Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kleana Xhuveli do të jetë deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvend. *Kleana ka lindur në Greqi dhe ka përfunduar studimet në një universitet privat në vendin tonë, në UET, për të përfunduar më pas Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. *Vendimi u njoftua nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi pas shqyrtimit me anëtarët e tjerë të organit zgjedhor. *Pasi KQZ i dha mandatin kushërirës së Lapajt, Endrit Shabani shkroi në rrjete sociale se e ka falur Adriatikun dhe se nuk e djegin jorganin për një plesht pasi nga radhët e Shqipëria Bëhet kanë njohur dhe vlerësojnë plot djem e vajza.
Kleana Xhuveli mori mandatin, reagon Endri Shabani: Pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra e Adriatikut pa mandat!

Kreu i “Nismës Thurrje”, Endrit Shabani, ka reaguar për herë të parë pas zhvillimeve të fundit që sollën kalimin e mandatit të deputetit tek Kleana Xhuveli, kushërira e Adriatik Lapajt.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shabani ndau versionin e tij të ngjarjeve që ndodhën larg syve të publikut dhe mediave.
Ai konfirmoi se personi më i afërt me të ka dhënë dorëheqjen nga mandati i fituar në zgjedhjet e 11 majit.
Si rrjedhojë, vendin në Kuvend e mori Kleana Xhuveli, e cila ndodhej e katërta në listën e koalicionit “Shqipëria Bëhet” në Tiranë.
Reagimi i Endrit Shabanit:
U mbars mali dhe...Njëmijë akuza.
Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!
Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.
Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.
Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!
Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.
Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.
Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.
Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.
Kleana Xhuveli mori sot zyrtarisht mandatin e deputetes në Kuvend. 27-vjeçarja, juriste me profesion, deklaroi për mediat se nuk ka synim të mbajë mandatin për vete, por do të angazhohet që ai t’i kalojë Adriatik Lapajt, të cilin e cilësoi si personin që e meriton më shumë.
Xhuveli gjithashtu sqaroi edhe raportin e saj familjar me Lapajn, duke theksuar se ai është kushëriri i saj dhe jo vëllai, siç është raportuar në disa media./Versus.al
E lindur në Greqi por e arsimuar në Shqipëri/ Kush është juristja që do të përfaqësojë koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvend?!

Juristja 27 vjeçare, Kleana Xhuveli do të përfaqësojë koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvendin e Shqipërisë. E reja ishte sot e pranishme në KQZ ku edhe iu dha e drejta e përfitimit të mandatit duke qenë se ishte e renditur e katërta në listën e mbyllur të Tiranës.
Ajo u shpreh për mediat se do të vijonte ta mbante mandatin deri kur të arrihej që t’i kalonte më të votuarit të listës së hapur kushëririt të saj Adriatik Lapaj.
“Do ta përfaqësoj vullnetin e votuesve deri në momentin që mandati do t’i kalojë njeriut më të votuar të koalicionit, Adriatik Lapajt”- tha Xhuveli e cila e pyetur për marrëdhënien familjare me Lapajn tha se është vajza e tezes së tij.
Po kush është 27 vjeçarja që do të përfaqësojë këtë koalicion në Parlament?
Në CV-në e dorëzuar në KQZ, Kleana ka lindur në Greqi dhe është 27 vjeçe. Ka përfunduar studimet në një universitet privat në vendin tonë, në UET, për të përfunduar më pas Master Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Ndër eksperiencat e punës, Kleana Xhuveli deklaron se ka punuar si asistente në kompani private si "Delta Group", "RM Group" dhe DHKN.
Më herët në intervistat për mediat, Lapaj e ka cilësuar Xhuvelin duke iu referuar si “motra ime” për shkak se kjo e fundit që 8 muajshe është rritur në shtëpinë e tij dhe është birësuar nga nëna e Lapajt.
Xhuveli ka qenë pjesë e fushatës “Shqipëria Bëhet” në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa ka mbajtur edhe role organizative.Versus.al
Përfundon ‘saga” për mandatin e "Nisma Shqipëria Bëhet”, kushërira e Lapajt do të jetë deputete

