Forcat Ajrore të Gjermanisë (Luftwaffe) kanë ndërmarrë një tjetër mision ndërhyrjeje të shpejtë në hapësirën ajrore mbi Detin Baltik, pasi një avion zbulues rus i llojit IL-20M u pikas duke fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa plan fluturimi dhe pa komunikim radio.
Në reagim të menjëhershëm, dy avionë luftarakë “Eurofighter” u ngritën nga baza ajrore Rostock-Laage për të realizuar identifikimin vizual dhe shoqërimin e avionit rus. Pas kryerjes së procedurave të standardizuara, avionët gjermanë ia dorëzuan eskortën njësive të NATO-s që operojnë nga Suedia, përpara se të riktheheshin në bazë.
Përmes një deklarate për mediat, Luftwaffe konfirmoi:
“Edhe një herë, forca jonë e reagimit të shpejtë, me dy Eurofighter, u angazhua nga NATO për të kapur një avion të paidentifikuar, i cili po fluturonte pa plan fluturimi dhe pa komunikim radio në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik. Pas identifikimit vizual, ia dorëzuam eskortën partnerëve tanë suedezë të NATO-s dhe u kthyem në Rostock-Laage.”
Ndërkohë, tensionet në rajon janë përshkallëzuar më tej pas një incidenti të dytë ajror, ku tre avionë luftarakë MiG-31 rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, një shtet anëtar i NATO-s. Sipas burimeve të Reuters, avionët fluturuan pa leje për rreth 12 minuta në territorin estonez të premten e kaluar, përpara se të detyroheshin të largohej.
Ky zhvillim ka ngritur alarm brenda aleancës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut pritet të mblidhet të martën për të diskutuar situatën dhe pasojat e mundshme të këtij provokimi ajror nga Rusia.







