EKONOMI & MJEDIS /

Mos nisja e fluturimeve në aeroportin e Vlorës rrezikon kontratat me garanci të turizmit

Shkruar nga Versus

Mos nisja e fluturimeve në aeroportin e Vlorës rrezikon kontratat me

Turoperatorët prisnin që këtë verë të nisnin fluturimet me numër të reduktuar dhe vetëm për charterat në Aeroportin e Vlorës, por diçka e tillë është e pamundur.

Një situatë si kjo i ka vënë ata në vështirësi me agjencitë e huaja të cilat tashmë gjenden përballë faktit se fluturimet do të duhet të bëhen nga Tirana për hotelet që janë rezervuar me parapagesë në Vlorë por edhe kjo nuk është e mundur plotësisht pasi nuk ka frekuenca të lira.

Kreu i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa tha se kontratat me garanci me hotelet në këtë zonë u lidhën qysh verën e vitit të shkuar nën premtimin se fluturimet do të nisnin nga Aeroporti i ri por tashmë kjo nuk është e mundur. Kontratat e parapaguara janë aplikuar për herë të parë në këtë shkallë në qytetin e Vlorës ku janë përzgjedhur disa hotele dhe të dedikuar për turistët e organizuar polakë.

“Vitin e shkuar na u tha se aeroporti do të niste fluturimet ndoshta në verë dhe se do të mundësohej që të paktën kjo të bëhej për charter-at me turistë por tashmë na kanë konfirmuar që kjo është e pamundur pasi duhet të kalojë disa procedura standarde sigurie dhe certifikimi. Kjo na ka vënë në  vështirësi sepse ne kemi parapaguar disa qindra dhoma për gjithë sezonin dhe hotelet thonë që nuk është faji i tyre dhe nuk kanë pse tolerojnë në aspektin e pagesave. Agjencitë e huaja nga ana tjetër mund të kapen shumë mirë me kontratën dhe të thonë që na keni premtuar nga Vlora dhe s’kemi pse vijmë nga Tirana. Gjithsesi jemi në negociata me ta dhe u kemi kërkuar që fluturimet të bëhen nga Tirana dhe koston e transportit me autobusë ta mbajnë turoperatorët shqiptarë por ka një problem që edhe nga Aeroporti i Tiranës nuk ka më frekuenca të lira. Pra nuk ka orare që të ulen këta avionë sepse numri i fluturimeve është i lartë” tha Kasa për Monitor.

Ai nënvizoi se mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë por palët po negociojnë për të gjetur një alternativë sa më të përshtatshme në mënyrë që kontratat që janë parapaguar të përdoren.

Turizmi i organizuar në vend sidomos me tregun polak dhe çek ka qenë në rritje nga viti në vit dhe rajoni që ka pasur vëmendjen ka qenë kryesisht Golemi dhe Durrësi edhe për shkak të strukturave të mëdha në kapacitet por edhe afërsia me aeroportin e Tiranës ku transfertat janë me kohë më të përshtatshme.

Rajonet e tjera si Vlora dhe Saranda edhe pse kanë kapacitete që mund të përdoren me kontrata garancie nuk janë përfshirë viteve të kaluara në këtë lloj marrëdhënie për shkak të largësisë nga Aeroporti i Tiranës.

Hyrja në operim e aeroportit të Vlorës pritej që të ndryshonte këtë panoramë por duket se jo për këtë verë. Në javën e parë të majit në këtë aeroport u krye fluturimi i parë certifikues ku përfaqësues të qeverisë gjatë ceremonisë së rastit nënvizuan se investimi i deritanishëm ka kapur vlerën 140 milionë euro.

Përtej përfitimeve ekonomike që u nënvizuan në këtë ceremoni mbetet ende e paqartë se kur do të nisin plotësisht fluturimet në aeroportin e ri./ Monitor.al

Poll