
Të huajt që kanë udhëtuar për në Shqipëri kanë regjistruar një nivel rekord shpenzimesh në tre muajt e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se shpenzimet e të huajve në Shqipëri për periudhën janar-mars arritën në 874 milionë euro, me një rritje prej 11% në krahasim me të njëjtë periudhë të një viti më parë.
Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Gjithsesi në krahasim me vitin e mëparshëm ritmet e rritjes janë ngadalësuar, teksa në tremujorin e parë 2024, të huajt kishin shpenzuar 26% më shumë në udhëtimet e tyre në vend.
Tendenca është në linjë me hyrjen e turistëve të huaj në vend që në fillim të këtij viti shfaqi shenja ngadalësimi.
Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, gjatë tre muajve të parë të vitit, në vend hynë 1.63 milionë shtetas të huaj me rritje prej 5.9% me bazë vjetore, nga 36% që kishte qenë rritja vitin e mëparshëm.
Sipas këtyre të dhënave, rezulton se një turist i huaj ka shpenzuar mesatarisht për udhëtimin në Shqipëri rreth 537 euro në janar-mars 2025, nga 513 euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, një tregues indirekt i shtrenjtimit të çmimeve në vend.
Edhe shqiptarët nuk kursehen jashtë
Shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit kanë arritur gjithashtu një rekord të ri në tremujorin e parë, duke arritur në 579 milionë euro, me një zgjerim prej 11% me bazë vjetore.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se daljet e shtetasve shqiptarë për tremujorin e parë të vitit ishin 1.8 milionë, me një rritje prej 7.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci mbetet pozitiv, por rritja ngadalësohet
Bilanci i turizmit prej vitesh është kthyer në pozitiv, pasi të huajt që udhëtojnë drejt Shqipërisë shpenzojnë më shumë se shqiptarët që ikin jashtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve ishte 295 milionë euro në tremujorin e parë 2025, me një rritje prej 10.4%. Një vit më parë zgjerimi kishte qenë 41%./Monitor







