Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mëngjesin e sotëm u mbajtën homazhe në nder të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare i cili u nda nga jeta 2 ditë më parë në moshën 88 vjeçare. *Ceremonia shtetërore e organizuar u mbajt në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. *Artistë, shkrimtarë, politikanë e gazetarë u mblodhën për t’I dhënë lamtumirën e fundit kolosit të madh të letrave shqipe i cili do të prehet në atdheun e tij. *Dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova kanë sot ditë zie kombëtare në nder të shkrimtarit, librat e të cilit u përkthyen në 45 gjuhë të botës. * Është përcjellë për në banesën e fundit me duartrokitje dhe lule nga qindra qytetarë, arkëmoti i gjeniut të letrave të gjuhës shqipe, Ismail Kadaresë. Trupi i tij do të prehet në Tufinë dhe në orën 13:00 do të ndërpritet çdo veprimtari në nder të Ismail Kadaresë. * Vajza e tij Gresa Kadare është shprehur në fjalën e saj në varreza se babai i saj ishte i veçantë në të gjitha gjërat dhe se i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. * Kreu i Urgjencës Kombëtare , Skendër Brataj ka përgënjeshtuar deklaratat e botuesit të shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare në një deklaratë para gazetarëve duke u shprehur se ambulanca që shoqëroi Kadarenë për në spital i kishte të gjitha kushtet
'Nuk kishte asnjë mjet bazik', kreu i Urgjencës përgënjeshtron deklaratat e botuesit të Kadaresë: Mbase s’ke pasur syzet, u ndoq çdo protokoll

Kreu i Urgjencës Kombëtare , Skendër Brataj ka përgënjeshtuar deklaratat e botuesit të shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare, Bujar Hudhrit i cili në një deklaratë para gazetarëve u shprehur se ambulanca që shoqëroi Kadarenë për në spital nuk kishte asnjë mjet bazik.
Brataj hedh poshtë akuzat e Bujar Hudhrit duke thënë se ambulanca që mori Kadarenë kishte të gjitha kushtet e nevojshme, dhe se ndihma mjekësore shkrimtarit i është dhënë sipas protokollit.
''Sa herë ka qenë e nevojshme kemi qenë prezent. Kam pasur një raport të tillë që për çdo isha prezent, nga interesimi që unë bëra, ka shkuar ekipi që ndodhej te qendra shëndetësore nr.8 që është pas shtëpisë. E ka gjet në kushte arresti, nga shtëpia në spital ka marrë 3 ampula të adrenalinës sipas protokollit, ventilimi dhe është dërguar një ekip i dytë në vendngjarje. Ekipi i parë është shoqëruar drejt QSUT ka nisur trajtimi sipas protokollit të arrestit kardiak deri në një kohë që kanë vlerësuar që zemra nuk dha asnjë shenjë për tu kthyer në jetë. Përgënjeshtroj çdo deklaratë, besoj është dëshmitar edhe vetë familja Kadare që kanë falënderuar shërbimin e urgjencës herë pas herë dhe në veçanti atë ditë që ndodhi fatkeqësia. Me shenja jeta nuk bëhet reanimacioni kardiopulmonar.
E kemi ndjekur gjendjen e tij, kam qenë i përditësuar, ka pas ekip mjekësh që bënin vizita të rregullta sa herë shfaqej shqetësimi më i vogël. Hudhri vetëm të mos ketë pasur syze, se defilibratori ishte i montuar dhe ekipi mjekësor që bënte masazhin kardiak edhe gjatë transportit drejt spitalit. Hudhri ka ardhur më vonë pasi e ka gjetur ekipin në vendngjarje. Është zbatuar protokolli për të shpëtuar jetën e zotit Kadare.
Ambulanca ka aspiratorin, çantën me medikamente dhe sete të tjera që përdoron sa herë është e nevojshme, dy bombola oksigjeni 10 litroshe, dy bombola 2 litroshe që merret në rast urgjence që në banesë, ka një barelë, karrocë me rrota.' u shpreh Brataj para gazetarëve.
Lamtumira e fundit për Ismail Kadarenë, vajza e shkrimtarit: Ishte i veçantë. I bindej vetëm ligjeve të letërsisë

Gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadaresë i është dhënë lamtumira e fundit nga familjarët e tij në varrezat e Tufinës ku do të prehet trupi i tij.
Vajza e tij Gresa Kadare është shprehur në fjalën e saj në varreza se babai i saj ishte i veçantë në të gjitha gjërat dhe se i bindej vetëm ligjeve të letërsisë.
“Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia qysh fëmijë. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera. I bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia. E plotë e plotë të tjera, por nuk më kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rresht të goditur. Këtë filozofi e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”, u shpreh vajza e Ismail Kadaresë.
