
Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo më 14 gusht në Pirg të Maliqit.
Adoleshenti u qëllua me thikë në kraharor për arsye të parëndësishme nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri, i cili u arrestua nga policia dhe ka shprehur pendesë për veprën.
Burime bëjnë me dije se ngjarja është regjistruar nga kamera e lokalit “Amar”, pranë vendit ku ndodhi krimi, dhe pamjet janë në dosjen hetimore. Në to shihet Enedio Guri duke ndjekur Xhejon me thikë, ndërsa i riu përpiqej të largohej dhe të mbrohej, por fatkeqësisht u godit në kraharor, plagë që ekspertiza konfirmoi si shkak të vdekjes. Krimi ka tensionuar marrëdhëniet mes dy familjeve.
Gjykata e Korçës ka vendosur “arrest me burg” për autorin Enedio Guri, 14 vjeç, si dhe për babanë e tij, Edison Guri, xhaxhain Roland Guri dhe mikun e babait, 34-vjeçarin Flori Çela. Ata akuzohen për pengim të hetimit, duke fshehur thikën e krimit dhe duke ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja.
Familjarët e viktimës kanë paralajmëruar mundësinë e hakmarrjes, ndërsa forca të shumta policore janë vendosur në fshat për të parandaluar incidente të tjera.
Gjithashtu, për këtë ngjarje janë arrestuar edhe disa të rinj që ishin të pranishëm në vendin e krimit: K. Andoni, V. Vangjeli, A. Miti dhe kushëriri i këtij të fundit, O. Miti, nën akuzën për “moskallëzim të krimit” dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.
Pas mbledhjes së provave, u konfirmua se autori i vrasjes ishte 14-vjeçari Enedio Guri. Konflikti i mëparshëm mes adoleshentëve përfundoi tragjikisht.







