Çfarë do të gjeni në brendësi
Pas një çerek shekulli në pushtet, dinastia e familjes Assad në Siri ka përfunduar. Rebelët xhihadistë kanë arritur të marrin kontrollin e kryeqytetit, Damask, duke detyruar Bashar al-Assad të braktisë pallatin presidencial, që deri tani ka qenë simbol i regjimit të tij të rreptë. Kjo ngjarje shënon një pikë kthese të rëndësishme për Lindjen e Mesme, duke i dhënë fund një epoke të gjatë.
Biden: SHBA do të bashkëpunojë me partnerët për alternativat në Siri, pas përmbysjes së al-Assadit

Presidenti Joe Biden tha të dielën se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët dhe palët e interesuara në Siri për të shqyrtuar alternativat dhe për të menaxhuar rrezikun pasi kryegritësit përmbysën Presidentin sirian Bashar al-Assad.
Në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fqinjët e Sirisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe do të ndjekin me kujdes retorikën dhe veprimet e grupeve rebele.
Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk e dinë zyrtarisht vendndodhjen e Asadit, por vuri në dukje njoftimet sipas së cilave ai kishte shkuar në Moskë.
Ai tha se al-Assad “duhet të mbahet përgjegjës”. Zoti Biden tha se Siria është në një periudhë rreziku dhe pasigurie dhe se është hera e parë në vite që as Rusia, as Irani dhe as organizata militante e Hezbollahut nuk kanë një rol me ndikim në Siri.
“Për vite të tëra, mbështetësit kryesorë të Assadit kanë qenë Irani, Hezbollahu dhe Rusia. Por gjatë javës së fundit, mbështetja e tyre u shpërbë, sepse të tre ata janë shumë më të dobët sot se sa ishin kur unë mora detyrën”, tha zoti Biden, i cili u bë president në vitin 2021.
Presideti Biden tha se forcat amerikane kryen të dielën mbi 10 sulme me preçizion të lartë brenda Sirisë duke vënë në shënjestër kampet dhe operativët e grupit militant Shteti Islamik.
“Është një moment që ofron mundësi historike për popullin e Sirisë i cili ka vuajtur për një kohë të gjatë, që të ndërtojë një të ardhme më të mirë për vendin e vet krenar. Është gjithashtu një moment rreziku dhe pasigurie,” tha zoti Biden. “Ndërsa ne të gjithë bëjë pyetjen se çfarë vjen më pas, Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët tanë dhe palët e interesuara në Siri për t’i ndihmuar ata të përfitojnë nga mundësia për të menaxhuar rrezikun”, shtoi zoti Biden. /VOA
Bashar al-Assad dhe familja e tij ndodhen në Rusi

Ish-presidenti Bashar al-Assad është strehuar në Moskë. Agjencia RIA NOVOSTI shkruan se Assad dhe familja etij tashmë kanë mbërritur në Rusi mbrëmjen e sotme.
Sipas agjencisë ruse Moska i ka dhënë azil ish-presidentit të Sirisë dhe familjes së tij të cilët u larguan nga vendi ditën e sotme pas forcat rebele morën kryeqytetin e Sirisë, Damaskun.
Rusia ka kërkuar gjithashtu të hënën një takim me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për misionin paqeruajtës të OKB-së në Lartësitë Golan, raportoi Reuters, duke cituar burime diplomatike./Versus.al
Imazhi që do të shqetësoj më së shumti Bashar Assad. Putini po mësohet shpejt me regjimin e ri në Siri
Sicc dhe duket aleati i tij më i ngushtë Vladimir Putini po e tradhëton presidentin sirian tashmë në arrati, Bashar Assad.
Pasi regjimi 61-vjeçar Baath në Siri u shemb një imazh i jashtëzakonshëm u regjistrua në kryeqytetin rus, Moskë.
Flamuri i regjimit Baath është hequr në ambasadën siriane në Moskë, siç shihet në fotot e më poshtme.
