Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare për diskutimin dhe votimin për 2 aktet normative të PS ku propozohet shtyrja e afatit të vlefshmërisë së kartave të ID dhe pasaportave të emigrantëve shqiptarë deri më datë 30 maj me qëllim që t’u jepet mundësia të votojnë. *Kryedemokrati Sali Berisha kritikoi këto akte normative duke thënë se po bëhet diskriminim ndaj shqiptarëve që jetojnë brenda vendit, shumë prej të cilëve gjithashtu u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së dokumenteve. *Opozita vijoi t’i mbetej propozimit që edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente shqiptare të kenë mundësi të votojnë për shkak të rrethanave të ndryshme në shtetet ku kanë emigruar. *Pjesë e debateve u bënë edhe zhvillimet më të fundit politike të nxitura nga veprimtaria e SPAK, duke përmendur rastin e masave të sigurisë për stafin e UBT dhe për hetimet që Berisha pretendon se kanë nisur në SHBA për kryeministrin Edi Rama mbi çështjen “McGonigal”. *Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot, pa mbështetjen e opozitës, ndryshime në Aktin Normativ që lejojnë që emigrantët me dokumente të skaduara të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit. *Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj ishte i vetmi nga radhët e opozitës që ka votuar pro miratimit të vendimit që zgjat vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave të skaduara për emigrantët
Kuvendi lejon emigrantët me dokumente të skaduara të votojnë në zgjedhjet e 11 majit, deputeti i PD-së bashkoi votën me socialistët
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot, pa mbështetjen e opozitës, ndryshime në Aktin Normativ që lejojnë që emigrantët me dokumente të skaduara të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas këtyre ndryshimeve, dokumentet e skaduara të emigrantëve do të jenë të vlefshme deri më 31 maj 2025.
Me 76 vota pro, u miratua Akti Normativ nr. 1, i cili shton një nen në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”.
Deputeti i Partisë Demokratike Bujar Leskaj ishte i vetmi nga radhët e opozitës që ka votuar pro miratimit të vendimit që zgjat vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave të skaduara për ata qytetarë që do të votojnë nga jashtë vendit, duke bashkuar votat me socialistët e mazhorancës.
Gjithashtu me 75 vota pro dhe 1 abstenim, u miratua Akti Normativ nr. 2, i cili shton një nen në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”.
Përveç kësaj, me 75 vota pro dhe 1 abstenim, u miratua edhe Projektvendimi që përcakton strukturën, organikën dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, të cilët do të punojnë për të mbështetur procesin e votimit nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet e 2025-s.
Këto ndryshime synojnë të lehtësojnë pjesëmarrjen e emigrantëve në procesin zgjedhor, duke marrë parasysh që shumë prej tyre kanë dokumente të skaduara për shkak të vështirësive që kanë hasur për t’i rinovuar jashtë vendit.
Megjithatë, opozita nuk mbështeti këto ndryshime, duke ngritur dyshime për qëllimet e qeverisë dhe duke theksuar nevojën për transparencë dhe siguri në procesin zgjedhor./Versus.al
Rektori i UBT në mbledhjen e socialistëve, Bardhi thirrje Begajt: Shkarkoje menjëherë! Shkeli kushtetutën

Prania e rektorit të UBT-së Fatbardh Sallaku në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së pasi SPAK lëshoi 24 masa sigurie ndaj stafit të akuzuar për abuzime me tendera, ka sjellë debate në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e konsideroi këtë si një shkelje të hapur të kushtetutës dhe i kërkoi presidentit Bajram Begaj shkarkimin e menjëhershëm të rektorit.
“E shfrytëzoj këtë mundësi për t’i kërkuar presidentit të Republikës shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të një rektori që nuk njeh kushtetutë dhe ligj. Që vjen me kërkesa private, jo publike. I shkruajti Edi Ramës dua të vij të rrëfehem se ti je prifti dhe kushtetuta? Nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të botës. Mund të vijë në seancë plenare nëse ka nevojë për mbështetje si universitet, por kurrë në një parti politike”- tha Bardhi.
Më tej shtoi se Sallaku dhe Rama janë të shqetësuar nga hetimet e SPAK dhe paralajmëroi se në rast se një gjë e tillë përsëritet, deputetët e PD do jenë të pranishëm në sallë.
“Ka ardhur atje sepse keni një hall të përbashkët dhe halli juaj është si të pengoni SPAK-un të luftojë korrupsionin. Ju paralajmëroj në emër të PD që nëse thërrisni më njerëz të akuzuar nga prokuroria, grupin parlamentar do e keni aty në sallë”- u shpreh Bardhi ndër të tjera. Versus.al
Kuvendi diskuton për zgjatjen e afatit të ID-ve për diasporën, Berisha: Diskriminim, të vlejë edhe për shqiptarët brenda vendit

Në seancën plenare të sotme në Kuvend trajtohen aktet normative për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave dhe kartave të identitetit për shqiptarët e diasporës që do të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.
