Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Salari të Tepelenës rreth orës 00:30 pas mesnatës së mbrëmshme. Biznesmeni italian, Edoardo Sarchi, 44 vjeç, është ekzekutuar me breshëri plumbash teksa udhëtonte në makinë me 4 persona të tjerë. *Dëshmitarët, mes tyre drejtuesi i mjetit ka thënë se një person u kishte prerë rrugën dhe kishte hapur zjarr drejt italianit duke e lënë të vdekur në vend. *Mësohet se viktima prej 20 vitesh jetonte në Tiranë ku kishte në pronësi fabrikën e tullave ‘Edil Centro’. Sipas informacioneve, në Tepelenë kishte shkuar për gjah. *Policia shoqëroi në komisariat 5 persona, ndërsa në kërkim është shpallur autori i dyshuar Gazmend Braçe i cili ka precedentë të mëparshëm penalë.
Ekskluzive / Ja lidhja e italianit të vrarë me autorin e dyshuar, kush është gruaja mes tyre...
Edoardo Sarchi dhe Gazmend Braçi njiheshin dhe mirë krejt biles. Versus.al më son nga burime konfidenciale se njohja mes tyre është e hershme, por e “vulosur”dhe në një kompani. “Salaria Gazi” e themeluar në vitin 2020 nga Gazmend Braçi dhe Majlinda Taga.
Kjo e fundit rezulton të jetë shpallur që nga nentori I vitit 2023 edhe si financiere dhe përfaqësuese e kompanisë “Tegola edilcentro” për të nënshkruar kontrata e kryer veprime në emër të kompanisë me banka të nivelit të dytë.
Por kush është Majlinda Taga, “fija” që lidh dy kompanitë?
Versus.al ka mësuar se ajo është as më shumë e as më pak se gruaja e Edoaedo Sarchit, nëna e dy fëmijëve të tij të mitur. Taga, mësohet se gëzon dhe nënshtetësinë italiane për shkak të martesës me viktimën e sotme në Salari, ku i dyshuar për krimin është ortaku i saj në biznes, në kompaninë ‘Salaria Gazi’, Gazmend Braçi.
Historia e këtij krimi ka endë pika mjaft të errëta dhe për grupin hetimor ka jo pak punë për të zbardhur të vërtetën e orëve të fundit të italianit Edoardo Sarchi dhe motiveve të vrasjes së tij. Nuk ka ende informacion zyrtar nëse palët në biznes, gruaja e vitkimës, ka patur apo jo mosmarrëveshje financiare me Gazmend Bracin, për të cilin kryedemokrati Berisha deklaroi se është nipi i ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruci.
Ekskluzive / Foto, ja kush është italiani që u vra sot në Salari, lidhja me pronarët e fabrikës
Ky është Edoardo Sarchi, viktima e atentatit të sotëm të ndodhur në Tepelenë. Versus ka arritur të sigurojë ekskluzivisht foton e viktimës si dhe të hedhë dritë mbi jetën e të kaluarën e tij si dhe lidhjet me familjen Braci.
Edoardo Sarchi, ndryshe nga sa është thënë gjatë orëve të fundit, nuk ka qenë sipërmarrës, por vetëm administrator në kompaninë e kushërinjve të tij të parë për të cilët ka punuar si i punësuar gati 20 vitet e fundit. Sarchi arriti të marrë detyrën e adminsitratorit ne 2023, në një kohë, kur në kompaninë italiane “Tegola Edilcentro” pati disa mosmarreveshje mes aksionereve, të cilët rezultojnë të jenë djemtë e tezes së viktimës së ndjerë.
Sarchi, i cili ishte zhvendosur lehtësisht për të punuar në Shqipëri rreth 20 vite më parë, ka punuar pothuajse gjithmonë në këtë fabrikë, ndërkohë që jetonte në Laprakë me gruan dhe dy djemtë e mitur.
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, Berisha nxjerr videon: Autori, nip i Gramoz Ruçit dhe mik me Tërmet Peçin
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar në rrjetin e tij social lidhur me ngjarjen e ndodhur në Tepelenë pas mesnatës së mbrëmshme ku u vra me armë zjarri biznesmeni italian Edoardo Sarchi.
