
Mbledhja e ditës së sotme në Këshillin Bashkiak të Vlorës u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes këshilltarëve, duke çuar në ndërprerjen dhe më pas anulimin e saj. Që në nisje, opozita kundërshtoi rendin e ditës, i cili përfshinte 21 pika diskutimi, përfshirë rishikimin e buxhetit, miratimin e “Vlora Invest” dhe vendosjen e parkimit me pagesë në disa akse rrugore.
Këshilltarët e opozitës argumentuan se rendi i ngarkuar dhe mungesa e kuorumit në komisionin juridik e bënin të pamundur votimin dhe paralajmëruan se nuk do të merrnin pjesë në seancë pa rishikim të tij. Kur kryetarja Elpiniqi Mërkuri hodhi rendin në votim, rezultuan vetëm 25 vota pro, një më pak se sa kërkohet ligjërisht për miratim, duke shkaktuar ndërprerjen e mbledhjes pas largimit të këshilltarëve të opozitës.
Gjatë seancës, u shfaqën edhe tensione të tjera me qytetarë që kërkonin sqarime. Eklarina Hoxha, përfaqësuese e pronarëve të ligjshëm në qytet, ngriti shqetësimin për zvarritjen prej dekadash të proceseve gjyqësore dhe pretendoi se ndërtime po kryheshin në tokat e saj, pavarësisht se çështjet vijojnë në gjykatë.
“Gënjejnë, rraskapitem rrugëve. Populli të marrë pjesë në seanca, pse i bëni fshehur. Bëjini publike, janë prona po i vidhni vetë ju. Kam 30 vjet pres gjykata. Marrim pjesë në mbledhje, ne shikohemi si kriminele. Unë kam të drejtë të marr informacion. Të dimë se çfarë bëhet,” deklaroi Hoxha, duke kërkuar më shumë transparencë dhe hapje të mbledhjeve për qytetarët./Versus.al