Ndërkohë që forcat e regjimit të Bashar Assadit u tërhoqën vendodhja e tij ende nuk është e qartë një deklaratë erdhi nga ministria e Punëve të Jashte ruse në të cilën shkruhej: Assad vendosi të largohej nga vendi dhe udhëzoi të transferonte pushtetin në mënyrë paqësore.
Gjithashtu në deklaratë thuhej se pala ruse është në kontakt me të gjitha forcat opozitare në Siri dhe duke theksuar: Megjithatë, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve relevante që të ndalojnë përdorimin e dhunës dhe të zgjidhin të gjitha problemet politikisht.
Siç dhe duket Rusia tashmë ka braktisur aleatin e tij më të ngushtë, Assad dhe po ndërvepron me të gjitha forcat opozitare në Siri dhe bëri thirrje për respektimin e pikëpamjeve të të gjitha forcave etnike dhe fetare në Siri.
Deklarata vuri në dukje gjithashtu se bazat ushtarake ruse në Siri janë në një "gjendje të lartë gatishmërie" dhe thuhet se nuk ka asnjë kërcënim serioz për sigurinë e këtyre bazave dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve rusë në Siri.
Partia Socialiste Arabe Baath erdhi në pushtet në Siri përmes një grushti shteti në vitin 1963. Babai i Bashar Assad, Hafez Assad, mori pushtetin në një grusht shteti brenda partisë në vitin 1970 dhe u bë President i Sirisë në 1971.
Bashar Assad u bë kreu i regjimit Baath në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij.
Pas përleshjeve që u intensifikuan në Siri më 27 nëntor, Bashar Assad humbi kontrollin në shumë rajone, duke filluar nga Alepo, Idlibi dhe Hama. Më në fund, me daljen e njerëzve në rrugë në kryeqytetin Damask, forcat e regjimit filluan të tërhiqen nga institucionet publike dhe rrugët, ndërsa forcat rebele kundër regjimit rritën kontrollin e tyre në qendër të qytetit. 61 vjet të regjimit të përgjakshëm Baath dhe 53 vjet të sundimit të familjes Assad siç dhe duket tashmë kanë përfunduar./Versus.al
Në pushtet për gjysmë shekulli,Assadët: Historia e një regjimi (i rrëzuar me një veprim rrufe)
Kur në vitin 2011 mijëra të rinj dolën në rrugët e Apelos për të kërkuar më shumë demokraci dhe drejtësi, Bashar Assad duhet të ketë pasur në mendje paraardhësin e tij e tij Sulejman al-ëahhish , një alavit me origjinë nga fshati Qardaha, në provincën e Latakia, emri i së cilës në arabisht do të thotë "bishë". Gjithashtu dhe xhaxhain e tij Rifaat i mbiquajtur ‘kasapi i Hamasë’ për një masakër të urdhëruar në vitin 1982 kundër popullsisë sunite.
Në fillim të karrierës së tij Bashar Asad intigroi aq shumë perëndimorët dhe premtoi gjthashtu reforma. Më pas një një fjalim të mbajtur në qershor 2012 Bashar shprehej: Ne do t'i mposhtim terroristët. ." Të njëjtat fjalë u përdorën të shtunën për të komentuar përparimin e rebelëve proturq në Alepo.
Vite masakra, tortura, një luftë civile, një aleancë me Moskën që kushtoi jetën e gjysmë milioni njerëzve që vdiqën në sulme kimike dhe jo kimike, akuza shumë të rënda për krime lufte, gjyqe të hapura në Evropë, akuza për korrupsion.
Por gjithashtu një luftë kundër ISIS-it dhe një aleancë jo gjithmonë e lehtë me Teheranin për të mbështetur Hezbollahun në Liban. Këto janë vitet e presidencës së Basharit. Një stuhi e rënduar dhe nga kriza ekonomike, nga më të rëndat në botë, e lidhur ngushtë me atë libaneze dhe sanksionet e vendosura nga administrata amerikane, për të dobësuar aleatin e Moskës në rajon. Një cunam, në realitet, më shumë se një stuhi, të cilës familja Assad ka arritur deri më tani t’i mbijetojë.
