
Gazmend Paja, aktori i programit të humorit “Portokalli” ka vendosur së fundmi të pezullojë aktivitetin e kompanisë “Echotec Energy Service” me të cilën fitoi statusin e ‘investitorit strategjik’ për të ndërtuar një kompleks turistik në Dhërmi që përllogaritej deri në vlerën e 13.8 milionë eurove.
Sipas dokumentit të publikuar në media, më 19 janar të këtij viti, Paja njoftoi Qendrën Kombëtare të Biznesit për pezullimin e veptarisë së kompanisë së tij për një afat të pacaktuar. “Echotec Energy Service” ishte një prej kompanive që do të bashkëpunonte me ‘Startek’ për të ndërtuar një hotel me 5 yje në një sipërfaqe prej 25 mijë metrash katrorë. Ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi.

Në 2024-ën, humoristi deklaronte se për marrjen e statusit “investitor strategjik” i përmbushte të gjitha kushtet duke shtuar se pronarët e tokave ishin dakord dhe se vetë ata i kishin kërkuar ndihmë për të gjetur një ndërtues.
“Pra nuk i kam bërë unë, por kam thënë kam një tokë, “do të vish ta marrësh?”, nëse ai merr 9 lekë, unë marr 1. Sepse nuk e kam mundësinë për të zhvilluar një ndërtim dhe as nuk e marr vesh. Thjesht u përpoqa nga dashamirësia e publikut në terren që më thanë ‘ty ta besojmë se je djalë i mirë, na gjej një ndërtues’”- deklaronte Paja.
Kujtojmë se në shkurt të vitit 2025 aktori u paraqit në SPAK për arsye që ende nuk janë bërë publike. Por emri i tij doli edhe në hetimet për dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pasi kishte përdorur më herët një pronë në zonën ‘Kodra e Diellit’ e cila dyshohet se ishte pasuri e fshehur e Veliajt. Versus.al