Ministri i Brenshëm tha se bëhet fjalë për 520 mijë persona të cilëve u skadon afati i vlefshmërisë së dokumenteve deri më 11 maj. Ndërsa tha se me miratimin e aktit normative, do të bëhet e mundur që afati të shtyhet deri më 11 maj.
“Numri i shtetasve shqiptarët me të drejtë vote që u ka kaluar afati ose që i skadon deri në 11 maj është 520 mijë shtetas. Edhe KQZ iu drejtua Këshillit të Ministrave me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.
Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç pa dallim ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kemi detyrim tu ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e shtetasve tanë. Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë s ID dhe që mbaron deri në 11 maj të zgjatet deri në 30 maj. Për të përmbushur vendimin historik që diaspora të ketë mundësi për herë të parë të votojë jashtë vendit", tha Hoxha.
Ndërsa menjëherë pas tij pari reagime nga kampi opozitar. Kreu i PD Sali Berisha kërkoi që akti të jetë i vlefshëm edhe për shqitarët që jetojnë brenda vendit me të paktën shtyrjen për 15 ditë.
“Në qoftë se miratojmë këtë akt sot, atëherë të paktën të shtyjmë me 10 ditë, të bëjmë 15 ditë mundësinë e votimit të tyre. Së dyti, ju propozoni këtu një akt që i diskriminon shqiptarët.
Në qoftë se e zgjatni afatin për shqiptarët që janë jashtë, duhet të zgjatet edhe për ata që janë edhe brenda. Nuk mund të ketë dy standarde. Këto i bëni se si të shpëtoni, por u garantoj se asgjë në botë nga 11 maji nuk do u shpëtojë. Po u vjen fundi nga njeriu që nuk guxon të vijë më në parlament”- deklaroi kreu i PD. Versus.al
“Ëngjëll Agaçi është arratisur”, Berisha: Laptopi i tij në prokurori! Gjiknuri do merret dëshmitar për McGonigal
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit bëri disa deklarata të forta për sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin duke thënë se ky i fundit është arratisur nga vendi.
Mes të tjerash tha se laptopi i Agaçit ka përfunduar në prokurori nga ku po nxirren edhe për prova që sipas Berishës inkriminojnë qeverinë.
“Dy arsye madhore janë që nuk vjen dot. Së pari, ku është Sekretari juaj i Përgjithshëm i kryeministrisë? Ku është Agaçio që dhuron edhe 30 hektarë? Ku e keni? A keni përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë kur Sekretari i Përgjithshëm ia mbath dhe i mashtroni e thoni se është në spital? Madje një ditë kur unë thashë se është arratisur, përhapni thashethemin se është në intubim. Të gjithë ju këtë rrugë do ndiqni? Arratinë do ndiqni?
Tani, e dyta, laptopi është në prokurori. Ta dini mirë. Jeni të pashpresë. Laptopi është në prokurori. Prandaj thirreni më mirë të vijë se sa t’u nxjerrë laptopi një nga një ju. Laptopi ka të gjitha vjedhjet e tmerrshme që ka bërë Edi Rama me grupin e tij”- u shpreh Berisha.
Kryedemokrati deklaroi gjithashtu se dosja McGonigal do të jetë në qendër të vëmendjes së shpejti, duke paralajmëruar deputetin Damian Gjiknuri se do të merret për t’u pyetur si dëshmitar.
“Problemi i dytë i madh i dezekulibrimit të tij është dosja McGonigal. Ajo po shpërthen. Damian, unë e di që ke thënë se të ka urdhëruar Edi Rama, por ka një ligj që thotë, urdhrat e paligjshëm mos i zbato. Prandaj mos kujto se je krejt mënjanë ti. Absolutisht jo. Edhe mbrëmë të doli emri, një ministër e shoqëronte.
A e kuptoni ju që keni në krye një njeri që korruptoi shefin e kryeinteligjencës së SHBA? Dhe një nga ata që bëri gjahun e shtrigave ndaj presidentit Donald Trump. Çfarë mendoni ju se do mbyllet ajo siç u mbyll? Jo, absolutisht ajo dosje nuk mbyllet.
Damian, shko ku të duash, edhe në malin Atos po të shkosh, dëshmitar do të thirresh për Edi Ramën sepse është akti më flagrant i korrupsionit. I ka dhënë 225 mijë dollarë nga zyra e tij. Ato nuk ia ke dhënë ti, nuk them se ia ke dhënë ti. Por, po të pasur dijeni, ke dijeni të plotë për çdo gjë. Ndaj të garantoj se dëshmitarin e ke të sigurt, mos edhe më shumë. Më mirë pentito”- shtoi kreu i PD. Versus.al








