Çfarë do të gjeni në brendësi
*Situata me zjarret në vend paraqitet katastrofike. Në gjithë vendin sipas ministrisë së Mbrojtjes, janë raportuar 27 vatra zjarri aktive, ndërsa pjesa më problematike paraqitet në Gramsh dhe në jug të vendit ku janë shkrumbuar plotësisht dhjetëra fshatra duke bërë që banorët të evakuoheshin gjatë natës. *Numri i viktimave ka shkuar në 2 persona. Pasi 80 vjeçari që ndezi zjarrin në Gramsh ndërroi jetë, së fundmi edhe një tjetër person ka vdekur si pasojë e asfiksimit. *Në Delvinë, situata nuk ka patur ndonjë përmirësim të dukshëm gjatë mbrëmjes teksa mungon energjia elektrike dhe banorët e disa fshatrave janë evakuuar. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se tanimë është vendosur një perimetër sigurie dhe se nuk ka rrezik për banesat. *Fshatra të tërë janë shkrumbuar plotësisht në Gramsh e Delvinë, ndërsa një tjetër vatër e rrezikshme është shfaqur në Gjirokastër. Problematikë mbeten edhe zjarret në Bulqizë ku janë djegur dhjetëra hektarë pyje ahu dhe pisha.
Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 37 vatra aktive, situata më problematike në jug
Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se gjatë orëve të fundit në vend janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, me situata veçanërisht të rënduara në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Elbasan dhe Berat.
Qarku Vlorë
Në bashkinë Delvinë, zjarri ka depërtuar në lagjen “Kasapaj” dhe ka prekur disa banesa. Në operacion po marrin pjesë edhe dy helikopterë çek dhe sllovak në mbështetje të forcave tokësore.
Në bashkinë Finiq, vatrat në Dhivër, Syrin e Kaltër dhe fshatrat përreth po përhapen drejt Delvinës dhe kanë kapur kodrat e Malit të Gjerë dhe Sopotit. Situata rëndohet edhe në fshatin Tremul, ku rrezikohen banesat.
Vatra aktive ka edhe në Malin e Sopotit, ndërsa në Bistricë zjarri po mbahet nën kontroll.
Qarku Dibër
Në Ternovë, bashkia Bulqizë, zjarri pranë Liqenit të Zi ka marrë përmasa për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Në operacion janë angazhuar forca të FA, zjarrfikës dhe punonjës bashkiakë.
Vatra të tjera janë regjistruar në Malin me Gropa (Bizë e Martaneshit), Sohodoll dhe zona të tjera, pa rrezik të menjëhershëm për banesa.
Qarku Berat
Në Poliçan vijon të digjet “Rezervati i Menaxhuar Balloll”, me rrezik për banesat në Çorogjaf dhe Lagjen Selenicë.
Në fshatin Vokopolë janë djegur 6 banesa, nga të cilat 3 të pabanuara, pas një zjarri të shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Situata është nën monitorim.
Vatra të tjera aktive raportohen në Mbrakull, Velçan, Orizaj, Çiflig dhe Goraj.
Qarku Tiranë
Në Ferraj dhe Zall-Herr zjarri vijon prej 10 gushtit dhe po përhapet në zonë kodrinore, duke vështirësuar ndërhyrjen.
Vatra të tjera aktive raportohen në Vaqarr, Pezë, Malin e Bërzhitës dhe Kodër Selitë.
Qarku Gjirokastër
Në Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan situata është pjesërisht nën kontroll, por në Turan dhe Lekel flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, përfshirë djegien e dy stallave bagëtish dhe humbjen e disa kafshëve.
Vatra aktive janë regjistruar edhe në Lazarat dhe Goranxi.
Qarku Elbasan
Në Gramsh, flakët në fshatin Kullollas po përhapen drejt Nartës, ku është dhënë urdhër evakuimi. Zjarri ka përfshirë edhe fshatrat Harunas, Mukaj dhe Sojnik.
Vatra të tjera raportohen në Garunjë dhe Polis Gurëshpat.
Qarku Shkodër
Situatë e qetësuar në Xeth të Fushë-Arrëzit dhe Mesul të Pukës, ndërsa në Shegan të Malësisë së Madhe terreni vështirëson ndërhyrjen.
Qarku Kukës
Në Parkun Natyror të Monellës zjarri në Maja e Zezë është izoluar.
