Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ish-kryeministri Fatos Nano, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 73 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Ai ndodhej i shtruar në spital prej 24 ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore. *Ndër të parët që reagoi ishte kryeministri Edi Rama i cili duke postuar një foto të Nanos në rrjetet sociale, shkroi: Lamtumirë kryetar. *Më pas figura politike nga e majta dhe e djathta reaguan për Nanon duke e cilësuar këtë të fundit si njeriun që ktheu PS-në në parti moderne politike duke lejuar fjalën e mendimin e lirë kundër tij. *Nano shërbeu si kryeministër në vite të ndryshme duke lënë gjurmë të rëndësishme gjatë tranzicionit demokratik të vendit.
Vd*kja e Fatos Nanos, qeveria shpall të dielën ditë zie

Këshilli i Ministrave ka shpallur të dielën ditë zie në nder të kujtimit të Fatos Nanos. Flamuri shqiptar do të ulet në gjysmështizë ndërsa homazhet ku do t'i jepet lamtumira e fundit, do të mbahen tek Pallati i Kongreseve duke nisur nga ora 08:30.
Njoftimi i plotë:
Shpallja e Zisë Kombëtare në nderim të të ndjerit Fatos Nano, ish-Kryeministër, udhëheqës dhe politikan i shquar
Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë zhvillimit të ceremonialit shtetëror, do të transmetojë muzikë funebre.
Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore
Pallati i Kongreseve, Tiranë
•08:30 – 11:00 – Homazhe publike
•11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
•12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë. Versus.al
Sot u nda nga jeta, ja kur mbahen homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano

Të dielën e 2 nëntorit, në Pallatin e Kongreseve do të mbahen homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, ish-liderit historik të PS i cili mbylli sytë sot për herë të fundit.
Pritet që të pranishëm të jenë figurat më të larta të politikës dhe të jetës publike të vendit gjerisa të gjithë e konsideronin Nanon si kryeministrin më liberal dhe reformator brenda forcës së tij politike duke lejuar lirinë e të shprehurit dhe mendimin ndryshe.
Ish-kryeministri Nano, prej disa kohësh ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit. Versus.al
"Arkitekti i transformimit të të majtës shqiptare", Balluku për Nanon: Ishte kryeministri reformator
Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Balluku shkruan në rrjetet sociale se Nano la gjurmë të thella në politikën shqiptare dhe e cilësoi të ndjerin si “arkitekt të transformimit të të majtës”.
"Lamtumirë Fatos Nano. Arkitekti i transformimit të së majtës shqiptare dhe Kryeministri reformator që besoi në rrugën europiane të Shqipërisë duke lënë gjurmë të thella në politikën dhe historinë e vendit. I paharruar!"-shkruan Belinda Balluku. Versus.al
Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Salianji: Krijoi parti moderne dhe lejoi garën e mendimin e lirë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar me anë të një shkrimi në rrjete sociale për vdekjen e ish-kryeministrit Fatos Nano, liderit historik të socialistëve.
Duke e konsideruar si personin që krijoi parti moderne të majtë dhe lejoi lirinë e mendimit politik, Salianji shkruan se i ndjeri Fatos Nano përfaqësonte një profil krejt të veçantë nga politikanët e tjerë.
“Fatos Nano, një nga personalitetet më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, drejtues historik i Partisë Socialiste dhe një nga protagonistët e pluralizmit pas viteve ’90. Edhe pse në krahë të ndryshëm politikë, Fatos Nano përfaqësonte një profil të veçantë, liberal në mendim, i hapur ndaj debatit, me kulturë politike dhe respekt për mendimin ndryshe.
Ai krijoi një parti moderne të majtë, lejoi garën dhe lirinë e mendimit brenda saj, dhe formoi breza politikanësh që vijojnë të jenë aktivë edhe sot. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Qoftë i paharruar”, shkruan Salianji. Versus.al
Ndarja nga jeta e Fatos Nano, reagon kryeministri Rama: Lamtumirë kryetar!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale pas ndarjes nga jeta të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Me një foto të ish-liderit historik të Partisë Socialiste, kryeministri Rama shkruan krahas saj: Lamtumirë kryetar!
Fatos Nano ndërroi jetë në moshën 73 vjeçare. Ai ndodhej i shtruar në një spital privat prej datës 8 tetor, në gjendje të rëndë shëndetësore./Versus.al
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
Ndërron jetë, ish-kryeministri Fatos Nano!

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano ka ndërruar jetë, në moshën 73 vjeçare pas një kalvari sëmundjeje të rëndë.
Ai ndodhej i shtruar prej 24 ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore.
Lideri historik i PS-së do të trajtohej në një spital privat në Tiranë në reanimacion.
Fatos Nano, i lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, ishte një nga figurat më të njohura dhe më të diskutueshme të politikës shqiptare pas rënies së regjimit komunist.
Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë në disa periudha të ndryshme: 1991–1992, 1997–1998 dhe 2002–2005, duke lënë gjurmë të rëndësishme në procesin e tranzicionit demokratik dhe në zhvillimin e vendit.
Nano u bë një figurë qendrore në politikën shqiptare pas themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, ku shërbeu si kryetar për shumë vite.
Ish-kryeministri u tërhoq nga politika në vitin 2005, pas një karriere të gjatë.
Pavarësisht ndikimit të tij të madh, figura e Nano-s ishte shpesh subjekt debati.
Kundërshtarët e akuzonin për centralizim të pushtetit dhe stil autoritar të qeverisjes, ndërsa mbështetësit e vlerësuan si një udhëheqës të mençur dhe strategjik, që mundi të ruante stabilitetin politik në periudha të vështira./Versus.al
