Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka njoftuar sot një sërë masash të reja në fushën e kreditimit për pasuri të paluajtshme, të miratuara në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës të institucionit. Masat synojnë të forcojnë stabilitetin financiar dhe të kontrollojnë rreziqet që lidhen me huadhënien për blerje banesash, sidomos në valutë të huaj.
Sipas vendimit të ri:
• Për kreditë në lekë:
• Huaja për shtëpinë e parë nuk duhet të kalojë 85% të vlerës së pronës.
• Për shtëpinë e dytë, kufiri i huasë është 80%.
• Kësti mujor nuk duhet të tejkalojë 40% të të ardhurave për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë.
• Për kreditë në valutë të huaj:
• Maksimumi i huasë për shtëpinë e parë do të jetë 75% e vlerës së pronës.
• Për shtëpinë e dytë, ky nivel zbret në 70%.
• Kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 35% e të ardhurave për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.
Sejko theksoi se këto masa janë marrë për të reduktuar rrezikun nga ndryshimet në kursin e këmbimit dhe për të siguruar që familjet të mos mbingarkohen me borxhe përtej mundësive të tyre reale.
Ai shtoi se masat kanë një efekt mbrojtës ndaj stabilitetit financiar dhe janë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare në menaxhimin e kreditimit për pasuritë e paluajtshme./Versus.al/