“Assad, historia e një klani në pushtet për gjysmë shekulli”, ishin titujt e gazetave në vitin 2020. Pra, sagës duket se i ka ardhur fundi si çdo serial tjetër i Netflix. Nuk dihet se si reagoi presidenti sirian kur pa statujën kushtuar vëllait të tij më të madh Baselit të rrëzuar ditët e fundit nga rebelët në zonën e Alepos së Re apo, mbi të gjitha, bustin prej bronzi të babait të tij Hafez. Por nuk duhet një psikoanalist për të kuptuar se, edhe në këtë rast, Bashar duhet të ketë qenë duke menduar se si të shpëtonte kokën bashkë me familjen e tij.
Djali i madh i familjes Assad ishte Bazeli që supozohej të ishte president. Ai ishte i preferuari i babait të tij Hafezit, i vetmi që konsiderohej i denjë. Pasi iu bashkua ushtrisë në moshë shumë të re, ai u bë kreu i Gardës së Republikës. I mbiquajtur "kalorësi i artë" nga shtypi i regjimit për aftësitë e tij të kalërimit (dhe jo më kot ishte ndërtua statuja e tij mbi një kal), ai u krahasua nga ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden me personazhin e Sonny Corleone (djali i madh i bosit mafioz Don Vito Corleone) të filmit 'The Godfather', i luajtur nga aktori James Caan. Për Hafezin ishte një garanci: shumë më i mirë se Maheri, shumë i prirur ndaj dhunës (sot ai është kreu i divizionit të ushtrisë që kontrollon trafikun e kaptagonëve), apo, edhe më tepër, se sa Majadi, djali i fundit, i varur nga heroina dhe me probleme serioze psikiatrike. Dhe më i mirë edhe se sa Bashar.
Por Bazel, i apasionuar pas makinave të shpejta, vdiq në një aksident në vitin 1994, duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Hafez, gjithnjë e më i dobët nga shëndeti nga mosha vdiq në vitin 2000 nga një atak në zemër ndërsa ishte në telefon me presidentin libanez Émile Lahoud dhe kështu Bashar u detyrua të kthehej në atdheun e tij. Pasi mbaroi shkollën e mjekësisë, Bashar u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar për t'u specializuar në oftalmologji. Ndonëse nuk ka shfaqur kurrë ndonjë interes për jetën politike dhe as që ka karakterin e përshtatshëm për të komanduar, ai përfshihet shpejt në ushtri dhe bëhet president, falë një ndryshimi në ligj që ndalon të ushtrojë poste të gjithë nën 35 vjeç.
I llastuar, mizor, cinik, Bashar do të jetë lider ndërsa saga e Asadit pasurohet nga betejat e brendshme midis grave dhe të afërmve , si ajo mes zonjës së parë Asmaa dhe kushërinjve Makhlouf, me vrasje dhe trafikim. Kur rebelët filluan ofensivën e tyre dhe shpejt pushtuan Aleppon, Bashar Assad ishte i sigurt në Moskë. Më pas ai u kthye në Damask, kryeqyteti dhe bastioni i një regjimi që rezistoi për 53 vjet dhe që tani është shkatërruar në pak më shumë se një javë./Versus.al
A ka vdekur Bashar al-Assad? Reuters: Avioni me të cilin ai u arratis u zhduk nga radarët!
Pak ditë para ditëlindjes së tij të 59-të, Bashar al-Assad është zhdukur. Pas gati 25 vitesh në pushtet- dhe 54 vitesh për familjen Assad- ish-presidenti i Sirisë nuk është në pallatin presidencial, në Damask, i cili është pushtuar nga rebelët. “Tirania e tij ka marrë fund”, thonë rebelët që festojnë, të cilët njoftojnë se ai është arratisur.
Por ku ka shkuar Assad?
Reuters shkruan, se sipas informacioneve që vijnë nga Siria thuhet se Assad hipi në një avion Ilyushin-76 të Forcave Ajrore Siriane, i cili u nis me nxitim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut, u kthye në drejtim të Homsit, por më pas u zhduk nga radarët.