Të pranishëm në ceremoninë mortore ishin dhe mbesat e nipërit e Kadaresë, të cilët u panë të përlotur krah njëri-tjetrit.
FOTO/ Lamtumira për Kadarenë bën bashkë politikanët shqiptarë, nga Kurti te Ali Ahmeti, të pranishmit në ceremoni
Personalitete vendase dhe të huaja u mblodhën sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për t’i dhënë lamtumirën kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë. Shumë shkrimtarë, politikanë, akademikë, gazetarë, diplomatë vendas dhe të huaj nderuan të madhin Kadare duke mbajtur homazhe para arkëmortit të vendosur në hyrje të TKOB.
Përveç krerëve të lartë të shtetit shqiptar, presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët ishin të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës për Kadarenë, ishin edhe politikanët shqiptarë nga Kosovë dhe Maqedonia e Veriut, ndër ta, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga Shkupi, Ali Ahmeti.
Të gjithë u përulën me nderim para arkëmortit të vendosur në hyrje të TKOB nën intstalacionit të shenjtores “Nënë Tereza”.
I vetmi që mbajti fjalim ishte kryeministri Edi Rama, duke respektuar kështu siç tha ai një dëshirë të Helena Kadaresë, bashkëshortes së shkrimtarit të madh.
Të pranishëm në homazhet e lamtumirës ishin edhe politikanë të opozitës, kryetari i PL, Ilir Meta së bashku me zyrtarë të Partisë së Lirisë si dhe deputeti demokrat Lulzim Basha të cilët jashtë sallës mbajtën edhe një fjalim ku lavdëruan mjeshtërinë e Kadaresë dhe piedestalin në të cilin ai e kishte ngritur letërsinë shqipe në ajkën e arenës botërore.
Po ashtu, për mediat shkrimtarë, botues e analistë folën për trashëgiminë e Kadaresë duke thënë se ai i siguroi vetes pavdekshmërinë me veprat e shkruara për lexuesit shqiptarë dhe të huaj nga e gjithë bota. Versus.al






FOTO/ Përcillet me duartrokitje dhe lule për në banesën e fundit trupi i Ismail Kadaresë
Është përcjellur për në banesën e fundit me duatroktije dhe lule nga qindra qytetarë, arkëmoti i gjeniut të letrave të gjuhës shqipe, Ismail Kadaresë.
Trupi i tij do të prehet në Tufinë dhe në orën 13:00 do të ndërpritet çdo veprimtari në nder të Ismail Kadaresë.
Ashtu siç ishte përcaktuar, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajtën homazhet publike për Kadarenë dhe një ceremoni shtetërore, ndërsa më pas nisi kortezhi për përcjelljen në varreza. Mes familjarëve, dashamirësve të artit të tij, ka pasur dhe figura të rëndësishme të politikës. Mes shumë figurave ishte presidneti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra dhe deputetë, Lulzim Basha, por dhe shumë personazhe të tjera të artit dhe kulturës.
“I the të gjitha Ismail”, Rama mban fjalimin e lamtumirës për Kadarenë: Përcollëm shqiptarin që i takon botës
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në homazhet për shkrimtarin e madh Ismail Kadare ku mbajti edhe fjalimin e vetëm, duke thënë se kështu kishte kërkuar Helene Kadare, bashkëshortja e gjeniut të letrave shqipe.
Ai e nisi fjalimin e tij duke shpjeguar vendosjen e instalacionit të shenjtores Nënë Tereza pranë arkëmortit të Ismail Kadaresë dhe tregoi se diçka e tillë nuk kishte qenë e planifikuar por megjithatë e pa si detajin e shkëlqyer për një ngjarje të tillë ku përcillet siç e cilësoi ai “shqiptari që i takon botës”.
“Me kishte ardhur më parë, njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizej dot prej aty. Më erdhi bashkë me foton e kësaj skene që po montohej për një shfaqje sonte në darkë. Lëreni aty u thashë nuk ka më mirë. Askujt nuk i shkonte mendja, çka rastësia e solli këtu, enkas për Ismailin. Dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës asesi tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes së shqiptarit që i takon botës”- tha Rama.
Teksa foli për përgatitjet ceremoniale për funeralin e Kadaresë, Rama përmendi edhe një pyetje që ia kishte bërë shpesh shkrimtarit për arsyen pse kishte zgjedhur të mos shkruante më.
