Çfarë do të gjeni në brendësi
*Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur këtë të martë ndarjen e dosjes “Sterilizimi”. *Përveç Ilir Beqajt, të pandehurit e tjerë ish-zv/ministri, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Arben Gjatën, Petraq Mersini, Genci Byrazerin e Naila Ajazin do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. *Gjatw seancës Beqaj është përplasur me Prokurorin e SPAK-ut Edvin Kondilli. *Ish-ministri akuzon SPAK-un për vendime të pabaza, madje e ka quajtur autoshkollë.
Ndahet dosja “Sterilizimi”! Ish ministri Beqaj përjashtohet nga gjykimi i shkurtuar
Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të martë ndarjen e dosjes “Sterilizimi”, duke ndjekur dy rrugë të ndryshme për të pandehurit: të gjithë, përveç Ilir Beqajt, do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Burime nga seanca gjyqësore bëjnë me dije se Ilir Beqaj nuk ka kërkuar përfitimin e gjykimit të shkurtuar, i cili do t’i jepte atij mundësinë për një ulje të një të tretës së dënimit në rast fajësie.
Pra GJKKO ka pranuar gjykim të shkurtuar për: ish-zv ministrin, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapajn, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Arben Gjatën, Petraq Mersini, Genci Byrazerin e Naila Ajazin.
Vendimi e lë Beqajn në një pozitë të veçuar ligjërisht, por edhe politikisht, duke e izoluar nga të pandehurit e tjerë në këtë çështje që ka tronditur opinionin publik për mënyrën si është menaxhuar një koncesion prej miliona eurosh në sektorin shëndetësor.
Beqaj përballë SPAK-ut
Vendimi i gjykatës vjen pas një seance të tensionuar, ku u dëshmua një përplasje e drejtpërdrejtë mes Ilir Beqajt dhe prokurorit të SPAK, Edvin Kondili. Ish-ministri e akuzoi SPAK-un për paqartësi dhe shkelje procedurash, duke ngritur akuza për mungesë të një vendimi të vlefshëm dhe dokumentacion të paplotë.
Çështja e Sterilizimit
Dosja “Sterilizimi” është një nga hetimet më të bujshme të viteve të fundit, që hedh dritë mbi dyshime për abuzim me koncesionin e pajisjeve të sterilizimit në spitale publike, një marrëveshje e cila ka shkaktuar kosto të larta për buxhetin e shtetit. Ish-ministri Beqaj është një nga figurat kyçe në këtë dosje, i akuzuar për shpërdorim detyre, një akuzë që mund të shndërrohet në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” – një zhvillim që vetë ai e kundërshton me forcë, duke pretenduar se nuk është njoftuar kurrë për një ndryshim të tillë.
Çfarë do të thotë gjykim i shkurtuar vs i zakonshëm?
Procedura e shkurtuar është një përfitim ligjor për të pandehurit që pranojnë akuzat pa një gjykim të plotë, duke sjellë si shpërblim ulje të dënimit. Beqaj, në vend që të kërkonte këtë rrugë, duket se po e ndjek një strategji mbrojtjeje agresive, duke i shpallur luftë prokurorisë për çdo pikë të procesit. Seanca e radhës në GJKKO mbahet më 11 qershor. Versus.al
Përplasjet në sallë, Beqaj irritohet me Prokurorin e SPAK: S’ka akuzë, s’ka vendim, s’ka as dokument! Po luani me jetët tona

Në seancë vijon përplasja mes ish ministrit Ilir Beqaj me Prokurorin e SPAK-ut, Edvin Kondilli, të cilin e ka akuzuar për mungesë transparence, dokumente të pavlefshme dhe një proces pa themel ligjor. Përplasja u ndez mbi bazën e ndryshimit të akuzës dhe ndarjes së çështjes, një zhvillim që sipas mbrojtjes është kryer në mënyrë të paqartë dhe joligjore.
Përplasja u ndez mbi bazën e ndryshimit të akuzës dhe ndarjes së çështjes, një zhvillim që sipas mbrojtjes është kryer në mënyrë të paqartë dhe joligjore.
“Gjyqtari paraprak ka sugjeruar ndryshim akuze, ne fillimisht s’e pranuam, por për të shmangur kthimin e dosjes për plotësim hetimesh, vendosëm ta ndryshojmë. I pandehuri është njoftuar, dhe nuk shohim ndonjë ngërç procedurial,” – tha Kondili.
Ai theksoi se gjithçka është pasqyruar në vendimin e gjyqtares paraprake, dhe se nuk është trajtuar askush si "sekondë", por janë ndjekur rregullat dhe situatat ligjore të momentit.