Qarku Korçë
Në Gërmenj të Kolonjës vatra mbetet problematike për shkak të municioneve të vjetra që shpërthejnë herë pas here.
Qarku Lezhë
Dy vatra zjarri janë shfaqur në fshatin Blinisht pranë kishës së fshatit.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre të re, ndërsa në disa zona po vijon ndërhyrja nga ajri dhe toka me të gjitha kapacitetet në dispozicion./Versus.al
Sherr për pronat, djegie tokash e pengim të zjarrfikësve: 8 të arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme
Ndërsa vendi, nga veriu në jug, po përballet me dhjetëra vatra zjarri, Policia e Shtetit ka identifikuar dhe proceduar penalisht disa persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme.
Gjatë orëve të fundit janë arrestuar 8 persona, ndërsa një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë një prej zjarrvënësve, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë pranë një sipërfaqeje me ullinj.
Në video shihet teksa ecën në rrugë, kthen kokën për t’u siguruar që nuk e shikon askush, dhe më pas dyshohet se hedh një cigare në tokë, duke shkaktuar një zjarr me përmasa të mëdha.
Në lagjen “Uznovë” flakët rrezikuan disa banesa dhe dogjën një sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa në fshatin Osmëzezë u shkrumbuan tokë dhe pemë frutore.
Rastet kryesore të arrestimeve:
Krujë – Në fshatin Barkanesh u prangos 19-vjeçari Endri Doku, i cili dogji ullishtet e fqinjëve pas një konflikti për pronësinë. Ngjarja ndodhi ndërsa ai ndodhej në arrest shtëpie për kultivim të bimëve narkotike.
Memaliaj – U arrestua 62-vjeçari Bashkim Lika, i dyshuar se ka ndezur zjarr në zonën pyjore pranë fshatit Koshtan. Flakët shkrumbuan sipërfaqe të mëdha pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa të pabanuara.
Fier – Në pranga përfundoi 61-vjeçari Shezai Banaj, i akuzuar për ndezjen e zjarrit në luginën e lumit Vjosa, në zonën e “Mezarakut”. Nga flakët u dogj një sipërfaqe toke, 300 pemë ulliri dhe bimësi të ndryshme të parkut kombëtar.
Lushnjë – U arrestua 58-vjeçari Arjan Kaja, i cili dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk. Flakët u përhapën në një sipërfaqe më të madhe, ndërsa ai pengoi ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Durrës – Një grua po hetohet në gjendje të lirë pasi ndezi zjarr në oborrin e banesës për të djegur mbeturina. Flakët u përhapën, duke shkrumbuar një sipërfaqe toke dhe një kasolle.
Policia apelon për ndërgjegjësim dhe paralajmëron se do të ndëshkojë me masa të rrepta çdo akt zjarrvënieje, ndërsa ekipet zjarrfikëse po punojnë pa ndërprerje për të frenuar përhapjen e flakëve./Versus.al
Ministria e Mbrojtjes thirrje urgjente banorëve për evakuim në Nartë, Gramsh dhe Delvinë
Ministria e Mbrojtjes ka bërë një thirrje urgjente për banorët e zonave të Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve.
Banorëve u është bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta për të mbrojtur jetën dhe pronat e tyre.
Statusi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:
THIRRJE URGJENTE PËR EVAKUIM
Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri në vend, nga të cilat 24 mbeten aktive.
Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, po punojnë në terren, me mbështetje nga ajri nga helikopterë në Gramsh, Delvinë e zona të tjera.
Situatat më problematike regjistrohen në Delvinë e Finiq, ku flakët kanë djegur shtëpi e ullishte, në Gramsh me një viktimë, në Tepelenë me dëme në stalla e bagëti, si dhe në disa vatra në Tiranë, Shkodër, Dibër e Korçë./Versus.al
39 banesa të shkrumbuara në Gramsh, 3 helikopterë vijojnë punën për shuarjen e flakëve
Detaje të reja janë mësuar nga situata e rënduar me zjarret në Gramsh. Deri më tani raportohet për 39 banesa të shkrumbuara në 6 fshatra.
