Versus.al ka mësuar detaje të reja lidhur me aksionin e zhvilluar pak ditë më parë nga policia shqiptare në bashkëpunim me autoritetet austriake për goditjen e një grupi kriminal që mashtronte qytetarët austriake nëpërmjet veprimtarisë “call center”.
Hetimet vijonin prej dy vitesh, ndërsa u gjetën prova për përshirjen e nëntë personave ndaj të cilëve u caktuan masa sigurie në kuadër të këtij operacioni.
Shtetasit austriakë mashtroheshin duke iu thënë se paratë e tyre do të investoheshin në aksione online. Por me të shtënë në duar kodin e tyre të “Any Desk”, personat e dyshuar arrinin të merrnin shuma të mëdha financiare. Deri më tani përllogaritet që ky grup të ketë arritur të kryejë mashtrime që tejkalojnë shumën e 50 milionë eurove me aktivitetin e nisur në vitin 2023. Viktimat e këtyre mashtrimeve hynin në këto platforma përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm.
Hetuesit austriakë kanë mundur të identifikojnë disa “IP” shqiptare të cilat i përkisnin kompanive “One Albania” dhe “Tibo Communications”. Pas bashkëpunimit me këto kompani për të dhënat e IP-ve është zbuluar i arrestuari i parë, Eduard Dalla i cili kishte përdorur emrin fiktiv Jose Santos për t’u regjistruar si abonent në kontratën e internetit. Dalla kishte rolin e ndërmjetësit për të vështirësuar gjurmimin e call centerave nëpërmjet IP duke vepruar si ndërmjetës mes rrjetit të call center dhe ofruesve të internetit. Përmes përgjimeve, është dokumentuar gjithashtu se Dalla ka kërkuar lidhjen e të paktën shtatë kontratave të tjera interneti, përmes kompanive fiktive “Sonet shpk” dhe “Sonet Solution”.
Më 20 janar të 2025-ës, austriakët u informuan se kishte patur mashtrime të reja të qytetarëve. Njëra prej të dëmtuarave, kishte denoncuar se mashtruesit e kishin ftuar të investonte në platformën “imctrading”. Pas hetimeve të kryera u zbulua se këto transaksione lidheshin në mënyrë të drejtëpërdrejt me dy të arrestuarit e tjerë Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra të cilët merrnin vlera të konsiderueshme në adresa kripto dhe i transferonin në adresa të tjera. Hoxha dhe Agastra dyshohet se morën 9 milionë euro Mateo Hoxha dhe babai i tij kishin një zyrë të këmbimit valutor “Alba Forex” ku është dokumentuar këmbimi i kriptovalutave.
Gjithashtu gjurmimet e IP-ve në oraret kur pretendohet të jenë kryer mashtrimet e shtetasve austriakë, drejtuan hetuesit tek pjesëtarët e tjerë të kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht: Ledio Toçi, Aida Lulzim Vokli, Xhoel Mekolli, Ledion Cenaj, Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj.
Në QKB rezultojnë me dhjetëra aktivitete biznesi të regjistruara me emra të ndryshme, me qëllim për të humbur gjurmët pasi rezultojnë të jenë vetëm fiktive. Zyrat ku vërtetë punojnë realisht ekipet e mashtrimit, janë kryesisht me status jo aktiv, dhe në adresa të tjera nga ato të deklaruara në QKB.
Ndërsa shumica e kompanive të regjistruara nga këta persona janë fiktive, dy kompanitë “Upstream Creative” dhe “Magnolia Group” dyshohet të jenë call centerat nga ku janë kryer mashtrimet që kanë shkaktuar dëme deri në milionë euro për shtetasit austriakë. Versus.al