Avokati Ermal Yzeiraj hodhi poshtë pretendimin se procesverbali i seancës mund të shërbejë si bazë për akuzë. Ai theksoi se prokuroria nuk ka kryer detyrën e saj bazë: të përpilojë një akuzë të saktë me shkrim.
“Nëse na qenka procesverbali, kujtojmë se vetëm gjykata e harton atë. Prokurori ka për detyrë të bëjë aktakuzën. Kemi nevojë ta dimë tani se çfarë qëndrimi të mbajmë. As për ndarjen e çështjes nuk kemi dhënë dakordësinë,” – u shpreh ai.
I revoltuar, Ilir Beqaj iu drejtua prokurorit në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i kërkuar që të lexojë faqen e parë të vendimit të gjyqtares paraprake, ku sipas tij thuhet qartë se SPAK e ka çuar për gjykim për vjedhje duke shpërdoruar detyrën – një akuzë që nuk përputhet me asnjë nga dokumentet zyrtare që i janë dorëzuar.
“Lexoje faqen e parë, prokuror. ‘Prokuroria e Posaçme… Ilir Beqaj i akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën’. Ky vendim nuk ekziston për mua. S’më është dorëzuar kurrë. Kërkova këtë kërkesë, ku është? Vendimi është nul, nuk ekziston, nuk ka dokument, nuk ka procedurë!” – tha Beqaj.
Gjykata e Posaçme është tërhequr në Dhomë Këshillimi për vendimin lidhur me kërkesat për formën e gjykimit. Vetëm Ilir Beqaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm ndërsa të pandehurit e tjerë kanë kërkuar gjykim të shkurtuar
Sterilizimi/ "Shpërthen" Beqaj: Vendimin që e kam kërkuar 5 herë, SPAK s’ma jep! Jemi kthyer në autoshkollë për prokurorët

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka folur në seancë, duke denoncuar se është ende në pritje të një vendimi të mëparshëm të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, që sipas tij konfirmon pafajësinë e tij mbi të njëjtat çështje për të cilat po hetohet sot. Sipas Beqajt, ky vendim ekziston në arkiv dhe është dorëzuar më herët në Kuvend përmes një Komisioni Hetimor parlamentar, por SPAK ka refuzuar t’ia dorëzojë, ndonëse ai e ka kërkuar plot pesë herë.
“Kam siguruar vetë në Kuvend vendimin që e kishte Komisioni Hetimor. Ai vendim thotë pafajësi sipas parimit të gjësë së gjykuar. Pse nuk ma japin?!” – shprehet Beqaj.
Nga deklaratat e tij në seancë, duket se procesi penal ndaj tij po zhvillohet në kushte kaotike dhe paqartësi të rënda në formulimin e akuzës, gjë që e bën sipas tij të pamundur një mbrojtje të drejtë.
Avokati i tij, Ermal Yzeiraj, ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin e prokurorisë, duke thënë se vetë gjyqtari paraprak ka cituar nenin 334 të Kodit Penal, i cili lidhet me armëmbajtjen pa leje, një vepër që s’ka asnjë lidhje me rastin.
“Këtë saktësim duhet ta kishte bërë prokuroria. Deri më sot akuza nuk është saktësuar. Me shkrim kemi ‘shpërdorim detyre’, me vendim kemi ‘vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’. Ne si mbrojtje jemi totalisht të paqartë,” – tha Yzeiraj.
Beqaj vetë shprehet se akuza fillestare ishte për shpërdorim detyre, por në vendime shfaqen terma si vjedhje, mashtrim dhe grup i strukturuar, pa ndonjë sqarim zyrtar.
“Pika e parë deri në fund flet për shpërdorim detyre. Fjala ‘vjedhje’ nuk është në asnjë vend. Nuk ka as shifër, vetëm fjalë të hedhura si ‘mashtrim’. Prokurori s’e ka thënë kurrë këtë në seancë – vetëm ‘pranoj’. Ku është saktësimi i akuzës? Ku janë provat që thoni se i qëndroni?” – tha Beqaj.
Në përfundim të fjalës së tij, Beqaj lëshoi një mesazh të fortë:
“Jeta jonë është sekonda, prokuror! Jemi kthyer në autoshkollë me këtë proces. Është e pamundur të bësh një mbrojtje efektive kur s’ka akuzë të qartë. Në këtë rast, s’kemi proces, kemi farsë.”- thotë Beqaj
Ky reagim i radhës nga Beqaj vjen ndërsa ai ndodhet në qeli, i hetuar për abuzime me fondet publike përmes programit të sterilizimit në sistemin shëndetësor. Ai reagoi edhe një javë më parë duke kërkuar pafajësinë. Ish-ministri ka qenë më herët në arrest shtëpie, ndërsa tashmë ndodhet në masë më të rëndë sigurie. Versus.al