“I dashur Ismail nuk ta tregoj dot se ç’më panë sytë e çmë tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Por të falenderoj se me këtë novelë të pashkruar më dhe përgjigjien që nuk ta mora dot sa ishte gjallë kur më thoje nuk shkruaj më dhe kur të pyesja “pse jo”, më thoje se i kam thënë të tëra. Sot jam i bindur se i tha të tëra ç’kishte për të thënë dhe jam i bindur se ky vend nuk do reshtë së përsërituri gjithçka Ismail Kadare tha për të”- shtoi kryeministri. Versus.al
VIDEO+FOTO/ Lamtumira e fundit për Ismail Kadarenë, mbahen homazhe në ambientet e TKOB
Sot përcillet për në banesën e fundit kolosi i leterësisë shqipe Ismail Kadaresë. Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit po mbahen homazhe në nderim të tij.
Politikanë, gazetarë, artisë e akademikë u mblodhën për t'i dhënë lamtumirën e fundit, kolosit të letrave shqipe. Ndërsa disa prej të pranishmëve, folën edhe për mediat, ku vlerësuan kontritubin e lartë të Ismail Kadaresë në ngritjen e letërsisë shqiptare në majat botërore.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qenë i pranishëm në hollin e TKOB ku foli për atë që Kadare i dha letërsisë shqipe duke e ngritur në majën e letërsisë botërore. Ai tha se Kadare e ka siguruar pavdekësinë e tij pasi veprat e tij do të jetojnë përgjithmonë në ndërgjegjien e kombit.
“Me punën e tij dhe letërsinë e tij, e ngriti Shqipërinë në majën e letërsisë botërore pikërisht atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificat e tij i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Gjeni si ai e kanë të siguruar pavdekshmërinë sepse jetojnë gjithmonë në ndërgjegjien e kombit”- tha Meta.
Po ashtu edhe deputeti demokrat Lulzim Basha ishte i pranishëm në homazhet e mbajtura në nder të Kadaresë, ku u shpreh se për të kuptuar më mirë se çfarë ka bërë ai për letërsinë shqipe, duhet që secili qytetar të lexojë të paktën një prej librave të Kadaresë të cilët janë përkthyer në 45 gjuhë të botës.
Homazhet nisën në orën 09:00 dhe në orën 11:30 pritet të mbahet ceremonia shtetërore e lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 do të nis kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës. Arkëmorti shoqërohej nga truproja e Gardës së Republikës së bashku me vajzat e Kadaresë.
Që prej ditës së djeshme duke vazhduar edhe sot, flamuri i Shqipërisë valëvitet në gjysmështizë pas shpalljes së dy ditëve zi kombëtare për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe.
3 korriku është ditë zie edhe në Kosovë, me vendim të presidentes Vjosa Osmani e cila e kishte dekoruar Kadarenë me urdhrin "Hasan Prishtina".
Bashkëshortja e shkrimtarit të ndjerë, Helena Kadare, ka qenë e rënduar dhe nuk ka pranuar që të japë prononcime për mediat.
Në homazhet në nderim të Kadaresë, i cili është vlerësuar me dhjetëra çmime prestigjioze dhe disa herë kandidat për çmimin Nobel në Letërsi kanë marrë pjesë krerët e shtetit, artistë, diplomatë, qytetarë dhe personalitete të gjithë fushave.
Mbi arkëmortin me trupin e pajetë të Ismail Kadaresë, u vendos një instalacion i madh me figurën e shenjtores shqiptare Nënë Tereza.
Po ashtu, në hyrje të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u vendos një vitrinë me libra të të ndjerit Kadare të përkthyer në 45 gjuhë të botës./ Versus.al
Sot Shqipëria dhe Kosova në zi për kolosin e letrave shqipe! Mbahen homazhe në nder të Ismail Kadaresë

Sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të mbahet ceremonia shtetërore për homazhet në nder të shkrimtarit të madh Ismail Kadare i cili ndërroi jetë mëngjesin e datës 1 korrik në moshën 88 vjeçare pas një arresti kardiak.
Të pranishëm pritet të jenë zyrtarë të lartë politike, akademikë, artistë shqiptarë por jo vetëm.
Që prej ditës së djeshme duke vazhduar edhe sot, flamuri i Shqipërisë valëvitet në gjysmështizë pas shpalljes së dy ditëve zi kombëtare për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe.
3 korriku është ditë zie edhe në Kosovë, me vendim të presidentes Vjosa Osmani e cila e kishte dekoruar Kadarenë me urdhrin "Hasan Prishtina".
Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh, bëri jehonë eshe në mediat ndërkombëtare pasi Kadare ishte i njohur botërisht për shkak të shkrimeve të tij shumë të suksesshme që u përkthyen në 45 gjuhë të ndryshme.
Ditën e djeshme, një reagim zyrtar erdhi eshe nga presidenti Emanuel Macron i cili në tetor të vitit të kaluar e dekoroi Ismail Kadarenë me legjionin e nderit të Francës. Ai e cilësoi shkrimtarin shqiptar si "frymëzim për shpirtin evropian". Versus.al