Berisha shkruan se në videon e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në Tepelenë, ka qenë i pranishëm edhe autori i shpallur në kërkim Gazmend Braçi. Duke e rrethuar me të kuqe Braçin gjatë takimit ku është i pranishëm edhe Rama, Berisha thotë se autori është nipi i ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe njëherësh mik i Tërmet Peçit, ish-kryebashkiakut të Tepelenës.
Postimi i Berishës:
Rendi në duart e kriminelëve të pushtetit.
Vritet biznesmeni italian Edoardo Sarchi që jetonte prej 20 vitesh në Shqipëri
Vrasësi është Gazmend Braçe, nipi i Gramoz Ruçit dhe miku i Tërmet Peçit
Shpreh ngushellimet e mia më të ndjera familjes Sarchi dhe dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal të vrasësve të lidhur me pushtetin, që përbën njëherazi një goditje të rëndë per biznesin e huaj në Shqipëri.
Ju ftoj të lexoni mesazhin dhe ndiqni videon e qytetarit dixhital.
Doktor përshëndetje. Vrasësi i italianit është nipi i Gramoz Ruçit dhe i biri i Qerem Braçes që mbart rekorde kriminale nga më të frikshet, nga vjedhjet, grabitjet dhe deri tek plagosjet me armë dhe tanimë vrasjen e qytetarit italian. Në këtë video duket qartë që është njohje e afërt e Edi Ramës dhe mbështetës i flaktë i PS në Tepelenë. Ky delinkuent është ai që qëlloi me grusht policin në mes të Fierit dhe që e liruan menjëherë edhe pse ishte në arrest shtëpie.
Këtë kriminel ju e keni pas denoncuar edhe vite më parë
Shikojeni vrasësin mbas zonjës me fustan jeshil, dhe shikojeni edhe "komandant Ramën" se si në sekondën e 40 dhe të 56 të videos sesi e përshëndet me kokë. Më qartë se kaq ska ku të vejë më lidhja e Ramës me kriminelët. Versus.al
Vr*sja e biznesmenit italian të “Edil Centro”, 44 vjeçari kishte shkuar në Tepelenë për gjah, u zu në pritë

Detaje të reja janë mësuar nga ekzekutimi me armë zjarri i biznesmenit italian Edoardo Sarchi rreth orës 00:30 në fshatin Salari në Tepelenës.
Mësohet se 3 persona janë shoqëruar nga policia, ndërsa në kërkim është shpallur autori i dyshuar i vrasjes, i identifikuar me inicialet Gazmend Braçi.
Biznesmeni italian i cili kishte në pronësi fabrikën e tullave në Tiranë ‘Edil Centro’ ndodhej në Tepelenë për gjah. Ai ka qenë duke udhëtuar me persona të tjerë dhe ka qenë pasagjerë në makinën ndaj së cilës autori hapi zjarr me breshëri automatiku.
Pas sulmit vdekjeprurës për italianin, drejtuesi i mjetit ka vijuar rrugën me shpejtësi për t’u larguar nga vendngjarja. Ndërsa nuk raportohet për persona të plagosur të cilët ishin në makinë me italianin. Versus.al
Tronditet Tepelena, italiani ekzek*tohet me breshëri pl*mbash! Viktima, pronar i një fabrike tullash në Tiranë
Gjirokastër- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës së mbrëmshme në fshatin Salari të Tepelenës ku një 44 vjeçar italian i identifikuar si Edoardo Sarchi është ekzekutuar me breshëri plumbash automatiku.
Mësohet se italiani ka qenë i shoqëruar nga disa persona të tjerë dhe po udhëtonin me automjet. Në këtë moment autori ka dalë para makinës së tyre dhe ka hapur zjarr pa paralajmërim.
Detajet paraprake nga vendngjarja, bëjnë me dije se mjeti kishte ndaluar për shkak se autori u kishte nxjerrë dorën në shenjë ndalimi. Në atë moment, ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka lënë të vdekur italianin 44 vjeçar. Ky i fundit rezulton të ketë banuar në Tiranë ku kishte edhe një fabrikë tullash në pronësi.
Sipas informacioneve, biznesmeni kishte udhëtuar në Tepelenë për gjah dhe me të kanë qenë edhe persona të tjerë. Policia po punon për kapjen e autorit, ndërsa janë shoqëruar në komisariat 3 persona. Versus.al







