EKONOMI & MJEDIS /

Task Force, bord transparence dhe ulje akcize: Rama prezanton masat për çmimet e karburanteve

Task Force, bord transparence dhe ulje akcize për lehtësimin e çmimeve; rritja e pagave dhe siguria kibernetike, prioritetet e qeverisë

Shkruar nga Versus

Task Force, bord transparence dhe ulje akcize: Rama prezanton masat për

Kryeministri Edi Rama, gjatë episodit të fundit të podkastit të tij “Flasim”, komentoi situatën e çmimeve të karburanteve dhe masat e ndërmarra nga qeveria për mbrojtjen e konsumatorëve.

Ai nënvizoi se ndër masat e ndërmarra janë ngrënia e një Task Force dhe vendosja e një bordi transparence, si dhe një ulje e përkohshme e akcizës me rreth 20%, në mënyrë që të lehtësohet barra mbi përdoruesit e automjeteve.

“Kemi folur për këtë gjatë ditëve të fundit. Është një temë që kërkon vëmendje dhe ka vëmendjen tonë të vazhdueshme, orë pas ore. Është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Financave me qëllim që të rritet kontrolli dhe të evidentohet çdo lloj abuzimi i mundshëm në treg. Nuk janë vënë re abuzime, monitorimi vazhdon,” tha Rama.

Ai shtoi:
“Është marrë vendimi që të hyjmë në regjimin e bordit të transparencës, i cili do të sigurojë se nuk do të ketë përfitues apo profiterë që do të shfrytëzojnë krizën për të futur më shumë para në xhep. Në të njëjtën kohë, është marrë edhe vendimi për të ndërhyrë me një masë të përkohshme, siç po e bëjnë edhe vende të tjera, duke ulur akcizën e naftës për të lehtësuar përdoruesit e automjeteve.”

Duke folur për ekonominë e vendit, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria vijon një trend të qëndrueshëm rritjeje, dhe sipas parashikimeve ndërkombëtare, vendi pritet të shënojë një rritje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në kuadër të objektivave afatgjata.

Rama gjithashtu u ndal tek rritja e pagave si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, duke e cilësuar këtë si një faktor kyç për kthimin e shqiptarëve nga emigracioni.

Kryeministri përmendi edhe sigurinë kibernetike, duke deklaruar se Shqipëria renditet ndër dhjetëshen e parë në një indeks ndërkombëtar, rezultat i investimeve dhe forcimit të kapaciteteve pas sulmeve kibernetike të viteve të fundit.

Poll