Çfarë do të gjeni në brendësi
*Përfaqësuesja e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas vizitoi sot Tiranën ku u takua me presidentin Bajram Begaj dhe më pas me kryeministrin Edi Rama në kryeministri ku u firmos edhe marrëveshja BE-Shqipëri për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë si pjesë e korridorit VIII-të. *Kallas e cilësoi 2030-tën si një afat të mundshëm dhe të realizueshëm përsa i takon mundësisë që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Por theksoi se baza e anëtarësimit është zbatimi i reformave dhe sundimi i ligjit, pavarësisht se cila parti është në pushtet. *Ndërsa kryeministri Edi Rama përmendi 2027-ën si afat për mbylljen e negociatave me BE-në për anëtarësimin e vendit. Sa i takon tarifave të vendosura nga SHBA, kreu i qeverisë tha se nuk është çështje shqetësuese për Shqipërinë për shkak se nuk kemi një volum të lartë eksportesh me SHBA.
VIDEO/ Vetëm PS e anëtarëson vendin në BE? Kallas: Rëndësi ka zbatimi i reformave! Rama: Pyetje pa lidhje, s’ka parti tjetër që e kryen
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama tha se e sheh 2030-ën si objektiv të arritshëm për anëtarësimin e vendit në BE.
“2030-ta është objektiv realist në rast se të gjithë do ndërmarrim hapat e duhura gjatë rrugës. Shqipëria me reformat e saj që duhet të vihen në zbatim, sidomos sundimi i ligjit që është një nga bazamentet e BE. Në rast se investuesit kanë besim tek sistemi juaj ligjor, është në të mirën e Shqipërisë sepse do investojnë në vend”- tha Kallas.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se plani është që negociatat me BE-në të mbyllen brenda vitit 2027 dhe më pas periudha tjetër lidhet me dakordësimin e vendeve anëtare për të pranuar Shqipërinë si anëtaren më të re.
“Kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në 2027-ën që do të thotë që nga ai moment komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin. Prandaj ajo që ne parashohim është një periudhë 2 vjecare ratifikimesh për të qenë realist që konkludon me 2030-ën në tryezën e BE. Kështu që plani është krejtësisht i qartë. Pjesa jonë është të përmbyllim negociatat me sukses deri në 2027-ën. Ambicia është që brenda vitit të hapim të gjithë kapitujt dhe në momentin që të gjitha këto bëhen realitet, nuk ka asnjë pengesë përderisa BE e ka hapur derën dhe për herë të parë mendoj unë prej shumë e shumë vitesh, është konkrete hyrja në BE. Natyrisht që kjo lidhet me punën tonë dhe puna jonë nuk duhet të ndërpritet për asnjë sekondë. Pasaporta e BE është rjedhojë e anëtarësimit”- u shpreh Rama duke u shprehur i bindur se PS do të vijojë punën në qeveri edhe pas 11 majit.
Kryediplomatja e BE u pyet mbi retorikën e përdorur nga Rama i cili shprehet vazhdimisht se anëtarësimin e vendit në union, e mundëson vetëm PS. Kallas tha se mjafton që qytetarët të përkrahin rrugëtimin e vendit drejt anëtarësmit dhe të kryhen reformat e domosdoshme, duke nënkuptuar se nuk ka rëndësi cila parti është në pushtet, në rast se përmbushen këto kushte.
“Unë vij nga një vend që e ka kryer rrugëtimin e vetë drejt BE. Është e qartë se ne këtë rrugëtim duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve. Në Shqipëri e kanë dhënë përkrahjen e tyre për rrugëtimin e vendit në BE. Për këtë duhen reformat e vështira që kërkojnë mbështetjen e shoqërisë”- deklaroi zyrtarja.
Rama nga ana tjetër pati një kritikë për gazetarët lidhur me këtë pyetje, duke thënë se nuk ka sesi zyrtarët e BE-së ta thonë diçka të tillë për një parti të caktuar politike.
“BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri. Por ama ajo që unë them dhe përsëris, është se nuk ka një forcë tjetër që e kryen këtë mision. Nuk është BE që e përcakton edhe nëse e mendojnë nuk kanë për ta thënë ndonjëherë. Kjo është pyetje pa lidhje, por e kuptoj se është për konsum publik”- shtoi kryeministri. Versus.al
VIDEO/ “Ti na solle të ftohtin”, Rama batuta me shefen e zgjerimit të BE: Herën tjetër do ketë vetëm diell
Shqipëria dhe Bashkimi Europian firmosën sot marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë në kuadër të Korridorit të VIII-të.
Pas firmosjes së marrëveshjes, Rama mbajti një konferencë me shefen e zgjerimit të BE, Kaja Kallan me të cilën nuk kurseu batutat.
“Është një vizitë që solli një kombinim pak të cuditshëm për ne midis diellit dhe të ftohtit. Ne ju kemi dhënë diellin tik e sjellë të ftohtin. Por të jesh e bindur që herës tjetër do ketë vetëm diell dhe nuk do ketë më vend për të ftohtin”- tha Rama.
“Brukseli nuk kishte të ftohtë, kështu që nuk erdhi nga Brukseli i ftohti por nga veriu”- iu përgjigj Kalla. Versus.al
Shefja e zgjerimit të BE, sot në Tiranë! Nga firmosja e marrëveshjes për hekurudhën, tek takimet me krerët e shtetit, zbardhet agjenda

Përfaqësuesja e BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas do të vizitojë sot Tiranën ku do marrë pjesë në disa aktivitete të rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin me vendin tonë.
Fillimisht Kallas do të takohet me presidentin Bajram Begaj në presidencë në orën 08:50. Më pas në orën 09:30, Kallas do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Pas këtij takimi, në orën 10:10 në sallën COD në kryeministri do të zhvillohet firmosja e marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë që njihet si pjesë e korridorit të VIII-të. Marrëveshja do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp në orën 10:25.
Kallas po zhvillon një tur takimesh në Ballkanin Perëndimor ku vizitën e fundit do ta ketë në Bosnjë Hercegovinë. Kjo është vizita e saj e parë në Shqipër që pasi mori detyrën e lartë. Versus.al







