Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ashtu siç e kishin paralajmëruar, banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës ditën e sotme e zhvendosën protestën e tyre para godinës së SPAK-ut ku kërkuan drejtësi për pronat e tyre të cilat janë zaptuar nga biznesmeni Bashkim Ulaj. *Me pankarta në duar, ata kërkuan drejtësi dhe ndalimin e punimeve të cilat po kryhen nga firma ‘Gener 2” e Bashkim Ulajt, i cili ka në plan të ndërtojë aty një resort luksoz pasi u shpall ‘investitor strategjik’. *Banorët pretendojë se pronat u përkasin atyre dhe se i kanë të trashëguara dhe të dokumentuara që prej kohës së monarkisë të drejtuar nga mbreti Zog. *Protestës iu bashkua edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi i cili tha se Bashkim Ulaj po kryen paligjshmëri duke qenë se shkalla e parë e gjykatës iu kishte dhënë të drejtë banorëve.
Deputeti Muçi krah protestuesve para SPAK: Gjykata u ka dhënë të drejtë, por Bashkim Ulaj vijon ndërtimet

Deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi është shfaqur krah banorëve të Rrjollit që protestuan sot përpara SPAK-ut për zaptimin e tokave ku do tëndërtohet resorti luksoz i biznesmenit Bashkim Ulaj.
Muçi tha se shkalla e parë e gjykatës u ka dhënë të drejtë banorëve, ndërsa ende nuk ka vendim të Apelit. Sipas tij, ndërtimet nga Bashkim Ulaj janë të kundraligjshme pasi nuk ka ndonjë vendim gjykate në favor të tij.
“Kjo çështje fatmirësisht është në gjykatë, fatmirësisht shkalla e parë u ka dhënë të drejtë banorëve. Kështu që duhet pritur edhe vendimi i Apelit për të dhënë një vendim përfundimtar. Ajo që po ndodh aktualisht është shkelje e ligjit sepse firma e Bashkim Ulajt është duke ndërhyrë dhe ndërtuar kur nuk ka një vendim gjykate. Kështu që për këtë duhet të merren masa sipas ligjit”- u shpreh deputeti. Versus.al
“Do vijë dita që të na marrin dhe varret”, protestuesi: Të babëziturit s'po na lënë të jetojmë në Shqipëri
Njëri prej dhjetëra banorëve që u mblodhën për protestë sot para SPAK-ut, ka shprehur indinjatën e tij për faktin se dokumentet që ata kanë prej 90 vitesh, nuk hyjnë në punë përballë planit të biznesmenit Bashkim Ulaj për të ndërtuar resort në tokat e tyre në Rrjoll të Velipojës.
Banori tregoi dokumentin e tokës së trashëguar brez pas brezi, ndërsa tha se me këto veprime po shtyhen që të braktisin vendin, kur nuk duan ta bëjnë diçka të tillë.
“Kush të jetë shqiptar që e ka njohur ligjin e mbretit Zog, këtu është dokumenti. Urdhëroni, filmoni, nëse dalin fallco këto unë do largohem familjarisht nga Shqipëria se do ta mallkoj që ka mbajtur letrat tash e 100 vite. Është 91 vjeçare kjo letër që ka mbajt gjyshi, se e ka ditur që do vijë kjo kohë. Këta kujtojnë se ne jemi të trashë, jemi botë e tretë. Por nuk jemi të tillë, jemi njerëz si ju. Duam të jetojmë në Shqipëri, dua të jetoj në tokën time. Këta nuk të lënë mor zotëri, këta do vijë dita që do na marrin edhe varret. Kaq të babëzitur janë këta?”- tha banori mes të tjerash. Versus.al
Zaptimi i pronave për ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit protestojnë para SPAK

Dhjetëra banorë të fshatit Rrjoll të Velipojës kanë zhvilluar sot një protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme për ndërtimin e resortit luksoz në toka për të cilat thonë se janë pronë e tyre.
Prej ditësh banorët janë përplasur me policinë në vendin ku po zhvillohen punime nga firma “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj i cili ka në plan ndërtimin e një resorti luksoz në një sipërfaqe prej 146 hektarësh.
Ulaj së bashku me dy vëllezërit e tij u shpallën investitor strategjikë në dhjetor të vitit 2024. Versus.al

