Në Pllanë të Lezhës mbrëmjen e sotme u ekzekutua me armë zjarri Gjovalin Prendi, babai i të ndjerit Roan Brahimi (i njohur edhe si Sidorel Prendi), i cili u vra në Athinë në maj të vitit të kaluar.
Sipas burimeve nga policia, atentati ndodhi në afërsi të banesës së viktimës. Autorët ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të Prendit dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Forcat e rendit kanë ngritur pika kontrolli në zonë dhe po punojnë për kapjen e autorëve.
Pista kryesore: Hakmarrja
Hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që vrasja e Gjovalin Prendit të jetë një vijim i hakmarrjeve të nisura vite më parë mes grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Vdekja e djalit të tij, Roan Brahimi, në një atentat në Virona të Athinës në maj 2024, konsiderohet pjesë e të njëjtit konflikt.
Roan Brahimi njihej si një person me precedentë penalë dhe lidhje me grupe kriminale, si dhe si armiku i betuar i Ervis Martinajt, biznesmenit të zhdukur në rrethana misterioze në vitin 2022. Emri i Brahimit është përmendur edhe në hetime për vrasjen e Gentjan Bejtjes në mars 2024 në Krujë.
E shkuara e përgjakshme e familjes Prendi
Familja Prendi është përballur edhe më parë me dhunë dhe kërcënime. Në vitin 2014, dy nipër të Gjovalin Prendit u vranë në një atentat me armë pranë Urës së Milotit, ndërsa në 2020 lokali i tij u bë objekt sulmi. Të gjitha këto episode duket se janë hallka të një zinxhiri hakmarrjeje që vijon të marrë jetë edhe pas një dekade.
Policia e Lezhës dhe Prokuroria kanë nisur një hetim të thelluar për të zbuluar motivet e plota të ngjarjes dhe autorët e saj. Në bashkëpunim me strukturat qendrore të hetimit, është ngritur një grup pune i posaçëm për këtë rast. /Versus.al/