A ishte Assad në atë fluturim dhe nëse po, a ka rënë avioni diku, a është rrëzuar apo ka bllokuar transmetuesit e tij? A ka vdekur, apo do të rishfaqet duke formuar një qeveri në mërgim?
Këto janë disa nga pyetjet më të shpeshtë në këto orët e fundit.
FlightRadar24 konfirmoi se ky fluturim u zhvillua, duke vënë në dukje se disa nga të dhënat e transmetuesit të avionit mund të jenë të pasakta ose të mungojnë, por “megjithatë, ne besojmë se të dhënat në përgjithësi japin një tregues të mirë të asaj që ndodhi me avionin ”
Sipas disa mediave, bazuar në të dhënat e radarëve të fluturimit, duket se avioni ose është rrëzuar ose ka bërë ulje emergjente.
Cilido qoftë fati i Assad, pas gjysmë shekulli të sundimit të Sirisë nga familja Assad dhe pas betejave të përgjakshme, presidenti i vendit që mbeti “gjallë” përmes një lufte të egër, ai u braktis nga të gjithë aleatët e tij.
Rebelët morën Damaskun pa shumë rezistencë pasi forcat ruse dhe iraniane ishin tërhequr një ditë më parë dhe Ushtria Arabe Siriane (SAA) shmangu përfshirjen e tyre.
Ndërkohë raportohet se gruaja e tij Asma, së bashku me tre fëmijët mbërritën ditën e djeshme në Rusi.
FOTO / Momenti kur forcat rebele mësyjnë pallatin e Bashar al-Assad në Damask
Forcat rebele kanë marrë nën kontroll pallatin presidencial të Bashar al-Assad në Damask, pas një ofensive të shpejtë drejt kryeqytetit sirian, e cila i ka dhënë fund sundimit 53-vjeçar të familjes Assad.
Mëngjesin e së dielës, televizioni shtetëror sirian transmetoi video-deklaratën e një grupi luftëtarësh të forcave rebele, të cilët njoftuan se regjimi i Presidentit Assad kishte rënë dhe se të gjithë të burgosurit ishin liruar.
Sipas ‘Al Jazeera’, personi që lexoi deklaratën, u shpreh gjithashtu se grupi i njohur si ‘Salla e Operacionit për Pushtimin e Damaskut’, iu bënte thirrje gjithë luftëtarëve opozitarë dhe qytetarëve, që të ruajnë institucionet e ‘shtetit të lirë sirian.’
Lufta civile në Siri shpërtheu në vitin 2011 si një kryengritje kundër sundimit të Assadit dhe shumë shpejt u transformua në një konflikt masiv, ku u përfshinë edhe fuqi të huaja. Qindra-mijëra njerëz kanë mbetur të vrarë si pasojë e luftës së gjatë, ndërsa miliona të tjerë janë detyruar të braktisin qytetet dhe shtëpitë e tyre, në një nga krizat më masive të refugjatëve gjatë këtyre viteve.
Rrëzimi i regjimit në Siri/ Trump: Assad është zhdukur, Rusia nuk kishte interes ta mbronte
Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad në Siri. Ai u shfaq në mediat sociale mëngjesin e së dielës dhe ironizoi Rusinë duke thënë se humbi interesin për Sirinë për shkak të Ukrainës.
‘Assad është zhdukur. Ai ka ikur nga vendi i tij. Mbrojtësi i tij, Rusia, Rusia, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë.
Nuk kishte asnjë arsye që Rusia të ishte atje. Ata humbën çdo interes për Sirinë për shkak të Ukrainës. Rusia dhe Irani janë në një gjendje të dobësuar tani, njëra për shkak të Ukrainës dhe ekonomisë së keqe, tjetra për shkak të Izraelit dhe suksesit të tij luftarak’, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Presidenti amerikan më pas theksoi numrin e ushtarëve të vrarë nga të dyja palët në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund luftimeve.
‘Duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm dhe negociatat duhet të fillojnë’, shkroi Trump pa specifikuar se cilit konflikt i referohej.
