Çfarë do të gjeni në brendësi
*Është lënë në burg 14 vjeçari M.P i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij M.C mesditën e 18 nëntorit vetëm 200 metra larg shkollës “Fan Noli” ku të dy ishin nxënës në klasa paralele. *Gjyqtarja dhe prokurorja e çështjes shkuan në spitalin privat ku po trajtohet i mituri për të mbajtur seancën ku u caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. I mituri po mjekohet për një plagë që kishte marrë në dorë gjatë përleshjes ku kreu edhe krimin e rëndë. *Ndaj tij rëndon akuza e veprës së rëndë penale për “vrasje në rrethana cilësuese”. *Para gjyqtares ai është shprehur se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja. Ndërsa më herët ka treguar para hetuesve policorë se me viktimën ishte zënë për shkak të “një shikimi”.
Gjyqtarja i shkoi në spital për t’i njoftuar ‘arrestin me burg’, zbardhet deklarata e të miturit që vrau bashkëmoshatarin
I mituri 14 vjeçar i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij pranë shkollës “Fan Noli” ka deklaruar para trupës gjykuese dhe prokurores se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja e ndodhur mesditën e 18 nëntorit.
Si pasojë e tronditjes të pësuar, i mituri nuk ka mundur të japë asnjë lloj detaji për ngjarjen teksa trupa gjykuese dhe prokurorja kishin shkuar në spital për të mbajtur seancën e sigurisë për shkak se po trajtohet për një plagë të marrë në dorë.
Ndërkohë, ende nuk është gjetur thika me të cilën i mituri kreu vrasjen dhe as telefoni i tij ku do të mund të zbuloheshin detaje të tjera mbi rrethanat e krimit që i mori jetën bashkëmoshatarit të tij 14 vjeçar. Versus.al
I japin masën e sigurisë, gjyqtarja dhe prokurorja mbërrijnë në spitalin ku mjekohet 14 vjeçari që kreu vrasjen
Gjyqtarja Lorena Çabej dhe prokurorja Alma Felaj kanë mbërritur në spitalin ku po mbahet 14 vjeçari M.P i akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij të hënën pranë shkollës “Fan Noli”.
I mituri po kurohet në një spital privat për shkak të një plage që ka marrë në dorë gjatë përleshjes me të miturin që humbi jetën. Versus.al
Shprehje e nxituar apo nxitje gjakmarrje? Deklarata e kryekomisarit që solli daljen televizive të prindërve të 14 vjeçarit që u vra me thikë
Pa kaluar ende një javë nga ngjarja e rëndë ku djali i tyre u vra me thikë nga bashkëmoshatari pranë shkollës “Fan Noli”, prindërit e 14 vjeçarit dolën në një intervistë televizive ku folën për tronditjen e pësuar.
Në përgjigjet e dhëna prej tyre ishte edhe fakti se prindërit e autorit ende nuk i kishin kontaktuar për t’u kërkuar falje për ngjarjen tronditëse. Por a ishte një deklaratë e kryekomisarit Asllan Shytaj ajo që nxiti një dalje publike të prindërve të të miturit që u vra me thikë?
Kujtojmë se në emisionin “Top Story” kryekomisari dha një deklaratë e cila është komentuar në rrjet edhe si nxitje hakmarrje mes dy familjeve. Shytaj duke theksuar se të dyja familjet janë nga veriu i Shqipërisë, bëri një paragjykim duke thënë se në këto zona ekziston ende kodi i gjakmarrjes.
Babai i të miturit të ndjerë, theksoi në media se nuk kishte asnjë ndjesi hakmarrje ndaj familjes të të miturit që kreu vrasjen e rëndë. Sa i takon kërkim faljes, ai tha se nuk ka patur asnjë kontakt me familjarët e autorit për shkak se këta të fundit mund të ndihen fajtorë për krimin e kryer nga fëmija i tyre.
Deklarata të tilla të një zyrtari të lartë policie, duhet të jenë më të matura pasi në rastin më të keq mund të shkaktojnë nxitjen e një gjakmarrje mes familjeve edhe nëse këto të fundit nuk e kanë ndërmend diçka të tillë. Nga ana tjetër edhe babai i autorit të ngjarjes, ka reaguar për mediat duke thënë se e ndjen dhimbjen si të kishte vdekur djali i tij dhe bëri me dije se do të fliste me familjarët e të miturit që u vra. Versus.al
Vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, 14 vjeçarit në spital i komunikohet masa 'arrest me burg'
Tiranë- Sot në spitalin privat u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj 14 vjeçarit M.P i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij M.C pas një sherri që kishin pasur më herët. Të miturit i cili ende po merr trajtim mjekësor për një lëndim që kishte pësuar në dorë, i është caktuar masa e qëndrimit në paraburgim sapo të dalë nga spitali.
Ndaj të miturit rëndojnë akuzat për vepra të rënda penale si "mbajtja pa leje e armëve të ftohta" dhe "vrasje në rrethana cilësuese".
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth 200 metra larg shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” ku të dy të miturit ishin nxënës. 14 vjeçari u dërgua në spital nga të pranishmit pranë vendngjarjes për shkak se ambulance u vonua në trafik. Pavarësisht mbërritjes në spital, i mituri nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve që kishte marrë në zemër.
Ajo çfarë ishte edhe më tronditëse ishte fakti se i mituri që kreu krimin, nuk pati asnjë lloj pendese por përkundrazi postoi edhe foto në rrjetin social “snapchat” me dorën e fashuar në shenjë mburrje. Aktualisht ai ndodhet në spital për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë përleshjes.
Mbrëmë folën për herë të parë prindërit e viktimës, të cilët u shprehën se kishin pasur në plan të largoheshin nga Shqipëria drejt SHBA-ve, ndërsa të përlotur shprehën dhimbjen e shuarjes së ëndrrave të djalit të tyre 14 vjeçar.
Me këtë akt të rëndë, ranë edhe njëherë këmbanat e alarmit në shoqërinë shqiptare për shkak të agresivitetit që ka përfshirë të gjithë brezin e ri të nxënësve të cilët e shohin si arritje krimin dhe lëndimin e njëri-tjetrit. Në reagim për ngjarjen, ditën e djeshme u organizua një marshim nga vendi ku ndodhi krimi deri tek ministria e Arsimit ku qindra protestues i kërkuan ministres Ogerta Manastirliu dorëheqjen nga posti i saj. Versus.al