Kleana Xhuveli do të jetë deputetja e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Kuvend. Vendimi u njoftua nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi pas shqyrtimit me anëtarët e tjerë të organit zgjedhor. Rrezulton që Xhuveli është vajza e tezes së Adriatik Lapajt.
Gjatë argumentit të dhënë kundër kërkesës së Lapajt që të pranohej dorëheqja e kandidatëve të listës së mbyllur, Celibashi u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pas miratimit të listës së kandidatëve. Por theksoi se cilido prej kandidatëve mund të japë dorëheqjen pas ndarjes së mandateve, veçse këtë gjë do duhej ta bënte në mes të Kuvendit.
“Le të supozojmë se kandidatët kanë dhënë dorëheqjen që më 11 maj dhe nuk janë më kandidatë? E gjithë lista e subjektit tuaj do të binte dhe ky subjekt nuk do duhet të ishte regjistruar si subjekt. Në rastin e Tiranës numri i kandidatëve në listën e fiksuar, nuk mund të jetë më pak se 12. Përfundimi: nuk mund të ketë dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar.
Në këtë fazë të procesit përsa kohë KQZ nuk ka vendosur për të shpërndarë mandatet, është në të drejtën e çdo kandidati për të hequr dorë nga marrja e mandatit. Në këtë rast, mund ta ushtrojë para KQZ përsa kohë nuk është marrë një vendim i tillë. Në momentin kur është vendosur për shpërndarjen e mandateve, kandidati duhet ta bëjë dorëheqjen para Kuvendit.
Kleona Xhuveli ka pohuar se do të marrë mandatin e deputetit. E ka bërë këtë deklarim edhe Kordhoni. Por duke qenë se Xhuveli është renditur në listën e mbyllur më sipër, vlerësohet që mandati i takon asaj përsa kohë ajo e ka interesin. Përfundimisht shpall fituese Kleana Xhuvelin”- tha kreu i KQZ.
Me këtë vendim, merr fund edhe përplasja disa ditore mes dy kampeve brenda koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ku Zeqir Kordhoni daja i Endrit Shabanit kërkoi që mandati t’i kalonte atij ndryshe nga sa kishin rënë dakord para zgjedhjeve. Shabani tha se nuk mbante përgjegjësi për qëndrimet e dajës së tij, ndërsa kritikoi Lapajn si nxitës të kësaj situate për shkak se nuk dha dorëheqjen siç pati deklaruar në media se do të bënte në rast se merrnin vetëm një mandat.
Pavarësisht se Lapaj rezultoi më i votuari i listës së hapur në Tiranë, Shabani tha se me qëndrimin e tij duke mos mbajtur fjalën ka nxitur edhe vendimmarrjen e Kordhonit i cili nuk pranonte dorëheqjen nga mandati. I gjendur në këtë situatë, ditën e djeshme Adriatik Lapaj propozoi dorëheqjen e tij dhe të Endri Shabanit nga lista e hapur duke bërë që mandati t’i kalojë Greta Ambelit, të tretës më të votuarës në listën e hapur. Mirëpo një gjë e tillë nuk u pranua nga Endri Shabani i cili pretendon se ndaj dajës së tij ka patur kërcënime të vazhdueshme të bëra nga familjarë të Lapajt. Versus.al
Daja i Shabanit u fut në zgjedhjet e 11 majit me firmë të falsifikuar? "Kleçka" e pretenduar nga Shqipëria Bëhet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi bëri shpërndarjen e mandateve për partitë politike që garuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, u tërhoq për vendim lidhur me mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Në argumentet e shtruara nga avokatja Dorina Prethi tha se Zeqir Kordhoni i cili ka tërhequr dorëheqjen nga mandati i listës së mbyllur, rezulton të ketë vënë firma të ndryshme në dokumentet që ka firmosur për të garuar në zgjedhjet e 11 majit.
Prethi hodhi dyshime se mund të kemi të bëjmë me një falsifikim, port ha se ende nuk është konfirmuar dhe se do të hetohet nga ekspertë të caktuar.
Pjesë nga diskutimi në mbledhjen e KQZ:
Prethi: Dokumenteve të kandidimit të kandidatit Zeqir Kordhomi duke qenë se është konstatuar firma e ndryshme në dokumentat e kandidimit. Na rezulton që këto dokumenta të kandidimit mund të jenë të falsifikuara. Kjo do të kërkojë një investigim të dytë nga ana jonë, por në këto kushte në rast se...
Celibashi: Ndjesë, deklarimi i parë apo i dytë?
Prethi: Deklarimi i kandidimit, pra dokumentat e aplikimit si kandidat na rezulton që nuk është firma autentike e tij, por kjo do të kërkojë një investigim me ekspertë dhe në këto kushte do të kërkonim të drejtën për të paraqitur kërkesë me shkrim duke pezulluar ndarjen e mandateve për qarkun e Tiranës.
Celibashi: Pra ju do të thoni që dokumentat e kandidimit të depozituara nga zotëria nuk është i vërtetë, është i falsifikuar?
Prethi: Ende nuk e kemi një rezultat përfundimtar, por kemi dyshimet tona. Ai nuk është paraqitur fizikisht në zyrat tona në momentin e aplikimit, na ka ardhur dokumenti dhe nga ballafaqimi i dokumentacionit të tij edhe gjatë dorëheqjes edhe pas dorëheqjes dhe revokimit, pas shkresave vijuese, na ka rezultuar një mospërputhje e nënshkrimit të tij. Versus.al







