Live Updates /

Nis punën komisioni antikorrupsion, opozita lë bosh karriget! Mazhoranca me “dorë të shtrirë”

*Sot u zhvillua mbledhja e parë për konstituimin e komisionit të Posaçëm Antikorrupsion ku ashtu siç pati paralajmëruar, opozita nuk mori pjesë. *Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj shprehu keqardhjen për mungesën e kolegëve opozitarë ndërsa solli në vëmendje edhe bojkotin që ata i kishin bërë në 2014-ën një komisioni për Reformën në Drejtësi, gjë për të cilën sipas tij, opozita e pësoi në zgjedhjet parlamentare. *Kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se komisioni nuk ka asnjë interes politik apo partiak por bëhet për të çuar përpara reformat në kuadër të integrimit të vendit në BE. *Njëjtë u shpreh edhe ministrja Elisa Spiropali e cila solli në vëmendje situatën aktuale të vendit në procesin e negociatave me BE. Thirrja ndaj opozitës ishte që të linte mënjanë debatet politike dhe të marrë pjesë në dialogun institucional.

Shkruar nga B.V

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Sot u zhvillua mbledhja e parë për konstituimin e komisionit të Posaçëm Antikorrupsion ku ashtu siç pati paralajmëruar, opozita nuk mori pjesë. *Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj shprehu keqardhjen për mungesën e kolegëve opozitarë ndërsa solli në vëmendje edhe bojkotin që ata i kishin bërë në 2014-ën një komisioni për Reformën në Drejtësi, gjë për të cilën sipas tij, opozita e pësoi në zgjedhjet parlamentare. *Kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se komisioni nuk ka asnjë interes politik apo partiak por bëhet për të çuar përpara reformat në kuadër të integrimit të vendit në BE. *Njëjtë u shpreh edhe ministrja Elisa Spiropali e cila solli në vëmendje situatën aktuale të vendit në procesin e negociatave me BE. Thirrja ndaj opozitës ishte që të linte mënjanë debatet politike dhe të marrë pjesë në dialogun institucional.

3 Postime
9 MUAJ ME PARE

Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion, Spiropali thirrje opozitës: Debatet politike harrohen, i nevojshëm dialogu institucional

Nis punën komisioni antikorrupsion, opozita lë bosh karriget!
Ministrja Elisa Spiropali

Ministrja për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali ishte e pranishme në mbledhjen e parë të konstituimit të komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.

Ajo solli në dukje domosdoshmërinë që sipas saj ka një komision i tillë ndërsa foli edhe për procesin e ecurisë së anëtarësimit në BE. Ndër të tjera, duke nënkuptuar edhe mungesën e opozitës, Spiropali tha se është i rëndësishëm që të ketë një dialog institucional për të pasur reformim dhe forcim të rolit të Kuvendit.

“Puna e këtij komisioni lidhet me domosdoshmërinë për thellimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, administratë publike. Në përfundim të procesit screening janë zhvilluar takime për 33 kapituj dhe janë përfshirë 157 institucione shtetërore dhe institucione të pavarura. 575 zyrtarë kanë marrë pjesë në takimet shpjeguese. Janë përgatitur 777 prezantime të argumentuara me rreth 20 mijë faqe dokumente.

Debatet politike janë të përditshme dhe mbahen mend përkohësisht. Dialogu institucional përbën një qasje të re për një cikël reformimi dhe forcimi të rolit të Kuvendit”- u shpreh Spiropali ndër të tjera.

Drejtuesi i komisionit, Fatmir Xhafaj u shpreh më herët se të gjithë spekulimet mbi punën e komisionit, do të marrin përgjigjen e duhur. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Opozita bojkoton komisionin antikorrupsion, Xhafaj: Keqardhje! Ata që spekuluan, do marrin përgjigjen e duhur

Nis punën komisioni antikorrupsion, opozita lë bosh karriget!
Deputeti Fatmir Xhafa

Ashtu siç e kishte paralajmëruar, opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e konstituimit të komisionit të Posaçëm Antikorrupsion të drejtuar nga Fatmir Xhafa. Ky i fundit u shpreh i keqardhur për mungesën e opozitës dhe solli në kujtesë një bojkot të ngjashëm që ata i kishin bërë komisionit në 2014-ën.

