Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një ditë pasi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj nuk shpalli vakancën e mandatit të saj duke argumentuar se përfundon në fund të 2025-ës dhe jo në mars siç është përcaktuar, sot Gjykata e Lartë ka nisur procedurat për zëvendësimin e saj. Afati për aplikimet është 30 ditë që nga sot. *Nga ana tjetër, Holta Zaçaj e cila si përfaqësuese e Gjykatës së Lartë, e mori mandatin në Kushtetuese në janar të vitit 2023, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë opinion lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese. *Mes 4 pyetjeve më të rëndësishme që Zaçaj shtron drejt institucionit, është edhe ajo sesa duhet të zgjasë mandati i saj në Kushtetuese në kushtet kur nisi me vonesë pas për rreth 6 vite institucioni qëndroi i paplotësuar. *Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë interpretues i Kushtetutës së vendit dhe përbëhet nga 9 anëtarë. Tre zgjidhen nga Kuvendi, 3 nga presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Institucioni ka në dorë disa çështje mjaft të rëndësishme sa i takon sundimit të ligjit në Shqipëri.
Sa zgjat një mandat i nisur me vonesë? Publikohen 4 pyetjet e kryetares së Kushtetueses drejtuar Venecias
Ditën e djeshme, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj njoftoi se do t’i drejtohej Komisionit të Venecias për opinion lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të saj si anëtare e institucionit që drejton.
Pavarësisht se pritej që Zaçaj të njoftonte vakancën për mandatin e saj që përfundon në mars të 2025-ës, ajo pretendon se afati është deri në përfundimin e vitit të ardhshëm dhe për këtë gjë i ka drejtuar komisionit të Venecias 4 pyetje.
“Kam konsideruar t'i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës. Për sa më sipër, vlerësoj të parashtroj pyetjet si më poshtë vijon:
Pyetja nr. 1/ Cila do të jetë data e mbarimit të mandatit të atyre gjyqtarëve kushtetues për të cilët dispozitat kalimtare kushtetuese, neni 179, pika 3. i Kushtetutës, ka përcaktuar vetëm vitin e fundit të qëndrimit në detyrë (në rastin e znj. Holta Zaçaj viti 2025 dhe në rastin e z. Sandër Beci viti 2028)?
Pyetja nr. 2/ A mund të përdoret data e mbarimit të mandatit të plotë të gjyqtarit paraardhës si datë për llogaritjen e mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues, në skenarët e mëposhtëm: Në përgjithësi, për të gjithë gjyqtarët kushtetues, duke pasur parasysh përmbajtjen Kushtetutës? nenit 125, pika 3, dhe nenit 129. Në veçanti, për gjyqtarët mandatët e të cilëve mbarojnë në vite të përcaktuara, sipas nenit 179, pika 3, të Kushtetutës (2025 dhe 2028)?
Pyetja nr. 3/ Nëse një gjyqtar është zgjedhur për një mandat të plotë në referencë të shpalljes së vakancës dhe vendimit të organit të emërtesës për emërimin/zgjedhjen e tij, a mundet që ky mandat të kufizohet më pas për qëllim të respektimit të rregullit të përtëritjes së rregullt çdo tre vjet me një të tretën e trupës? Cili parim duhet të prevalojë në këto raste, ai i qëndrimit në detyrë për 9 vjet (mandati i plotë kushtetues) apo ai i përtëritjes së Gjykatës?
Pyetja nr. 4/ Nëse një gjyqtar emërohet/zgjidhet për një mandat të plotë me vonesë pas çeljes së vakancës (ndërkohë që gjyqtari paraardhës ka të drejtë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit) a do të ndikojë kjo vonesë në kohëzgjatjen e mandatit të tij kushtetues në kuptimin e shkurtimit të tij më kohën e vonesës nga shpallja e vakancës? Nëse ky mandat nuk shkurtohet, si zbatohet rregulli i rotacionit në një rast të tillë? A mund të zbatohet rregulli i përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet për më pak se tre gjyqtarë?”, thuhet në dokumentin e dërguar në Venecia.
Zaçaj e mori mandatin në janar të vitit 2023 pasi Gjykata Kushtetuese kishte mbetur e paplotësuar që prej vitit 2017. Në këto kushte, Zaçaj ka ngritur pikëpyetje lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të saj në kushtet kur nuk e ka ushtruar atë të plotë për shkak të ngërçeve në zgjedhjen e anëtarit nga Gjykata e Lartë. Në Gjykatën Kushtetuese presin për verdikt një sërë çështjesh “të nxehta” siç është ajo e ankimimit të grupeve kriminale kundrejt përgjimeve të “Sky Ecc” duke kërkuar që këto të fundit të mos përdoren si prova në gjykata kundër tyre. Versus.al
Holta Zaçaj nuk largohet nga Kushtetuesja, Gjykata e Lartë nis procedurat e zëvendësimit
Gjykata e Lartë ka nisur sot procedurat e zëvendësimit për Holta Zaçajn në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se mandati i saj përfundon në mars të vitit të ardhshëm.
Duke qenë se gjykata e Lartë ka të drejtën e përzgjedhjes të tre anëtarëve, institucioni ka shpallur vakancën për mandatin e Zaçajt e cila e nisi punën në janar të vitit 2023 pasi vendi kishte mbetur vakant që prej 2017-ës. Afati për aplikimin në vendin vakant është 30 ditë nga hapja e procedurave.
Mandati i Zaçajt si anëtare e Gjykatës Kushtetuese përfundon më 10 mars të vitit të ardhshëm dhe ditën e djeshme, vetë ajo duhej të shpallte vakancën e vendit në institucionin që drejton. Por Zaçaj vendosi t’i drejtohej Komisionit të Venecias për opinion, duke argumentuar se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Versus.al








