Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë në Izrael ku do të qëndrojë deri të martën. Sot kryeministri i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama është pritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. *Ai vizitoi edhe Murin e Lotëve në Jerusalem ndërsa shprehu lutjen që Zoti t’i sigurojë paqen këtij qyteti. Rreth orës 16:00, pritet që Rama t’i drejtohet kuvendit të Izraelit me një fjalim.
Rama në Parlamentin izraelit: Shqipëria strehoi mijëra iranianë pavarësisht rrezikut dhe u përball me sulme kibernetike

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin izraelit, Kryeministri Edi Rama vijoi të ndalet te tradita shqiptare e strehimit të atyre që janë në rrezik, duke e lidhur historinë e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me vendimin e Shqipërisë për të pranuar mijëra iranianë në vitet e fundit.
Rama theksoi se strehimi i iranianëve nuk ka qenë një veprim pa kosto apo pa rrezik, pasi Shqipëria u përball me sulme të rënda që rrezikuan seriozisht infrastrukturën digjitale të vendit. Ai nënvizoi se mbrojtja e një qenieje njerëzore në rrezik përfshin gjithmonë sakrifica dhe pasoja, por se Shqipëria ka zgjedhur të qëndrojë besnike ndaj parimeve të saj morale.
Kryeministri bëri të ditur se Tirana ka ndërprerë çdo lidhje me regjimin iranian, duke mbyllur edhe kontaktet më minimale me Teheranin. Ai shtoi se, pavarësisht këshillave për të mos reaguar në mënyrë të nxituar ndaj një shteti të fuqishëm si Irani, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë dhe të vendosur.
Në fjalën e tij, Rama solli edhe shembuj të situatës së rëndë në Iran, duke përmendur raportime për dhjetëra mijëra viktima dhe duke ngritur shqetësimin për mungesën e reagimit dhe protestave në Evropë kundër regjimit të Ajatollahëve. Ai e përmbylli deklaratën duke theksuar se qëndrimi i Shqipërisë buron nga e njëjta filozofi morale që ka udhëhequr vendin ndër shekuj: mbrojtjen e mikut dhe të atij që është në rrezik, pavarësisht pasojave.
Kryeministri Rama: Këtë e kemi bërë dhe me kombe të tjera, jo është arsyeja që i kemi dhënë dhe mijëra iranianëve strehim dhe mbrojte, nuk është diçka qe e kemi bërë pa risk, dhe nuk është pa risk edhe sot. Të strehosh një qenie tjetër njerëzore që është në rrezik nuk është një veprim që nuk paraqet rrezik, përkundrazi. Ne i rezistuam sulmeve të egra që për pak shkatërruan infrastrukturën tonë digjitale. U këshilluam nga miqtë tanë të mëdhenj që mos të reagojmë në mënyrë të nxituar ndaj Iranit sepse ata janë të mëdhenj.
Ne kemi ndërprerë dhe lidhjen më të hollë që kishim e regjimin dhe kemi mbyllur çdo lidhje me ta. Nuk e kam të shkruar këtu, dhe dua të them këtë, bashkëshorti i dikujt që është grek, por me origjinë iraniane na tregoi për krimet e ndodhura ditë më parë në Iran ku tregjet janë rrethuar nga vrasës. Teksa media po flet për rreth 30 mijë të vrarë, nuk po shohim protesta rreth e përqark Evropës kundër regjimit të Ajatollahëve./Versus.al
'Kjo ishte Shqipëria përballë nazistëve', Rama: Mund të na merrni floririn, por hebrenjtë nuk i japim
Gjatë vizitës zyrtare në Izrael, Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Parlamentin izraelit, ku u ndal gjerësisht te marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe popullit hebre, duke vënë theksin te roli i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rama theksoi se historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët përbën një mësim të qartë mbi vlerat njerëzore dhe fuqinë e ideologjisë së mikpritjes. Ai kujtoi se lidhja mes dy popujve daton prej shekujsh, që nga koha kur hebrenjtë kërkonin strehim në trojet shqiptare.
