EKONOMI & MJEDIS /

Popullsia totale, Shkodra dhe Kukësi me rënien më të madhe të popullsisë 

Shkruar nga Versus

Popullsia totale, Shkodra dhe Kukësi me rënien më të madhe

Ndërmjet 2011 dhe 2023, popullsia ka pësuar rënie në të gjitha qarqet e vendit dhe për Tiranën ka rritje me vetëm 1.2%.

Sipas të dhënave të INSTAT, në të gjithë qarqet, me përjashtim atë të Tiranës, popullsia ka ardhur në rënie gjatë periudhës 2011-2023, në një rang ndryshimesh prej 28,3% në Qarkun e Shkodrës dhe 27,3% në Qarkun Kukës, deri në 0,7% në Qarkun e Beratit.

Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë. Në anën tjetër, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, më së shumti prej migracionit të brendshëm.

Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26,8% në 2011 në 31,6% në 2023.

Përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31,6%) banon në Qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10,0%, ndjekur nga Qarku i Elbasanit me 9,7% ndaj popullsisë gjithsej.

Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët, me 2,6% dhe 2,5% të popullsisë përkatëse. Shpërndarja e popullsisë në territorin e Shqipërisë tregon një përqendrim në Fier, Durrës dhe veçanërisht në Tiranë.

Rezultatet censit 2023 treguan se popullsia e vendit ra me ritme më të shpejta se dy dekadat e para të tranzicionit. Shqipëria kishte 2,402,113 banorë mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023, prej të cilëve, 49,6% janë meshkuj dhe 50,4% femra. Krahasuar me të dhënat e censit 2011, popullsia e vendit është pakësuar me 14.8%.

Kjo rënie ishte më e lartë se në periudhën 2001-2011 ku popullsia me ra me 9.6% ose rreth 300 mijë persona, teksa në dekadën e parë të tranzicionit, 1989-2011, popullsia e vendit u tkurr me vetëm -3.1%.

Të dhënat tregojnë se emigracioni është shkaktari kryesor i rënies së popullsisë, pasi gjatë 2011-2021 vendi kishte shtesë natyrore (lindjeve-minus vdekje) pozitive me mbi 88 mijë persona. Popullsia e vendit do të ishte rreth 2,9 milionë banorë (shtesa natyrore 88 mijë persona plus 420 mijë persona që mungojnë plus 2.4 milionë banorë).

Përveç pakësimit, struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë strukturën e popullsisë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite, duke u rritur me 7 vite nga viti 2011, kur ky tregues ishte 35.5 vjet. Monitor.al

Poll