
Projektbuxheti për vitin 2026 është planifikuar në 886.8 miliardë lekë, që përfaqëson rreth 31,9% të PBB-së dhe shënon një rritje prej 55 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2025. Ai u miratua një ditë më parë nga Këshilli i Ministrave dhe tashmë i është dorëzuar Kuvendit, ku do të nisë shqyrtimi nen për nen deri në fillim të dhjetorit.
Sipas qeverisë, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 pritet të arrijnë 823,1 miliardë lekë ose 29,6% të PBB-së, me një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar, falë përmirësimit të administrimit fiskal dhe reduktimit të informalitetit.
Rritja ekonomike pritet të vazhdojë me një mesatare prej 4% në vit gjatë periudhës 2026-2028, mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë. Deficiti buxhetor planifikohet në 2,3% të PBB-së, ndërsa balanca primare parashikohet e ekuilibruar. Borxhi publik bruto do të vazhdojë të ulet, duke arritur 53,6% të PBB-së në 2026 dhe 51% në 2028.
Projektbuxheti parashikon rritjen e pensioneve, me pensionin minimal që do të shkojë në 200 euro dhe pensionin mesatar në 400 euro në muaj. Do të rritet paga minimale në 50 mijë lekë dhe pagat e administratës publike do të indeksohen me 2,5% nga 1 janari 2026. Për vitin 2028, paga minimale pritet të arrijë 60 mijë lekë, e indeksuar sipas inflacionit.
Investimet publike do të mbeten në nivel të lartë, mesatarisht 6,5% e PBB-së gjatë periudhës 2026-2028, me fokus në projekte strategjike sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021-2030.
Në kuadër të buxhetimit gjinor, rreth 9,5% e shpenzimeve do t’u dedikohen politikave me bazë gjinore, përfshirë 85 programe buxhetore.
Buxhetet vendore për 2026 parashikohen në 97,7 miliardë lekë, me rritje prej 9% krahasuar me vitin 2025, duke përbërë 3,52% të PBB-së. Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor do të jetë 1,6 miliardë lekë më e lartë se një vit më parë dhe më shumë se dy herë më e lartë krahasuar me vitin 2015./Versus.al

