë lekë në vit dhe mbi 1,2 milionë lekë në vit?
Së pari, individi me të ardhurat personale nga punësimi dhe/ose biznesi me më shumë se 1,200,000 lekë në vit nuk përfiton nga zbritje shpenzimesh për arsim.
Shembull: Individi X ka të ardhura nga punësimi 70,000 lekë në muaj apo 840,000 lekë në vit.
Tatimi i paguar në çdo muaj është (70,000 – 30,000)*13% = 5,200 lekë dhe në vit 62,400 lekë.
Individi për të përfituar zbritjet për arsimin e fëmijëve duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën e të ardhurave personale deri në datë 31 mars të vitit pasardhës (viti i fillimit që përfiton zbritjet për arsim dhe kompensimin për fëmijë është viti 2025), pra deri në 31 mars 2026.
Shuma maksimale që zbritet për arsim është 100,000 lekë, pavarësisht nga numri i fëmijëve në moshë nën 18 vjeç.
(840,000 – 100,000)/12 = 61,667 lekë/muaj. Tatimi 4,117 lekë (vjetor 49,400 lekë).
Individi do të rezultojë në Deklaratën individuale të të Ardhurave me gjendje kreditore 13,000 lekë (e rrumbullakosur).
Këtë gjendje kreditore e kërkon brenda një afati 3 muaj nga data e dorëzimit te Deklaratës Individuale të të Ardhurave Personale.
A ndodh përllogaritja automatike e zbritjes në sistem, apo është përgjegjësi e individit të llogarisë shumën e zbritshme?
Vetë individi deklarues do të vendosë shumën e zbritjes në rubrikën përkatëse të DIVA-s, pasi është përgjegjësi e tij.
Individi duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara në nenin 22 për të përfituar zbritjen tatimore, si në rastin e kompensimit për fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ashtu edhe në rastin e shpenzimeve për arsim. / MONITOR