Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mbrëmjen e djeshme, Irani lëshoi rreth 200 raketa kundrejt Izraelit si një hakmarrje për vrasjen e kreut të Hezbollahut pak ditë më parë. Shumica e raketave u ndalën në ajër nga sistemi raketor mbrojtës izraelit, por disa prej tyre ranë mbi Tel Aviv duke shkaktuar vetëm vdekjen e një palestinezi nga Gaza. *Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu reagoi për sulmin duke thënë se do të ketë hakmarrje ndaj iranianëve, ndërsa këta të fundit kanë deklaruar se në rast të një kundërpërgjigjie, Izraeli do ta pësojë akoma më keq dhe se do të bombardohet i gjithë Tel Avivi për ta bërë rrafsh me tokën. *Ndërkohë, operacioni tokësor i Izraelit në Libanin jugor vijon, teksa Hezbollahu pretendon se i ka bllokuar të hyjnë në qendër të qytetit. *SHBA-të dënuan sulmin e Iranit kundrejt Izraelit, ndërsa presidenti Joe Biden urdhëroi ushtarët amerikanë që të mos lejonin që raketat të binin në tokën izraelite. *Si ndëshkim për heshtjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për sulmin, Irani e shpalli Antonio Guterres-in ‘person non-grata’ duke i ndaluar kështu hyrjen në tokën izraelite.
Pse Irani refuzon të godasë realisht Izraelin?
Nga Guy Van Vlierden, gazetar për çështjet ndërkombëtare
Një hakmarrje teatrale, kështu mund të përmbledhim shiun e raketave iraniane që ranë mbi Izraelin të martën në mbrëmje. Ashtu si prillin e kaluar, përgjigja e udhëhequr nga Teherani kundër shtetit hebre ishte literalisht e parashikueshme. Qëllimi i ajatollahëve është t'u dërgojnë një mesazh mbështetësve të tyre, pa i bërë shumë dëm izraelitëve.
Por pse Irani po refuzon të godasë realisht armikun e tij numër një?
‘Ne këtë herë nuk do të përdorim dronë, por raketa balistike. Këto do të synojnë tre kampe të ushtrisë dhe një seli të inteligjencës në veri të Tel Avivit, Pas një ore të shtëna, operacioni do të përfundojë. Faleminderit dhe lamtumirë.’
Ky është mesazhi i dërguar Izraelit nga Irani të martën mbasdite, disa orë para se të fillonte ‘hakmarrja’ që ishte shpallur.
Kanali amerikan CNN kishte diskutuar mbi mjetet e përdorura nga forcat iraniane pothujase dy orë e gjysëm para sulmit.
Pothuajse në të njejtën kohë New York Times hartoi një listë të objektivave izraelitë, të cilët tashmë ishin evakuuar.
Për më tepër, fakti që ushtria izraelite njoftoi papritur , një orë pas fillimit të sulmit se bregdeti ishte sërish i sigurtë. Si mund ta dinte Izraeli me siguri nëse nuk ishte rënë dakort më parë për këtë gjë?
Irani vazhdoi pak a shumë në të njejtën mënyrë si në prillin e kaluar, kur Teherani për herë të parë në historinë e tij goditi drejtpërdrejtë Izraelin duke lëshuar drone por edhe raketa ndaj shtetit hebrej.
Një operacion i paraqitur në atë kohë si përgjigje ndaj bombardimti të konsullatës së tij në Damask nga Izraeli më 1 prill, sulm në të cilin humbi jetën dhe gjenerali Mohammed Reza Zahedi.
Duke bombarduar Izraelin të martën në mbrëmje, regjimi iranian synonte të hakmerrej për vdekjen e fundit të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniya në gusht.
Një palestinez si viktima e vetme
Çuditërisht, goditja e parë u raportua në veri të Tel Avivit të martën në mbrëmje dhe një numër mbresëlënës predhash fluturuan gjithashtu në drejtim të Nevatimit.
Ky qytet, i vendosur në shkretëtirën Negev, është shtëpia e një baze ushtarake e cila tashmë ishte shënjestruar nga Irani prillin e kaluar. Dhe, si herën e kaluar, praktikisht nuk pati viktima, përveç një palestinez të vdekur i vrarë nga mbeturinat e raketave pranë Jerikos, në Bregun Perëndimor.
