Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm “online” në samitin e mbajtur sot në Bruksel për procesin e zgjerimit të BE. Shkak për mungesën e tij fizike, u bë një problem me fluturimin. *Ndërsa foli për procesin e negociatave dhe përparimin e shpejtë të Shqipërisë me çeljen e grupkapitujve përkatës, Rama tha se përdorimi i Inteligjencës Artificiale kishte dhënë një impakt shumë të madh në inkuadrimin e korpusit ligjor të BE. *Duke vijuar me batutat për ministren virtuale “Diellën”, Rama tha se brenda 2027 do të krijohet sistemi i plotë i prokurimeve publike. *Ndërsa pati lëvdata edhe për SPAK-un dhe Reformën në Drejtësi duke thënë se zyrtarë të inkriminuar në të gjitha anët politike, po dalin para drejtësisë.
"S'pranojmë leksione në luftën kundër korrupsionit, Rama përgëzon SPAK: Godet pa parë majtas, apo djathtas

Mes arritjeve më të mëdha të Shqipërisë në fushën e procesit të anëtarësimit drejt BE, kryeministri Edi Rama veçoi Reformën në Drejtësi dhe SPAK-un. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka qenë tejet e ekuilibruar dhe nuk ka shfaqur kah apo qëndrim politik me veprimet e saj ndaj funksionarëve të lartë.
Kreu i qeverisë shtoi se në këtë moment mund të pranohet partneritet me vendet e tjera, por jo leksione kur vjen puna tek lufta kundër korrupsionit.
"Shqipëria po bën diçka unike në rajon, reformën tonë në drejtësi dhe njohjen nga ana jonë të pavarësisë së drejtësisë. Veprimtaria e plotë e SPAK ka krijuar praktikisht në Shqipëri shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon shumë përtej fjalëve dhe sipërfaqes, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar pa parë djathtas apo majtas. Me shumë fakte që tregojnë se ajo çka kurrë nuk kishte ndodhur në Shqipëri që prej pavarësisë deri shumë pak vite më parë, po ndodh vitet e fundit. Një gjë që asnjë vend në rajon nuk mund të pretendojë se e ka bërë. Në këtë moment, ne pranojmë mbështetje, partneritet por nuk pranojmë leksione nga askush kur vjen puna te lufta kundër korrupsionit”, tha Rama. Versus.al
“Ekografia e nxjerr shtatzënë me 83 foshnja”, Rama vijon me batuta për Diellën: Duhet të presim të lindë

Gjatë pranisë së tij online në samitin për zgjerimin e BE në Bruksel, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për ministren virtuale të vendit, “Diellën”.
Teksa shtoi se brenda 2027-ës Shqipëria do të ketë sistemin e plotë të prokurimeve publike që do të garantojnë transparencë të paparë më parë. Ndërsa sërish përsëriti “batutën” e shtatzanisë së Diellës duke nënvizuar se do të ketë së shpejti 83 asistentë për secilin prej deputetëve të PS në Kuvend.
“Kur vjen fjala për Diellën, ajo është produkt i një lufte sistemore që nuk ka të bëjë vetëm me luftën kundër rasteve apo luftën në gjykata, por luftën përmes modernizimit. Brenda 2027/ës synojmë të kemi sistemin e plotë të prokurimeve publike që do të garantojë transparencë e shpejtësi si kurrë më parë.
Jam i sigurt që keni dëgjuar që Diella është shtatzënë me 83 foshnja bazuar në ekografinë e fundit. Na duhet të presim të lindin këto foshnja. Jemi i vetmi vend në këtë proces që kemi përdorur IA për transferimin e ligjeve europiane në korpusin ligjor duke e bërë procesin më të shpejtë ndonjëherë”- tha Rama mes të tjerash. Versus.al
Probleme me fluturimin, Rama merr pjesë online në samitin e Brukselit: BE ndryshoi qasje pas agresionit rus

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë online në samitin që po mbahet sot në Bruksel për zgjerimin e Bashkimit Europian. Ai tha se nuk kishte mundur të ishte i pranishëm për shkak të disa problemeve me fluturimin.
Mes të tjerash, i pyetur mbi ecurinë e shpejtë në çeljen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, Rama tha se kjo lidhet me përmbushjen e detyrave dhe me qasjen e re të Bashkimit Europian e cila erdhi si “zgjim” pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
“Përveç të zakonshmes që lidhet me punën e madhe do të shtoja se shpejtësia lidhet me 2 faktorë krzesorë. Nga njëra anë, gjatë viteve të poshtërimit, kur KE rekomandonte këshillin të çelte bisedimet me Shqipërinë dhe ne refuzoheshim nga disa vende, ne me kokëfortësi përgatiteshim për momentin e çeljes. U stërvitëm në mënyrën më të fortë me ekipin duke thënë se momenti znë për të treguar se kush jemi, do të vinte dhe në atë moment duhet të jemi gati. Kur ky moment mbërriti, ne ishim gati.
Brukseli ndryshoi qasjen e tij dhe u zgjua. Për fat të keq u desh një agresion në tokën europiane për ta bërë Brukselin të zgjohej jo vetëm në nivelin e komisionit ku kemi gjetur drejtësi, shumë i dhimbshëm, por edhe në nivelin e këshillit ku fjalët që na thuheshin më përpara po një ditë do të jemi bashkë, po ne do të martohemi, por nuk jemi gati. Momentumi i ri është ende i pranishëm dhe qasja e re ende vazhdon, shpresoj shumë të mos ndryshojë”- tha Rama. Versus.al
Progres-raporti për Shqipërinë, reagon kryeministri Rama: Shqipëria do të ulet si e barabartë në tryezën e Europës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vlerësimeve të Komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila nga Brukseli e cilësoi përparimin e Shqipërisë drejt integrimit si “të paprecedentë” dhe “një shembull të angazhimit të fortë politik dhe shoqëror drejt Bashkimit Evropian”.
Në një postim në platformën “X”, Rama shprehu falënderimet për fjalët e Komisioneres dhe theksoi vendosmërinë për ta çuar Shqipërinë deri në anëtarësimin e plotë në BE.
“Po, e bëmë! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë në tryezën e Bashkimit Europian. Të ecim përpara, së bashku,” – shkroi ai.
Reagimi i kreut të qeverisë vjen ndërsa Shqipëria përgatitet për fazën e radhës në negociatat e anëtarësimit, mes pritshmërive për një intensifikim të procesit në muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, Rama nuk ishte i pranishëm në Samitin e Zgjerimit që po zhvillohet në Bruksel, ku marrin pjesë liderët e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor./Versus.al
Yes, we did! And we will do whatever it takes to finally sit as equals around the EU table. Let’s keep going, fast forward, together???????????????????? pic.twitter.com/3ylIzzarJU
— Edi Rama (@ediramaal) November 4, 2025
