Çfarë do të gjeni në brendësi
*Këshilli Bashkiak i Tiranës po zhvillon mbledhjen live për të diskutuar dhe votuar të vetmen pikë të rendit të ditës: shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. *Vetë Veliaj nuk është i pranishëm në mbledhje për të prezantuar argumentet e tij dhe për t’u dëgjuar nga këshilltarët, siç kishte kërkuar më parë. *Mbledhjen e hapi kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, e cila theksoi se vendimmarrja për shkarkimin e Veliajt është e imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut. *Tre këshilltarët socialistë, Gazment Paja, Aldo Merkoci dhe Joleza Koka, nuk janë të pranishëm në mbledhje. *Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot me votë unanime shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj. *Vendimi i Këshillit Bashkiak i shkon për shqyrtim Edi Ramës, pasi është Këshilli i Ministrave ai që do të vendosë për shkarkimin përfundimtar të Veliajt.
Këshilli Bashkiak shkarkon me shumicë votash Erion Veliajn
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot me votë unanime shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj.
Kërkesa, e paraqitur nga socialistët, ishte bazuar në mungesën e Veliajt për më shumë se tre muaj në detyrë.
Vetë kryebashkiaku, i burgosur dhe në pritje të gjykimit, ka argumentuar se mungesa e tij nuk ka qenë me vullnetin e tij.
Gjatë mbledhjes, ku morën fjalën përfaqësues të opozitës dhe këshilltarë socialistë, dhe ku mbikëqyreshin nga mediat, vendimi u miratua pa tensione të dukshme.
Tani, vendimi i Këshillit Bashkiak i shkon për shqyrtim Edi Ramës, pasi është Këshilli i Ministrave ai që do të vendosë për shkarkimin përfundimtar të Veliajt.
'Provoi sot shijen e gjellës që gatoi vetë'! Shkarkimi i Veliajt, Zhulali: Ka të fala nga familjet e 5 Majit që i tërhoqi zvarrë, e nga Ardit Gjoklaj

Këshilltarja e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, mori fjalën në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku po diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt.
Ajo akuzoi socialistët se nuk e lejuan kryetarin e Bashkisë të merrte pjesë në seancë.
Sipas Zhulalit, vendimi për shkarkimin e Veliajt është i paplotë, duke theksuar se ai duhej të ishte shkarkuar më herët për “shpërdorim detyre”. Fjalën e saj e ndërpreu kryetarja e Këshillit, Megi Fino, duke e konsideruar jashtë objektit të diskutimit.
“Zonja Kryetare, Erion Veliaj është gjallë, se duket sikur po e bëni si një ceremoni funebre.
Në fakt ai duhet të ishte këtu, sikurse ia lejon ligji, por duke qenë se ju ia mohuat, unë jam e kënaqur që sot ai mori shijen e gjellës që ka gatuar vetë për gjithë këto vite.
Dhe këtë gjellë që sot ia gatuat ju të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste, le ta provojë zoti Veliaj nga qelia ku është, dhe nëse na ndjek, e përshëndesim.
Vendimi që ju keni sjellë sot është një vendim i vonuar dhe gjithashtu i paplotë. Erion Veliaj duhej të ishte shkarkuar nga kjo detyrë që në vitin 2023 ku edhe padrejtësisht mori detyrën në fakt.
Është i paplotë sepse Erion Veliaj duhej shkarkuar për shkelje të rënda të ligjit, së pari dhe mbi të gjitha.
Duke shkelur ligjin për inceneratorin, një vepër që nuk u ndërtua kurrë, dhe që duhej t’i ishte dorëzuar qytetit të Tiranës 3 vite më parë, për të cilin ne kemi paguar qindra milionë euro dhe do vazhdojmë të paguajmë edhe qindra milionë të tjera.
Unë i bëj shumë të fala Erion Veliajt nga familjet e 5 Majit që hoqi zvarrë, burra, gra e fëmijë. Ke shumë të fala, Erion, ata janë shumë të lumtur që ti sot do të shkarkohesh me ceremoni.
I bëj tërë të falat Erion Veliajt nga banorët e Astirit, që u bëri të njëjtën gjë. I bëj të fala nga Ardit Gjoklaj, i bëj të fala nga të gjitha bizneset e Tiranës të cilët i zhvasin njëri pas tjetrit të gjithë drejtorët e Bashkisë Tiranë, të emëruar nga Erion Veliaj dhe ata që vijnë pas tij.'”, deklaroi Zhulali./Versus.al
Shkarkimi i Erion Veliajt, kush janë 3 këshilltarët që mungojnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Tre këshilltarët socialistë, Gazment Paja, Aldo Merkoci dhe Joleza Koka, nuk janë të pranishëm në mbledhjen ku do të diskutohet shkarkimi i Erion Veliajt.
Ndërkohë mbledhja vazhdon dhe vetë Erion Veliaj nuk është i pranishëm në këtë mbledhje për të dhënë argumentet dhe për t’u dëgjuar nga këshilli, siç ai kërkoi.
Mbledhja u hap nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, e cila tha se vendimmarrja për shkarkimin e Erion Veliajt është i imponuar nga nevoja e situatës së krijuar pas arrestimit të kryebashkiakut.
“Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur… Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projekt-vendimim për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj”, theksoi Fino./Versus.al
Sot votohet për shkarkimin e tij, Këshilli Bashkiak i kthen përgjigjje Erion Veliajt

Sekretari i Këshillit Bashkiak i ka dërguar një letër kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliajt.
Në letër thuhet se Këshilli Bashkiak ‘s’ka vendim për të ndaluar prezencën e Tuaj në mbledhje’.
Ndërkohë mbledhja në Këshillin Bashkiak ku do të votohet për shkarkimin e Veliaj nga detyra si kryetar i Bashkisë Tiranë ka filluar.
“I nderuar Kryetar,
Ne vijim të shkresës Tuaj nr. 32059/3 prot., datë 22.09.2025, sjellim në vëmendje se nga ana e Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë vendim për ndalimin e prezencës Tuaj në këtë mbledhje dhe që do të çon kërkesën Tuaj për t’u njohur, për t’u dëgjuar, për t’u mbrojtur dhe për t’u dhënë shqarime në Mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, e cila do të zhvillohet ditën e martë, datë 23.09.2025, ora 16:00.
Sa më sipër, ri përsërisim se në vijim të kërkesës Suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet Tuaja t’i nisni me shkrim pranë Këshillit në mënyrë që të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, shkruhet në letër.
"Votojmë shkarkimin e Veliajt", këshilltarët bashkiakë të PD: Ka të drejtë të dëgjohet, mos t'i japim shans për ta rrëzuar vendimin
Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës kanë bërë të qartë se do të votojnë pro propozimit për shkarkimin e Veliajt nga posti i kryebashkiakut.
Por kanë kërkuar që procedura të jetë e saktë dhe që Veliaj të dëgjohet në këshillin bashkiak në mënyrë që mos të ketë asnjë alibi për ta përdorur në të ardhmen duke e rrëzuar vendimin si antikushtetues. Këshilltari i PD, Dorian Teliti tha se qëllimi i tyre është që Veliajt t’i mbyllet njëherë e përgjithmonë mundësia e rikthimit duke e përballur në sallën e këshillit bashkiak.
“Edhe një i burgosur me dënim të përjetshëm meriton të dëgjohet. PS insiston që Veliaj të mos dëgjohet në këshill bashkiak. Do jetë nesër një instrument ligjor në dorën e Erion Veliajt për të fituar gjyqin kundër shkarkimit. Është edrejta ligjore e Veliajt që të dëgjohet, siç është e drejta jonë t’ja përplasim në fytyrë korrupsionin 10 vjeçar në bashkinë e Tiranës. Duhet që këshilli bashkiak t’i drejtohej mdrejtorisë së burgjeve për të sjellë Veliajn. Fjalët e bukura të tij i kemi parë, na ka mbytur me një retorikë të shpifur. Por duam ta zhveshim nga çdo instrument që ai mund të përdorë në të ardhmen për ta hedhur poshtë këtë vendim të këshillit bashkiak, thjesht sepse nuk e kemi dëgjuar këtu.
Duam që ky vendim që ne do ta miratojmë sot, patjetër që do e miratojmë shkarkimin, por duhet që procedura të jetë e saktë që në të ardhmen t’i mbyllim traun Veliajt për t’u kthyer në këtë godinë dhe të mos përballemi pas 2 apo 3 vitesh dhe me vendim të Strasburgut të paguajmë qindra mijëra euro nga taksat tona”- tha Teliti para mediave. Versus.al
Këshilli bashkiak vulos sot fatin politik të Veliajt, mblidhen për ta shkarkuar! Kryebashkiaku: S'jam njoftuar
Në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm, Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet për të caktuar rendin e ditës për mbledhjen që do të zhvillohet më tej në këshillin bashkiak ku do të votohet pro ose kundër shkarkimit të Veliajt.
Më pas në orën 16:00 do të mblidhet këshilli bashkiak për të shqyrtuar kërkesën e socialistëve për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut me argumentin se nuk është paraqitur në punë për mbi 3 muaj siç e parashikon ligji.
Veliaj i cili mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti, i kërkoi këshillit që të ishte i pranishëm në mbledhje dhe t’i dëgjoheshin pretendimet e tij. Por një kërkesë e tillë, iu hodh poshtë pasi në dokumentin e këshillit bashkiak me firmë të sekretarit Behar Zeneli thuhej se Veliaj mund të paraqiste me shkrim pretendimet e tij për mbledhjen. Nuk vonoi shumë as reagimi i Veliajt i cili tha se nuk ishte njoftuar zyrtarisht mbi datën apo përmbajtjen e diskutimeve të mbledhjes, ndërsa i kërkoi sekretarit të këshillit që të mos merrte kompetenca të organit kolegjial.
Teksa socialistët janë të vendosur për ta shkarkuar Veliajn, PD nga ana tjetër ka deklaruar se do të votojë pro shkarkimit, por kishte kërkuar që kryebashkiaku të ishte i pranishëm në mbledhje dhe të jepte pretendimet e tij. Gjatë një konference për mediat kryedemokrati Sali Berisha tha se Rama u frikësohej gjërave që mund të thoshte Veliaj, ndaj nuk ka lejuar të jetë i pranishëm.
Firma e fundit pas votimit në këshill, i mbetet këshillit të ministrave që miraton shkarkimin e Veliajt. Ndërsa avokatët e kryebashkiakut pritet ta çojnë çështjen ne Gjykatën Kushtetuese. Versus.al