Duke iu referuar periudhës së Holokaustit, Kryeministri përmendi një episod domethënës, kur autoritetet naziste kërkuan dorëzimin e hebrenjve, por u përballën me refuzimin e shqiptarëve. “Na merrni floririn, por jo hebrenjtë”, citoi Rama, duke theksuar se kjo nuk është një legjendë, por një fakt historik.
Sipas tij, ky qëndrim buron nga një parim themelor i kulturës shqiptare, i përmbledhur në shprehjen: “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Rama nënvizoi se tradhtia ndaj mikut konsiderohet një nga krimet më të rënda në traditën shqiptare.
Kryeministri Rama: Dua që këto shembuj historik t’i sjell për të siguruar ata që mbajnë një pikëpamje komplet ndryshe nga e imja për Gazën se shqiptarët sjellin një mësim shumë të mirë se çfarë është e aftë të sjellë ideologjia. Ka një histori që lidh dy popujt tanë. Trashëgimia jonë lidhet dhe daton shekuj më parë, qëkur refugjatët izraelitë kërkonin strehim në tokën tonë.
Gjatë Holokaustit, kur nazistët dërguan zyrtarët e tyre, dërguan Nombaherin te populli shqiptar, shqiptarët thanë: ‘Na merrni floririn, por jo hebrenjtë’. Kjo nuk është një legjendë.
Për të shpjeguar këtë mrekulli që kanë bërë shqiptarët, përshkruhet me një fjali: ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Të tradhtosh mikun, është krimi më i pafalshëm që mund të ndodhë.
Kryeministri Rama në Izrael, mban fjalën në parlament: Nder të jem në këtë foltore!
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në parlamentin izraelit, ku u shpreh i nderuar dhe thellësisht mirënjohës për pritjen që iu rezervua atij dhe delegacionit shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ndjehej i përulur përballë kësaj ftese, duke nënvizuar se respekti i treguar nuk i takon vetëm atij personalisht, por Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për rolin e veçantë që kanë pasur historikisht ndaj popullit hebre. Ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi autoritetet izraelite për fjalët e mira dhe mikpritjen.
“Jam thellësisht mirënjohës që më pritët sot këtu. Shqipëria që përfaqësoj me krenari dhe njerëzit e saj meritojnë këtë respekt për gjithçka kanë bërë për popullin hebre,” u shpreh Rama, duke e cilësuar fjalimin e tij si një moment me rëndësi të veçantë personale dhe historike.
Kryeministri Rama: Po qëndroj në një foltore ku shumë të ftuar të tjerë kanë qëndruar para meje. Më duhet të rrëfehem se e kam të vështirë të besoj që meritoj një pritje të tillë. Por jam i sigurt se Shqipëria që unë përfaqësoj me krenari dhe njerëzit e kombit tim, si pak të tjerë që bën për popullin hebre, duhet të gëzojnë respekt nga shteti i izraelit. Ka edhe arsye të tjera përse gjunjtë e mi apo dridhen, për të qenë i sinqertë, e dija që do ishte edhe një test e folura ime këtu, po flas para një nga 5 njerëzve me aftësitë më të mëdha në botë. Falënderime më të përzemërta për fjalët që keni shprehur ndaj Shqipërisë. Mirënjohja ime më e thellë që më pritët sot këtu. Nuk mund të isha më mirënjohës se kaq. Versus.al
Deklarata e përbashkët/ Rama: Shqiptarët u bashkuan me vuajtjen e popullit palestinez, por nuk shprehën urrejtje ndaj Izraelit
Gjatë deklaratës së përbashkët me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat, sipas tij, kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popullit shqiptar dhe atij hebre që është forcuar gjatë shekujve.
