Prokuroria e Tiranës e cila ka ndjekur hetimet për skemën e mashtrimit të shtetasve europianë me call center, ka ndarë detaje të reja nga dosja hetimore duke bërë me dije sesi vepronin operaorët e punësuar në zyrat e këtyre subjekteve që dyshohet se kanë arritur të përvetësojnë mbi 50 milionë euro.
14 persona janë pjesë e procedimit penal. Organi i akuzës thotë se 12 prej tyre janë nën masën arrest me burg dhe 2 të tjerë në detyrim paraqitje. Këta persona ndaheshin në grupe të ndryshme sipas gjuhëve gjermanisht, anglisht dhe italisht dhe synonin tregje të caktuara ndërkombëtare.
Secili grup përbëhej nga 6-8 agjentë dhe mbikëqyrej nga një person që i monitoronte. Puna e tyre ishte që të ofronin shërbimin e rikuperimit të parave për persona të cilët kishin humbur në investime të mëparshme të “trading online” nëse këta persona ishin të interesuar, të dyshuarit i udhëzonin të hapnin një llogari në “Coin Baze” me depozitë fillestare 500 euro. Ndërkohë operatorët paguheshin 800 euro nga të cilat një pjesë u transferoheshin në bankë dhe të tjerat në zarfe. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.
Këto call-center-a funksiononin me një nivel të lartë organizimi, ndarje të qartë të detyrave dhe kontroll hierarkik, duke i ngjarë strukturave të bizneseve legjitime. Ky organizim profesional mundësonte mashtrime në shkallë të gjerë, ndërkufitare dhe dyshohet se kanë kryer mashtrim me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga periudha 15 qershor 2023 deri më 30 korrik 2024.
“Personat e mësipërm dyshohet se kanë nxitur qytetarët e dëmtuar, nëpërmjet paraqitjes së rrethanave të rreme, për të besuar se shumat e transferuara do të investoheshin realisht. Si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, për vete ose për llogari të personave të tretë, pasi të dëmtuarit, për shkak të mashtrimit, kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash, të cilat në total vlerësohet se tejkalojnë shumën prej 50 milionë euro.
Të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm. Prokuroria identifikoi se shtetasit Tedi Agastra. dhe Mateo Hoxha, gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa Kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera Kripto. Këta dy shtetas janë përfitues fundor të kriptovalutave të këtyre Call Centerave”- njofton mes të tjerash prokuroria. Versus.al