Rusia ka bërë luftë në Ukrainë për më shumë se dy vjet, duke e lënë atë me më pak fuqi ushtarake për të mbuluar forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad në Siri.
Për Rusinë, rënia e Sirisë nënkupton humbjen e aleatit të saj më të afërt në Lindjen e Mesme dhe minimin e aftësisë së saj për të projektuar pushtetin ndërsa lufton në Ukrainë.
‘Epoka e errët në historinë e Sirisë ka kaluar’- Përmbysja e regjimit të Assad, Udhëheqësi i opozitës: Damasku është i sigurt
Udhëheqësi i opozitës siriane, Hadi al-Bahra, i ka thënë agjencisë arabe të lajmeve Al-Arabiya se regjimi i Asadit ka rënë dhe se një ‘epokë e errët në historinë e Sirisë ka kaluar’.
Bahra -i cili drejton Koalicionin Kombëtar të Forcave të Revolucionit dhe Opozitës Siriane-ka theksuar për publikun se situata në Damask është e sigurt.
‘I them njerëzve tanë të të gjitha sekteve dhe feve, përderisa nuk ngrini armët kundër asnjë qytetari tjetër dhe për sa kohë qëndroni në shtëpitë tuaja, jeni të sigurt’, ka shkruar ai në X.
‘Nuk do të ketë hakmarrjeje dhe asnjë shkelje të të drejtave të njeriut. Dinjiteti i njerëzve do të respektohet dhe dinjiteti i tyre do të ruhet.’
Rebelët sirianë pretendojnë se kanë pushtuar kryeqytetin Damask , duke njoftuar rënien e regjimit të al-Assad, sipas raportimeve nga Reuters dhe Al Jazeera.
‘Tirani Bashar al-Assad ka ikur’, tha opozita e armatosur në një deklaratë. ‘Ne e shpallim Damaskun të lirë nga tirani Bashar al-Assad’.
Televizioni shtetëror sirian ka transmetuar një video nga fraksionet rebele të Sirisë duke thënë se presidenti Bashar al-Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit janë liruar.
Në njoftimin e tyre të parë televiziv që nga ofensiva e tyre e shpejtë dhe e befasishme, ata u bënë thirrje të gjithë luftëtarëve dhe qytetarëve të opozitës që të ruajnë institucionet shtetërore të ‘shtetit të lirë sirian’.
Në një moment tjetër simbolik, njerëzit në Damask kanë shkelur statujën e rrëzuar të babait të Bashar al-Assad, Hafez, i cili sundoi vendin me një dorë të hekurt për gati 30 vjet.
Një diktator nën rrethim
Në të gjithë Sirinë veriore dhe qendrore këtë javë, familjet që janë copëtuar nga më shumë se një dekadë e luftës civile janë ribashkuar.
‘Nuk e besova, ishte shumë emocionuese’, tha Ismail Alabullah, vullnetar i Helmetave të Bardha, ndërsa përshkroi kthimin në qytetin e Aleppos për herë të parë që nga viti 2013 dhe ribashkimin me motrën e tij.
‘Nuk mund ta besoja se po e shihja përsëri. Kam humbur vëllain tim, nënën dhe babanë gjatë dy viteve të fundit. Tani, jemi vetëm unë dhe motra ime’, shtoi ai.
Helmetat e Bardha, një grup i njohur për shpëtimin dhe evakuimin e civilëve nga zonat aktive të luftës, konsiderohen si armiq të përhershëm të regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Që nga viti 2016, forcat e Assadit kanë kontrolluar Aleppon.
Por me ushtrinë e tij që tani po tërhiqet nga territori, familjet e bllokuara në anët e kundërta të vijës së frontit mund të jenë sërish bashkë.
Situata dinamike
Pas vitesh ngërçi, harta e kontrollit të Sirisë po rivizatohet pothuajse çdo orë.
Së pari, Aleppo -një qytet me më shumë se 2.3 milionë banorë dhe i dyti më i madhi në vend-ra në duart e forcave opozitare më 27 nëntor.
