
Pas shkrimit të Versus.al që u përllogaritën dëmet se sa milionë euro të shqiptarëve u kthyen në hi sa hap e mbyll sytë për shkak të shkrumbimit të 30 apartamenteve në kompleksin Arlis dhe pas thirrjes për apel kanë reaguar dhe institucionet përkatëse.
Apartamentet që u dogjën në kompleksin pranë QSUT do të rindërtohen nga kompania e ndërtimit, ndërsa orenditë shtëpiake do të dëmshpërblehen nga Bashkia e Tiranës.
Drejtuesit e saj thonë se është ngritur një grup pune, por pritet akt-ekspertiza për të përcaktuar nëse ngjarja do të cilësohet si fatkeqësi natyrore.
“Po presim akt-ekspertizën. Ne kemi fond për dëmshpërblimin e orendive dhe, nëse është e nevojshme, mund të kërkojmë shtesë.”, shprehet Dritan Dango, drejtor i Emergjencave Civile dhe Komunikimit me Publikun.
Drejtori Dango tha se janë marrë masa që në momentin e njoftimit të zjarrit për evakuimin e banorëve.
“Ne përgatitëm qendrat sociale dhe banesat sociale, por më pas është në dëshirën e qytetarëve”, shtoi ai.
Banorët, të cilët deri më tani kanë gjetur zgjidhje individuale për strehim, janë në pritje të zgjidhjeve konkrete nga autoritetet./Versus.al


