
Struktura e shpenzimeve të familjeve shqiptare ka pësuar ndryshime të dukshme në periudhën 2020–2025, duke reflektuar, rritjen e pasigurisë financiare dhe transformimin e stilit të jetesës drejt shërbimeve digjitale dhe shpenzimeve më të domosdoshme.
INSTAT bëri në këtë fillim vit një rifreskim të mënyrës se si mat inflacionin. Të dhënat e reja tregojnë se qytetarët po zhvendosin gradualisht prioritetet nga konsumi i mallrave dhe shërbimeve dytësore drejt sigurisë financiare dhe shërbimeve bazë.
Risi është përfshirja si kategori e re e shpenzimit “sigurimet financiare”, të cilat zënë 1.5% të shpenzimeve totale mujore të familjeve. Kjo kategori nuk ka qenë më parë në grupet bazë të matjeve. Kjo tendencë lidhet me rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet ekonomike, pasiguritë në tregun e punës dhe interesin në rritje për produkte financiare mbrojtëse, si sigurimet e jetës, sigurimet shëndetësore apo produktet e kursimit.
Rritje e dukshme është regjistruar edhe në shpenzimet për komunikim, të cilat janë shtuar nga 3.0 në 2020 në 3.6 në 2025, ose me 0.6 pikë %. Zgjerimi i përdorimit të internetit, shërbimeve online, platformave digjitale dhe paketave të komunikimit ka rritur peshën e kësaj kategorie në buxhetet familjare.
Nga ana tjetër, rënia më e fortë është regjistruar te kujdesi personal dhe mallrat e lidhura me të, të cilat janë tkurrur nga 5.6 në 4.5, ose me 1.1 pikë. Kjo sugjeron një reduktim të shpenzimeve për produkte dhe shërbime jo thelbësore, duke reflektuar një fokus më të madh në shpenzimet bazë.
Në rënie janë edhe shpenzimet për mobilie dhe pajisje shtëpiake, të cilat kanë zbritur nga 7.5 në 7.0, ose me 0.5 pikë, duke sinjalizuar frenim të investimeve në mallra afatgjata. Po ashtu, janë tkurrur edhe shpenzimet për argëtim dhe kulturë, nga 2.3 në 2.0 (-0.3 pikë), si dhe shërbimet arsimore, nga 3.4 në 3.0 (-0.3 pikë), duke reflektuar racionalizim të konsumit në kategori që nuk konsiderohen të domosdoshme në afat të shkurtër.
Rënie më e lehtë është regjistruar edhe në shpenzimet për shëndetin, nga 3.5 në 3.2 (-0.2 pikë), si dhe në ushqime dhe pije joalkoolike, nga 34.3 në 34.1 (-0.2 pikë), çka lidhet më shumë me ndryshimin e peshës relative të kategorive sesa me ulje reale të shpenzimeve në këto kategori.
Ndërkohë, shpenzimet për transport kanë shënuar rritje nga 6.1 në 6.4, ose me 0.3 pikë, të lidhur me kostot e karburanteve dhe shtimin e lëvizshmërisë. Një rritje më e lehtë është regjistruar edhe në kategorinë e qirasë, ujit, energjisë dhe lëndëve djegëse, nga 20.1 në 20.2 (+0.1 pikë), si dhe te pijet alkoolike dhe duhani, nga 4.9 në 5.0 (+0.1 pikë).
Shpenzimet për veshje dhe këpucë kanë shënuar një rënie të lehtë, nga 3.9 në 3.8 (-0.1 pikë), ndërsa shpenzimet për hotele, kafene dhe restorante kanë mbetur të pandryshuara në nivelin 5.7./ Monitor/
Euro e dollari “përtokë”, si këmbehen me lekun në tregun valutor
“Produkte jo konkurruese”, Shqipëria po humbet tregjet e rajonit

