Çfarë do të gjeni në brendësi
Protesta për Martinin/ Aktori Florjan Binaj ka një thirrje për moderatorët e emisioneve: Boll më
Aktori Florjan Binaj i është bashkuar protestës së sotme për vrasjen e Martin Canit, ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliun.
Gjatë fjalës së tij, Binaj ka pasur një thirrje të veçantë, këtë herë për drejtuesit e disa prej emisioneve më të ndjekura në vend.
Aktori i ka kërkuar Blendi Fevziut, Eni Vasilit, Grida Dumës që të ftojnë në stuio, prindër, nxënës dhe njerëz të tjerë, jo të njëjtët çdo natë.
“U bëj thirrje të gjithë këtyre drejtuesve të emisioneve, Blendi Fevziut, Eni Vasilit, Grida Dumës, të gjithë ata që bëjnë emisione natë për natë, ftoni prindër, ftoni nxënës, ftoni mësues.
Mjaft më me të njëjtat figura, analistë që ftohen natë pas nate. Nëse ju dhimbsen me të vërtetë, ftoni prindërit, mësuesit, nxënësit, sepse ata janë mosha më e lënë pas dore. Është normale që fëmijët të jenë të dhunuar, sepse ne u kemi dhënë vetëm TikTok-un, kjo është fatkeqësia më e madhe.
Duhet të bëhet një ligj, ndoshta të marrë edhe emrin e Martinit, dhe të frenohet kjo çmenduri kolektive, që të kemi sa më shumë shembuj për tu krenuar dhe jo heronj të heshtur për tu vajtuar”, tha Florjan Binaj gjatë fjalës së tij në protestë.
Dritëhije për vrasjen e Martin Canit, reagon e revoltuar deputetja: Pse është kaq i rëndësishëm Klajdi Begaj që Policia po e mbron?
Deputetja Mesila Doda ka reaguar e revoltuar lidhur me atë çfarë është duke ndodhur në vendin tonë sa i përket ngjarjes së rëndë të një jave më parë ku Martin Cani u vra barbarisht nga bashkëmoshtari i tij, Mario Përlleshi, ndërsa shoku i tij, Luis Meçja mbeti i plagosur.
Një deklaratë e bërë dy ditë më parë nga babai i këtij të fundit, ku me zë dhe figurë denoncoi dhe bëri publike faktin se në ngjarjen e 18 nëntorit, Mario Përlleshi nuk i sulmoi dy adoleshentët i vetëm, pasi me të ishte një tjetër i ri, Klajdi Begaj.
Kjo akuzë e të atit të Luisit solli dhe reagimin e Policisë së Shtetit të cilët hodhën poshtë deklaratën e tij si dhe të 14-vjeçarit i cili ndodhet ende në spitalin e Traumës duke marrë mjekim për plagët e shkaktuara mesditën e së hënës.
Lidhur me këtë ka ardhur dhe një reagim nga deputetja e cila përmes një postimi në “Facebook” ka ngritur pyetjen se pse Klajdi Begaj është kaq i rëndësishëm për autoritetet sa po hedhin poshtë dhe dëshminë e shokut të Martinit, Luisit.
“Prej dy ditesh ndjehem ne konfuzion te plote dhe ne nje zemerim te natyrshem. Babai i djalit te plagosur ne tragjedine e vrasjes se Martinit deklaron se kane qene edhe djem te tjere dhe me emer mbiemer denoncon Klajdi Begaj si pjestar e bashkeautor i vrasjes.
Policia e mohon kete fakt-deshmi i cili vjen drejtperdrejte nga viktima. A mundemi te kuptojme pse eshte kaq i rendesishem ky bashkeautor i krimit sa ka heshtur i madh e i vogel e mundohen ta bejne te paqene deshmine e viktimes i cili eshte nje mrekulli qe eshte ende ne jete???”, shkruan deputetja, ndërkohë më pas ajo thekson me të madhe që prindërit e Mario Përlleshit duhet të dalin me një reagim dhe një ndjesë publike.
“Dhe e fundit… nje ndjese publike a nje fjale ngushellime nga prinderit e vrasesit do ishte gjeja me njerezore ne keto momente… gjest i cili po mungon…
Mbetemi te presim e të shohim se deri ku arrin e keqja në shoqërinë tonë”, thekson ndër të tjera Mesila Doda.