Rama vuri në dukje se trashëgimia historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje të veçantë, duke e cilësuar si një dëshmi të kurajës morale të gjyshërve tanë, që duhet të ruhet brez pas brezi.
Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të promovuar këtë trashëgimi të çmuar dhe mban një qëndrim të vendosur kundër antisemitizmit, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Rama gjithashtu komentoi mbi qëndrimin e shqiptarëve ndaj konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, ka treguar solidaritet ndaj popullit palestinez pa u ngritur në urrejtje kundër Izraelit.
Ai theksoi se kjo tregon maturinë dhe respektin e vendit tonë për marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit dhe islamofobisë dhe nuk lejon që urrejtja apo diskriminimi të udhëheqë vendimet dhe veprimet e saj.
Kryeministri Rama: Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera./Versus.al
Rama në Izrael, Netanyahu: U them popullit tim që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, priti sot në një takim zyrtar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij publike, Netanyahu vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në vend nuk u pakësua, por u rrit falë mbrojtjes dhe ndihmës së dhënë nga shqiptarët.
Ai përmendi se myslimanët shqiptarë shpëtuan qindra hebrenj, duke ndihmuar edhe të tjerët të mbijetonin, një histori që sipas Netanyahut meriton të njihet më gjerësisht në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri izraelit e cilësoi këtë si një rol moral të rëndësishëm të Shqipërisë gjatë orëve më të errëta të historisë.
Netanyahu u ndal gjithashtu tek mbështetja e Shqipërisë ndaj Izraelit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se kjo vlerësohet lart nga autoritetet izraelite.
Në fushën ekonomike dhe turistike, ai deklaroi se numri i turistëve izraelitë në Shqipëri është rritur rreth 800%, me pritshmëri për rritje të mëtejshme. Po ashtu, sipas tij, kompani izraelite shohin në Shqipëri mundësi për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
“Ju qëndruat krah së vërtetës, krah Izraelit kur u sulmuan, është diçka që e vlerësojmë thellësish. Ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera mes Izraelit dhe Shqipërisë. U them izraeliteve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm: shkoni atje.
Ne po kështu kemi mirëkuptim që shkon përtej interesave. Në ndjesën më të thellë njohim që ka një themel afërsie dhe vëllazërie mes popujve tanë”, u shpreh kryeministri i Izraelit.
Netanyahu shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila pritet të inaugurohet nesër në prani të kryeministrit Rama.
Në përmbyllje, ai theksoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie midis dy popujve./Versus.al
Edi Rama viziton Murin e Lotëve në Jerusalem: Uroj që Zoti, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, vizituan sot Murit të Lotëve në Jerusalem, vendi i shenjtë ku hebrenjtë lutën për paqen në tokën e shenjtë.
Rama la një shënim ku shkruante: “Është gjithmonë një përvojë unike të jesh përpara këtij muri. Uroj që Zoti, përmes këtij muri të fuqishëm, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!”
Mediat izraelite publikuan foto të kryeministrit duke vendosur letrën në mur, ndërsa në kokë mban një Kipah, kapelë që mbahet nga izraelitët si shenjë respekti dhe përulësie ndaj Zotit.

Nga konferenca me Netanyahun tek fjalimi në kuvend, zbardhet agjenda e Ramës në Izrael
Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë pune në Jerusalem të Izraelit, e cila do të zgjasë deri të martën më 27 janar. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të konferencës ndërkombëtare për luftën kundër Antisemitizmit.
Pjesa kulminante e vizitës pritet të shënohet në orën 16:15 kur Rama t’i drejtohet Kuvendit të Izraelit me anë të një fjalimi gjatë seancës plenare në Knesset. Pjesë e delegacionit në këtë vizitë është edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit. Në orën 11:00, pas takimit me homologun izraelit, Benjamin Netahyanu, dy delegacionet do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.
Axhenda e plotë:
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Ëestern Ëall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit. Versus.al