Ndërkohë përsa i takon situatës së zjarreve, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bën me dije se aktualisht 3 helikopterë po punojnë për shuarjen e flakëve në Gramsh dhe 2 të tjerë në Delvinë, në terren janë qindra efektivë të zjarrfikësve dhe emergjencave lokale që po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit në qarqe të ndryshme të vendit. Versus.al
VIDEO/ Banorët e dorëzuar shohin me trishtim katastrofën natyrore, Reuters publikon pamje nga Delvina
Zjarri masiv që shpërtheu në Delvinë ka shkaktuar dëme të shumta me banesa e fshatra të tërë që janë shkrumbuar nga flakët. Pamjet ku banorët shfaqen të trishtuar për tokat e sipërfaqet me pemë që po digjeshin së bashku me banesat, janë pasyruar edhe nga Reuters.
Fotografitë e shkrepura nga fotografi Florion Goga tregojnë vendin e shkrumbuar nga flakët ndërsa banorët shohin të dorëzuar katastrofën natyrore.
Si pasojë e rrezikut nga flakët, u evakuuan banorët e zonës si dhe spitali i Delvinës, ndërsa zjarret rrezikuan edhe puset e naftës. Versus.al
View this post on Instagram
Dy të vdekur nga zjarri në Elbasan, dhjetëra banesa të djegura e fshatra të shkrumbuar
Elbasan- Është shënuar viktima e dytë në këtë qark si pasojë e flakëve që u përhapën me shpejtësi në Gramsh dhe disa fshatra të tjerë që janë shkrumbuar plotësisht.
Pas 80 vjeçarit i cili humbi jetën ditën e djeshme pasi zjarri që ndezi në oborrin e tij doli jashtë kontrollit, ka ndërruar jetë edhe një tjetër person si pasojë e asfiksisë nga zjarri.
Dhjetëra banesa janë shkrumbuar plotësisht ndërsa fshatrat që u përfshinë nga flakët një ditë më parë, Kullollash, Bletëz, Skënderbegas, Menkollare, Zenele dhe Harunas, janë djegur plotësisht. Versus.al
Flakët ende jashtë kontrollit në Gramsh, zj*rret shkrumbojnë disa fshatra

Problematika të mëdha për vatrat e zjarrit që kanë përfshirë vendin, janë shfaqur edhe në Gramsh ku zjarri ka vijuar me intensitet të lartë.
Si pasojë e erës, flakët janë përhapur edhe në zona të ndryshme. Në skënderbegas po digjet edhe fshati i fundit.
Situata me dëmin e shkaktuar si pasojë e flakëve është tejet e rëndë pasi 6 fshatra janë shkrumbuar totalisht. Në njësinë Kodovjat, zjarri është shumë afër fshatit Posnovisht dhe më pas fshatrat e tjerë janë zinxhir afër me njëri-tjetrin.
Që prej ditës së djeshme janë evakuuar qindra banorë të zonave pasi flakët kanë shkrumbuar edhe disa shtëpi. Versus.al
Shqipëria në fl*kë! Qindra banorë të evakuuar nga Delvina e Gramshi! Situatë e rëndë, vatër e re zjarri rrezikon Gjirokastrën

Vendi u përball dje me një situatë emergjente sa i takon vatrave të zjarrit të përhapura në Delvinë dhe Gramsh duke bërë që një 80 vjeçar të humbte jetën dhe disa të tjerë të dëmtoheshin si pasojë e asfiksimit nga tymi.
Situata më dramatike u paraqit në Delvinë ku banorët u evakuuan për të shmangur rrezikimin e jetës së tyre pasi flakët po u afroheshin shtëpive në një situatë që dukej tepër dramatike. Aktualisht mësohet se një pjesë e madhe e forcave zjarrfikëse dhe atyre të armatosura janë zhvendosur në Delvinë për të tentuar shuarjen e flakëve, ndërsa sipas ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, nuk ka më rrezik për banesat.
Zjarri në Delvinë rrezikoi banesat e banorëve të fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 2 avionë grekë PLZ, 1 helikopter çek dhe një sllovak.
Në informacionin e dhënë nga ministria thuhet se në gjithë vendin aktualisht janë 27 vatra zjarri aktive. Një tjetër vatër e rrezikshme raportohet në fshatin Hormovë të bashkisë Tepelenë ku mësohet se që prej orës 04:00 të mëngjesit forcat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, po punojnë për të izoluar flakët duke mos lejuar që të përhapen edhe në Gjirokastër. Për shkak të bimësisë së dendur dhe afërsisë me disa fshatra, zona paraqet rrezik të lartë. Versus.al