Ndërkohë, jo më larg se një ditë më parë, mbrëmjen e së dielës Oficeri i Policisë Gjyqësore hodhi poshtë përgënjeshtrimin që Policia e Shtetit i bëri babait të Luisit. Përmes një raporti ata kanë bërë me dije se në ngjarjen e 18 nëntorit u përfshinë 5 adoleshentë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga “Revieë” në Euroneës Albania, u bë me dije se Marsel Sina, Luis Meçe dhe Martin Cani kanë qenë të përfshirë në një përplasje me Mario Lleshin dhe Klodion Begajn.
Protesta për Martinin/ Flet gjyshi: Nëse nuk vihet drejtësi, nuk më duhet jeta më. U dogjëm ne, të mos digjen të tjerë
Qindra qytetarë kanë dalë sot në protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga shoku i shkollës, bashkëmoshatar i tij.
Prezent në protestë është edhe gjyshi i 14-vjeçarit, i cili u shpreh se humbja e Martini është shumë e madhe, ndërsa bëri thirrje për drejtësi.
Ndër të tjera ai iu drejtua qytetarëve duke u thënë “U dogjëm ne, të mos digjen dhe të tjerët”.
Gjyshi i Martinit: Martini, për ata që e njohin, ka qenë një shembullor në shkollë. Ka qenë një shembullor në shoqëri, ka qenë një shembullor që merrej edhe me sport.
Gjithë Shqipëria, që ne u dogjëm, mos të digjen më të tjerë. Vetëm drejtësi, vetëm drejtësi, nuk duan që askush të përfitojë nga rasti, ta shfrytëzojë.
Nëse nuk do zgjidhet që ky problem, që Martini të shkojë në vendin e duhur, unë do e ndjek këtë problem si kur ra Martini për hir të demokracisë do bie edhe unë se s’ka çfarë me duhet më jeta.
Nuk dua kurrën e kurrës që të bej keq kujt. Kurrë nuk dua, as kurrë nuk i dëshiroj keq kurrë. Të vihet drejtësia në vend.
Tezja e Martinit: Vetëm drejtësi dua. Të vuhet drejtësia në vend
FOTO/ Babai i Martin Canit me lot në sy, i pranishëm në protestën për djalin e tij, tek ministrisë së Arsimit
I pranishëm sot në protestën e zhvilluar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani ka qenë i pranishëm edhe babai i djalit të vrarë.
Ai është duke marrë pjesë në protestë, teksa nuk ka preferuar që të flasë për mediet, por vetëm është mjaftuar duke qëndruar në shesh
Prindër, të rinj, shoqëria civile u mblodhën sot në protestën e dytë duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij.
Protestuesit janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në kangjellat e saj kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”.
Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu dhe plotësimin e kushteve për rritjen e sigurisë në shkolla.
Vrasja e Martinit/ Aktorja në protestë tek ministria e Arsimit: Më duket sikur po fshihet diçka, po ndodh diçka…
Në protestën që po zhvillohet këtë të Hënë te Ministria e Arsimit, ka folur edhe aktorja e aktivistja Eliona Pitarka. Me vajzën e saj në krah, ajo apelon për masa më të rrepta nga ana e institucioneve dhe transparencë për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë 14-vjeçari.
“Jam shumë e shqetësuar ditëve të fundit sa i përket transparencës së ngjarjes, pra dinamikës se si ka ndodhur ngjarja. Si prind, më shqetëson fakti që opinion publik ende nuk e ka të qartë sa persona kanë qenë të përfshirë, më duket sikur po fshihet diçka, po ndodh diçka…
Kjo gjë më frikëson për të ardhmen e fëmijëve, ndërkohë që fëmija i plagosur ka folur për një person tjetër të përfshirë. Do tregoja rastin e një 14 vjeçari në lagjen time, që thotë unë mund të bëj çfarë të dua se nuk më bëjnë gjë.
S’më kap policia, apo videoja e tmerrshme e një tjetër 15 vjeçari që thoshte se kur të vij në Shqipëri do ta bëj një gjë të tillë. Nuk kanë frikë, mendojnë se edhe sikur të vrasësh, të presësh nuk të ndodh asgjë. Për këtë apeloj fort, të merren masa të menjëhershme dhe të dalë e vërteta sheshit se çfarë ka ndodhur realisht.”
Sipas aktores, është e frikshme se si adoleshentët kanë reaguar pas këtij rasti, duke theksuar se qarkullojnë me thika nëpër shkolla.
“Organet duhet të marrin masa më të rënda, duhet të ketë kontrolle, duhen patrulla në çdo shkollë. E kanë kthyer në trend tani, janë frymëzuar! Është e tmerrshme për ta thënë, por adoleshentët vërtiten me thika nëpër shkolla. Kontrolli zero!”
“Policia të mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim”, motra e Egli Progës në protestën për Martinin: Pse nuk flet nëna e autorit?
