
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur atentatin me armë zjarri në 2021-in ku u ekzekutua juristi Mitri Prifti.
Genti Nderjaku, alias Kili, alias Ekil Nderjaku ose “Akili” i njohur si kundërshtar i Rrumit të Shijakut (Aleksandër Laho), akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Mitri Priftit.
Ndërsa për të dyshuarin tjetër Marsel Deçka, SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve pasi nuk rezulton të jetë i përfshirë në ngjarje.
Kush ishte Mitri Prifti?
Në 2021-in, u arrestua pasi ishte shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes së Edison Begajt të ndodhur më 29 majt të vitit 2021 në fshatin Kaninë. Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë bënë bujë, pasi autori Mitri Prifti shihej i veshur si polic në momentin kur qëllonte ndaj Edison Begajt si hakmarrje për një konflikt verbal që kishin pasur më herët në Lungomare të Vlorës.
Ndërsa Edison Begaj i cili arriti t’i mbijetonte atentatit, ishte në listën e operacionit “Forca e Ligjit”, i dënuar më parë për 7 vite e 6 muaj burg për drogë dhe armë.
Emri i Mitri Priftit shfaqet edhe më herët në organet e drejtësisë. Në 2016-ën, ai dhe kushëriri i tij ndërtues denoncuan në polici duke thënë se ishin kërcënuar nga anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit në Tiranë.
Por kallëzimi qëndroi aktiv vetëm disa ditë pasi vetë Mitri Prifti tërhoqi akuzat duke thënë se nuk e njihte Emiljano Shullazin dhe asnjë prej anëtarëve të familjes së tij duke shtuar se nuk kishte asnjë informacion mbi kërcënimin e jetës së kushëririt të tij ndërtues.







