Deputetët socialistë refuzuan të jepnin komente për arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së. Të pyetur nga gazetarët teksa hynin në seancë plenare, të paktë ishin ata që denjuan të jepnin ndonjë koment, edhe atë herë duke u shprehur se nuk komentonin veprimet e drejtësisë.
Ndërsa deputeti Erion Braçe u ndal para gazetarëve për të folur lidhur me arrestimin e Beqajt, duke thënë se pavarësisht kësaj, ende nuk ka përgjegjës për ngjarje si 21 janari apo tragjedinë e Gërdecit.
“Video me pranga në duar nuk është argument. Përsa kohë që bëhet fjalë për vjedhje, duhet të shohim një informacion më të zgjeruar që të kuptojmë çfarë ka ndodhur realisht. Reforma në drejtësi për këtë u bë për të referuar prova për zyrtarë të caktuar pavarësisht fuqisë politike.
Por ende nuk ka asnjë përgjegjës për 21 janarin, për Gërdecin ku u vranë njerëz dhe nuk janë vjedhur vetëm para. Në momentin që flitet se ka abuzime me fondet, kjo gjë duhet parë seriozisht. PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale të cilën po e mban. Peshorja ka humbur ekuilibrin përsa kohë që në këtë vend merren jetë njerëzisht dhe nuk merrem masa. Kostoja do merret kur të paraqitemi në garë elektorale”- tha mes të tjerash Braçe. Versus.al