Qindra qytetarë kanë dalë sot në protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga shoku i shkollës, bashkëmoshatar i tij, i mituri me Mario Përlleshi.
Të pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, qytetarët bëjnë thirrje për dorëheqjen e ministres pasi e bëjnë përgjegjëse për dështimin e sigurisë në shkollë, bashkë me hallka të tjera që nuk kanë funksionuar siç duhet.
Mes protestuesve pjesë ishte edhe motra Egli Pogës, i cili humbi jetën pak muaj më parë, pasi u dhunua nga Denis Meçe, ngjarje e ndodhur në qytetin e Pogradecit.
Në fjalën e saj ajo iu drejtua edhe nënës së autorit të vrasjes së Martinit, duke i thënë se duhet të dalë dhe të flasë.
“Ju tashmë më njihni, vazhdoj të jem motra e Egli Porgës. Erdha sot për Martinin, çfarë zemre duhet të ketë një nënë që as nuk mallkon e as nuk kërkon hakmarrje për kasapin e djalit të saj. A ka njeri në Shqipëri të ma thotë. Florina vetëm vajton e vajton dhe nuk kërkon asgjë, e as drejtësi. Ku është Vilma Përlleshi, nëna e vrasësit, përse nuk flet, pse nuk e përqafon Florinën që vetëm qan e qan dhe nuk fajëson askënd.
Ku do gjeni ju prindër më të paqtë se prindërit e Martinit që u iki drita e syve dhe s’kërkojnë asgjë vetëm të ikin nga sytë këmbët nga ky vend. Prindërit e Martinit duan të ikin jashtë Shqipërisë e të harrojnë këtë vend që është kthyer në vend krimi.
Edhe familja ime iku nga Pogradeci, erdhën në Tiranë se nuk mund të qëndrojnë në atë vend krimi. Edhe sa fëmijë të tjerë duhet të vriten me jataganë nëpër shkolla. Unë jam këtu për të bërë thirrje publike, për ata që kanë fëmijë, vëllezër motra, prindër që jetojnë të pasigurt në këtë vend, ngrihuni dhe mos lejoni më t’iu vriten të dashurit dhe të afërmit tuaj.
Të kërkojmë drejtësi hyjnore dhe jo juridike. Këto do ta fillojmë, sot do kërkojmë përgjegjësi morale për therjen e Martinit.
I bëj thirrje policisë, mos bëj të njëjtin marifet si me vëllain tim. Gjej jataganin dhe vrasësin tjetër e të mos justifikohet. Qeveri po të thërras, po rrit kriminelë, ke përgjegjësi për atë që vrau Martinin. I bëj thirrje popullit të na bashkohen, ti bashkohen dhimbjes sonë. Mos bëni sehir por ngrihuni dhe bashkojuni Florinës”, ishte fjala e mbajtur në protestë nga Jonida Proga.
Vrasja e Martinit, qytetarët mblidhen sërish në protestë, kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut
Një javë pas ngjarjes së rëndë ku u vra pranë shkollës Fan Noli 14-vjeçari Martin Cani, prindër, nxënës, përfaqësues të shoqërisë civile protestojnë sërish sot para ministrisë s ëArsimit ku kërkojnë dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Kërkesat kryesore janë dorëheqja e ministres Ogerta Manastirliut, siguria e fëmijëve në shkolla dhe zbardhja e plotë e ngjarjes. Kjo vjen pas deklaratave të fundit të nxënësit të plagosur Luis Meçe, i cili nga spitali ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, hodhi dyshime për persona të tjera të përfshirë në ngjarje.
“Do t’i kërkohet institucioneve arsimore dhe policisë zbardhja e ngjarjes, pasi mësohet një nga nxënësit e plagosur Luis Meçe ka rrëfyer në spitalin ushtarak se nuk ka qenë vetëm autori, por edhe persona të tjerë”.
Por policia ka mohuar përfshirjen e personave të tjerë në ngjarje. Policia e Shtetit thotë se ka të konfirmuar nëpërmjet dëshmive dhe pamjeve filmike e gjithë dinamika dhe deri më tani nuk ka person të tjetër që të jetë përgjegjës.
Ndërkohë deri më tani nuk ka pasur ansjë reagim nga Ministria e Arsimit, përveç reagimit në ditën e ngjarjes nga Kuvendi ku u përpoq të shmangte përgjegjësinë.
Të mërkurën kryeministri Edi Rama hodhi në diskutim publik masat që duhet të ndërmerren për të ndaluar dhunën e bullizimin në rrjete sociale, për të mbyllur TikTok apo Snapchat.