“Për fat të keq edhe për shkak të përvojës së gjatë në Kuvend kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur në 2014-ën filloi veprimi për komsionin e posaçëm në drejtësi. Opozita pavarësisht se e kishte votuar komisionin, nuk mori pjesë në konstituimin e tij. Reflektuan me vonesë. Koha tregoi se ata gabuan atëherë dhe kjo u kushtoi shumë edhe elektoralisht. Shpresoj që sa më shpejt ta kemi opozitën mes nesh. Procesi duhet të ecë përpara me gjithëpërfshirjen dhe kontributin e faktorëve dhe aktorëve të mundshëm të shoqërisë civile, botës akademike”- u shpreh Xhafaj ndër të tjera.

Ai theksoi se do u jepet përgjigja e duhur atyre të cilët kanë spekuluar se komisioni i ngritur ka qëllim të kufizojë punën e SPAK-ut.

“Do u japim përgjigjien e duhur të gjithë atyre që kanë spekuluar lidhur me qëllimin e këtij komisioni”- shtoi deputeti duke nënvizuar se do të ketë tryeza me shoqërinë civile për veprimtarinë e komisionit antikorrupsion.

E pranishme në mbledhjen e parë të konstituimit të komisionit, ishte edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila nënvizoi se komisioni i formuar nuk ka asnjë interes politik apo partiak duke bërë thirrje që opozita të reflektojë dhe të bashkohet në mbledhjet e ardhshme.

Të njëjtën thirrje e pati edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila la të nënkuptohej se ftonte për dialog opozitën duke deklaruar se “debatet politike janë të përkohshme”, teksa bëri thirrje për qasje institucionale në përparimin e procesit të anëtarësimit në BE. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Opozita ka paralajmëruar bojkot, sot zhvillohet mbledhja e parë e komisionit të Posaçëm Antikorrupsion

Nis punën komisioni antikorrupsion, opozita lë bosh karriget!

Ditën e sotme do të zhvillohet mbledhja e parë e konstituimit të Komisionit Anti-korrupsion ku drejtues do të jetë deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Mbledhja do të nisë në orën 09:30 dhe e pranishme do të jetë edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Në mbledhje janë ftuar edhe deputetët e opozitës edhe pse këta të fundit nuk kanë votuar dhe kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e komisionit.

Në total, komisioni me afat 10 mujor, përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve nga mazhoranca dhe 5 të tjerë nga opozita. Anëtarët të këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

Objekti i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion

Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim:

1) Përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet

2) Thellimin e luftës kundër korrupsionit

3) Forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij që përmes një procesi publik, gjithëpërfshirës e transparent, mbështetur në mekanizmat, rregullat dhe procedurat përkatëse parlamentare dhe me angazhimin e kontributin aktiv të ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare të realizojë:

i) Një vlerësim / analizë të situatës aktuale në të tre fushat, duke u mbështetur kryesisht në gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në raportet e Bashkimit Evropian, përmes një angazhimi gjithëpërfshirës me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, agjencitë ekzekutive e ato publike të pavarura, institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, subjekte të tjera të interesuara, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë opinionin publik;

ii) Hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse;

I. Përbërja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030

1. Fatmir Xhafaj kryetar (PS)

2. Klotida Bushka anëtare (PS)

3. Eduard Shalsi anëtar (PS)

4. Etilda Gjonaj anëtare (PS)

5. Evis Kushi anëtare (PS)

6. Toni Gogu anëtar (PS)

7. Jorida Tabaku anëtare (PD)

8. Dhurata Tyli anëtare (PD)

9. Sorina Kote anëtare (PD)

10. Flutura Açka anëtare (PD)

11. anëtar (PD)

1. Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)

2. Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)

3. anëtar zëvendësues (PD)

4. anëtar zëvendësues (PD)

Opozita e ka konsideruar komisionin e posaçëm antikorrupsion si një tentativë të kryeministrit Edi Rama për të kontrolluar veprimtarinë e SPAK dhe organeve të tjera të drejtësisë në vend. Versus.al

Poll