
Opozita do të zhvillojë nesër protestën e saj të shtatë kombëtare, duke u mbledhur para Kryeministrisë në Tirana, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Tubimi pritet të nisë në orën 19:00, ndërsa organizatorët kanë njoftuar Policinë e Shtetit vetëm për orën e fillimit, pa përcaktuar kohëzgjatjen e protestës.
Sipas burimeve, këtë herë pritet rikthimi i fjalimeve nga drejtues të Partisë Demokratike, forumit rinor dhe aleatëve politikë, ndryshe nga protestat e fundit ku nuk ka pasur podium dhe fokusi ka qenë te marshimet.
Nuk përjashtohet që protesta të shoqërohet me zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes, përfshirë lëvizje në disa akse të kryeqytetit, në varësi të dinamikës së tubimit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar masa të shtuara sigurie dhe pritet angazhim i forcave të rendit për garantimin e mbarëvajtjes së protestës, siç ka ndodhur edhe në tubimet e mëparshme./Versus.al


