Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme, kreu i PD, Sali Berisha ishte thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për herë të dytë për t’u marrë në pyetje si person në dijeni për ngjarjen e ndodhur më 21 janar 2011 kur u vranë 4 protestues të opozitës (asokohe PS). Kryedemokrati nuk u paraqit. *Në konferencën për shtyp, Berisha mohoi sërish para gazetarëve që t’i kenë ardhur fletëthirrjet e pretenduara në media. *Por nuk vonoi as reagimi i SPAK ku bëhej me dije se Berishës i janë dërguar 2 fletëthirrje, zarfet e të cilave janë kthyer mbrapsht nga rojet e banesës së tij dhe nga deputetët e PD-së. *Në rast se Berisha nuk paraqitet në SPAK as pas fletëthirrjes së tretë, atëherë do të bëhet shoqërimi i tij me polici.
SPAK nxjerr bllof Berishën për 21 janarin: I kemi dërguar 2 fletëthirrje! Rojet dhe PD nuk morën zarfet

Pas pretendimeve të Sali Berishës i cili shprehej i bindur se nuk kishte marrë asnjë fletëthirrje nga Prokuroria e Posaçme për t’u paraqitur lidhur me “21 janarin”, ka ardhur reagimi i SPAK-ut.
Në njoftimin për mediat, bëhet me dije se Berishës i janë dërguar deri më tani dy fletëthirrje për t’u paraqitur në SPAK, por herën e parë fletëthirrja nuk u mor nga rojet në banesën e tij, ndërsa herën e dytë, më 12 nëntor grupi parlamentar i PD nuk ka pranuar të merrte fletëthirrjen.
Më tej thuhet se do të vijohet me procedurat ligjore për thirrjen e Berishës, duke lënë të kuptohet se nëse refuzon të paraqitet edhe pas fletëthirrjes së tretë, atëherë do të shoqërohet nga policia.
Reagimi i SPAK për fletëthirrjen ndaj ish kryeministrit Berisha për 21 janarin:
Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025.
Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit:
[email protected], më datë 10.11.2025.
Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Versus.al
Nuk shkoi në SPAK për 21 janarin, Berisha mohon të ketë marrë fletëthirrje: Rama përgjegjës, prandaj nuk u rihetua

Kryedemokrati Sali Berisha nuk u paraqit sot në SPAK për t’u pyetur si person në dijeni për 21 janarin, pavarësisht se mediat pretendojnë se fletëthirrja i është dërguar për herë të dytë.
Berisha mohoi sërish që një fletëthirrje e tillë të ketë mbërritur në banesën e tij. Sipas tij, e gjithë kjo çështje po bëhet për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë.
“E kam deklaruar, e kam faktuar se unë i përgjigjem çdo thirrje të gjykatës, të prokurorisë speciale, të prokurorisë jospeciale, të kujtdo qoftë, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim dhe nuk mund të ketë kurrë.
Së dyti, ata që e fusin veten për të krijuar, e bëjnë veten bashkëpunëtorë në një propagandë banale, të turpshme, as nuk kanë fytyrë, as nuk kanë moral, as nuk kanë ligj. Sepse posta kur niset, ligji është, dorëzohet. Atij që i dorëzohet, i merret firma. E mora, thotë.
Dhe unë, kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin. Por kjo i intereson Altin Troplinit, i cili e shndërron atë institucion, i jep standardet e tij morale. Sa është sot data? Sot është data 14. Nga data 3 që pretendohet, deri me datën 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament. Dhe nuk ka ardhur askund”- tha Berisha.
Lidhur me vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar, 2011 Berisha përsëriti edhe njëherë se ai ka kërkuar rihetim të plotë, por kjo gjë u pengua nga vetë Edi Rama.
“Unë publikisht kërkova prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar erdhi. Pjesa e tretë, të supozojmë për një moment se unë nuk doja hetimin. Nga viti 2013 kanë kaluar 12 vite dhe ai hetim nuk u bë sepse ai hetim nxjerr përgjegjës kryesor për protestën më të dhunshme në historinë e vendit, direkt Edi Ramën.
Nxjerr falsifikimin dhe mashtrimin publik që bëri me videon me Filip Çakullin. Nxjerr projektin e tij që ose ik, ose mund të kalohet edhe mbi kufoma. Po prandaj nuk bëhej hetimi, sepse besoj se 13 vite, PD dhe unë nuk kemi pasur asnjë lloj autoriteti”- shtoi ish-kryeministri. Versus.al
Berisha injoron sërish fletëthirrjen e SPAK për 21 janarin! Nëse s'paraqitet herën e tretë, e shoqëron policia

Pavarësisht fletëthirrjes së Prokurorisë së Posaçme për Sali Berishën të cilit i ishte kërkuar të paraqitej sot në orën 10:00 për t’u pyetur mbi 21 janarin si person në dijeni, kryedemokrati nuk është paraqitur në SPAK.
Ditën e djeshme ai pretendoi para mediave se nuk i kishte mbërritur ndonjë fletëthirrje dhe se në rast se do të ishte njoftuar, do të paraqitej.
Ndërkohë fletëthirrja kishte mbërritur edhe në Kuvend ku grupi parlamentar i PD e injoroi duke refuzuar ta tërheqë dhe duke e kthyer mbrapsht në protokol. Kjo është hera e dytë që SPAK i dërgon fletëthirrje Berishës për ta pyetur mbi 21 janarin. Në rast se kreu i PD nuk paraqitet as pas fletëthirrjes së tretë, do të shoqërohet me forcë nga policia.
Ditën e djeshme, Berisha tha para mediave se SPAK e risillte në vëmendje 21 janarin me qëllim për të zbehur zhurmën e skandaleve të qeverisë. Versus.al
Vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar, Berisha i thirrur sot në SPAK për t'u marrë në pyetje

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është thirrur sot nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për t’u pyetur për 4 vrasjet e protestuesve para kryeministrisë më 21 janar 2011.
Në fletëthirrje i është shënuar ora 10:00 për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga prokurori Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në boulevard të cilët u qëlluan me plumba nga godina e kryeministrisë gjatë kohës që Berisha mbante postin e kreut të qeverisë.
Sipas mediave, fletëthirrja i është dërguar në banesë, në selinë e PD dhe në Kuvend dhe kjo është fletëthirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin pasi e para e lëshuar më 3 nëntor ishte kthyer mbrapsht pa u hapur.
Ende nuk dihet nëse ish-kryeministri do të paraqitet pasi një ditë më parë në konferencën për mediat pretendoi se nuk i ka mbërritur asnjë fletëthirrje e tillë. Ndërsa akuzoi SPAK-un se e rikthen 21 janarin në vëmendje për të zbehur skandalet e qeverisë. Versus.al