Në ditët që pasuan, po ashtu edhe shumë qytete në jug.
Të enjten, forcat e Assadit braktisën qendrën strategjike të Hamës kur forcat rebele hynë brenda. Pas Hamës, ka avancime të rebelëve në Homs dhe periferi të Damaskut.
Shumica e vëzhguesve presin që një sulm në bazën kryesore të pushtetit të Assadit-qyteti i Homsit. ‘Është e qartë se vetë regjimi nuk mund t’i mbrojë këto territore’, tha Haid Haid, një analist për Sirinë me Chatham House, një institut me bazë në Londër.
Ky përfundim çon në spekulime të pashmangshme nëse qeveria e Assadit mund të jetë duke u rrëzuar më shpejt nga sa pritej.
‘Askush nuk mund të japë ndonjë përgjigje absolute’, tha Haid.
‘Askush nuk e di se kur dhe nëse regjimi do të shembet plotësisht’, shtoi ai.
Dinastia politike
Bëhet e ditur se Assad dhe familja e tij kanë sunduar Sirinë me një dorë të hekurt për më shumë se 50 vjet.
Që kur mori detyrën si president në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij, OKB-ja njoftoi se forcat e Asadit kanë vrarë më shumë se 350,000 kundërshtarë, kanë burgosur dhe torturuar mijëra të tjerë dhe kanë përdorur gaz të ndaluar në qytetet opozitare.
Në vitin 2011, Siria u trondit nga protestat kundër presidentit, të frymëzuara nga demonstratat kundër regjimit në të gjithë rajonin më të gjerë, të njohura si Pranvera Arabe.
Assad u përgjigj me një goditje të dhunshme që evoluoi në një luftë civile në shkallë të plotë, shkruan YahooNeës.
Deri në vitin 2015, grupet opozitare – dhe forcat e Shtetit Islamik (ISIS) – kishin kapur zona të mëdha të vendit.
Por ndërhyrja nga Rusia bëri kthesë.
Një fushatë shkatërruese e bombardimeve ajrore nga forcat e Vladimir Putinit siguroi pozicionin e Assadit, por me një kosto të tmerrshme.
Grupet humanitare akuzuan Rusinë dhe Sirinë për krime lufte për bombardimin pa dallim të civilëve duke përdorur municione thërrmuese.
Pas një përpjekjeje të përbashkët të udhëhequr nga Forcat Demokratike Siriane kurde në lindje dhe me ndihmën e Rusisë-ISIS përfundimisht u shty përsëri në shkretëtirë.
Që nga viti 2016, Ushtria Arabe Siriane e Assadit (SAA) ka në kontroll shumicën e qyteteve kryesore të vendit.
Sukseset e mëdha
Në provincën Idlib, pranë Turqisë, forcat që i përkasin një dege dikur të Al-Kaedas, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë kontrolluar pjesën më të madhe të territorit.
Dhe grupi ka udhëhequr shumicën e sukseseve në fushën e betejës gjatë 10 ditëve të fundit.
Hayat Tahrir al-Sham është listuar si një entitet terrorist nga Kanada që nga viti 2013.
Por kohët e fundit, udhëheqësi i saj 42-vjeçar, Abu Muhammed al-Jolani, ka mohuar çdo lidhje me grupin ose ideologjinë e tij radikale.
Në një postim në rrjete sociale, HTS në mënyrë të pazakontë iu referua atij me emrin e tij të dhënë – Ahmad al-Shara – në vend të al-Jolani, të cilin ai e përdor në mjedise ushtarake.
Kjo dukej se e shfaqte atë si një burrë shteti apo politikan dhe jo si udhëheqës të një milicie të ndaluar.
Al-Jolani dha gjithashtu një intervistë të rrallë për një media perëndimore, duke i thënë CNN se qëllimi i tij është të përmbysë regjimin e Assadit dhe ta zëvendësojë atë me një qeveri të re për të gjithë sirianët.
Siç raportohet, Instituti për Studimin e Luftës, një institut me bazë në SHBA që studion zonat e konfliktit global, vuri në dukje se një arsye kryesore që HTS ka fituar territor kaq shpejt ka qenë gatishmëria e tij për të negociuar marrëveshje me komunitetet lokale për të shmangur luftimet.
ISË tha se dy qytete me shumicë të krishterë dhe një qytet kryesisht shiit kishin rënë dakord të gjithë me HTS, duke lejuar luftëtarët e grupit të shmangin luftimet e kushtueshme në zonat rurale.
Megjithatë, listimi i HTS si një entitet terrorist i ka vënë OJQ-të dhe qeveritë perëndimore në një pozitë sfiduese, me shumicën e pavullnetshme për të ndihmuar drejtpërdrejt grupin, duke rezultuar në një përkeqësim të situatës humanitare në vende të tilla si Aleppo.
Ismail Alabduallah tha se qyteti tashmë po sheh mungesa ushqimore.
‘Situata është shumë e vështirë. Disa OJQ me të cilat bashkërendojmë e kanë këtë përgjegjësi dhe tani askush nuk po shpërndan bukë çdo ditë në Aleppo’, tha ai.
Aktorë të huaj
Me qytetin e Homsit, një tjetër bazë kyçe e pushtetit për Assadin, pyetja kryesore është nëse ndonjë nga aleatët e regjimit do të ndërhyjë ushtarakisht për të ndaluar shtytjen e fundit të opozitës.
Qeveria iraniane thuhet se ka urdhëruar disa nga milicitë që ajo kontrollon në Irakun fqinj të kalojnë kufirin për të ndihmuar aleatin e saj Assad.
Por prania e tyre në fushën e betejës ende nuk është ndjerë.
Shefi i Hezbollahut, Naim Qassem tha se grupi i tij do të ndihmojë Assadin dhe ka raporte se ato që grupi i quan ‘forcat mbikëqyrëse’ mbërritën në Siri gjatë natës.
Deri kohët e fundit, Hezbollahu i mbështetur nga Irani ishte padyshim milicia më e fuqishme në Lindjen e Mesme.
Por vrasjet izraelite të lidershipit të tij të lartë dhe një fushatë e madhe ajrore kundër luftëtarëve të saj në Libanin jugor e kanë dobësuar rëndë grupin.
Një fqinj ku Assad nuk do të jetë në gjendje të llogarisë është Turqia.
Qeveria e saj ka qenë një furnizues i madh i armëve dhe parave për disa grupe opozitare dhe së fundmi, presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se shpreson që forcat e opozitës siriane të vazhdojnë të fitojnë.
Kjo e lë si opsion Vladimir Putinin, i cili i ka meritat për shpëtimin e Assadit herën e fundit që forcat opozitare shkelën Sirinë në 2016.
‘Nuk është e qartë se ku po shkon Moska apo cili është prioriteti i saj kryesor në këtë pikë’, tha Haid.
Bombardimet ruse të zonës së Aleppos dhe të qasjeve kyçe ndaj Homsit kanë rifilluar ditët e fundit, por me luftën e Putinit në Ukrainë që ka shteruar burimet e tij luftarake, opsionet e Rusisë për ndërhyrje mund të jenë të kufizuara.
Ndryshe, Rusia ka marrë me qira një bazë detare në qytetin sirian Tartus që nga vitet 1970.
Ajo gjithashtu ka një bazë të konsiderueshme ajrore jashtë Latakisë, më në veri.
Të dy mund të jenë të prekshme nga forcat opozitare nëse linjat e Assadit vazhdojnë të shemben.
Haid tha se edhe nëse Assad arrin të shmangë përparimet e opozitës, Rusia tashmë është shfaqur si një nga humbësit kryesorë të luftimeve të ripërtëritura.
‘Fitoret e kaluara të Rusisë janë harruar tani për shkak të disfatës së fundit të forcave të regjimit’, tha Haid.
‘Kjo do të thotë se Rusia nuk ka qenë në gjendje të mbështesë aleatët e saj’, përfundoi ai.