Versioni zyrtar do të theksojë se vetëm ndërhyrja e Izraelit dhe aleatëve të tij, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, bëri të mundur shmangien e një masakre të tmerrshme. Një version që synonte t'i bënte njerëzit të besonin se Irani me të vërtetë synonte të lëndonte izraelitët. Megjithatë, Republika Islamike deri më tani ka refuzuar ta bëjë këtë. Por pse?
Dy hipoteza: durim apo paqe?
Hipoteza e parë, ndoshta më e besueshme, është se Irani, më afër se kurrë posedimit të armëve bërthamore, nuk dëshiron t'u japë izraelitëve (dhe amerikanëve) mundësinë për të shkatërruar instalimet e tij bërthamore ndërsa ai godet në shenjë. Në këtë skenar, për Teheranin, hakmarrja është një pjatë që shërbehet më së miri e ftohtë.
Por është gjithashtu e mundur që Irani dëshiron paqe, ose diçka që i ngjan asaj. I vetëdijshëm për dobësitë e tij, regjimi iranian do të favorizonte më pas një rrugë më pak konfrontuese me Izraelin dhe aleatët e tij perëndimorë. Të paktën kështu sugjeroi Presidenti i ri i Iranit Masoud Pezeshkian kur iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e kaluar. Në Nju Jork, ai bëri thirrje veçanërisht për një rifillim të marrëveshjes bërthamore në këmbim të lehtësimit nga sanksionet kundër vendit të tij.
Iranianët kanë deklaruar vazhdimisht se kjo marrëveshje - e cila parashikon që vendi të mos kërkojë më të fitojë armë bërthamore - mund të jetë fillimi i një shkrirjeje të re në marrëdhëniet me Perëndimin. Për më tepër, presidenti Pezeshkian bëri fushatë me premtimin e një de-përshkallëzimi të tensioneve. Një strategji e vërtetuar domosdoshmërisht nga udhërrëfyesi suprem Ali Khamenei, udhëheqësi i vërtetë i vendit.
Luftë totale
Megjithatë, disa rryma brenda regjimit iranian po shtyjnë për luftë totale. Në veçanti, ata u bëjnë thirrje Huthëve të Jemenit që të sulmojnë instalimet e naftës të Arabisë Saudite në mënyrë që t'i vënë flakën të gjithë rajonit, fjalë për fjalë dhe figurative. Prandaj, çështja thelbësore nuk është aq shumë nëse Irani është vërtet serioz në dëshirën e tij të dukshme për një shkrirje, por sa kohë mund të zgjasë. Sipas revistës "Foreign Policy", do të ishte e mençur ta merrje këtë aspiratë shumë seriozisht. Mbetet për t'u parë se çfarë do të bëjë Izraeli me këtë këshillë./Versus.al
Izraeli shpall non-grata shefin e OKB: Nuk dënoi sulmin e Iranit ndaj nesh

Ministri i Jashtëm i Izraelit tha të mërkurën se po e ndalonte Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të hynte në vend sepse ai nuk e kishte dënuar "pa mëdyshje" sulmin raketor të Iranit ndaj Izraelit.
Irani lëshoi më shumë se 180 raketa balistike drejt Izraelit të martën në mes të një përshkallëzimi të luftimeve midis përfaqësuesve të tij në Liban, Hezbollahut dhe Izraelit. Shumë u kapën në ajër, por disa depërtuan në mbrojtjet raketore.
Guterres lëshoi ââtë martën një deklaratë të shkurtër duke iu referuar vetëm "sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme" dhe duke dënuar konfliktin "me përshkallëzim pas përshkallëzimi". Më herët të martën, Izraeli kishte dërguar trupa në Libanin jugor.
Ministri shtoi se dështimi i Guterres për të thirrur Iranin e bëri atë persona non grata në Izrael.
“Kushdo që nuk mund të dënojë pa mëdyshje sulmin e urryer të Iranit ndaj Izraelit, siç kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e botës, nuk meriton të shkelë në tokën izraelite”, tha Katz duke e akuzuar shefin e OKB-së si përkrahës të vrasësve dhe përdhunuesve. Versus.al
"Nga aleatë në armiq", analiza e DW: Si nisi rivaliteti mes Izraelit dhe Iranit

Lufta në Rripin e Gazës po zhvillohet për gati një vit. Dhe nuk luftohet më vetëm në Gaza. Sulmet me raketa dhe dron ka pasur gjithashtu midis Izraelit dhe Libanit, Sirisë, Irakut dhe Jemenit prej muajsh. Në fund të korrikut u vra në Teheran kreu i jashtëm i Hamasit, e shpallur si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera. Udhëheqja e Iranit më pas u shpreh se do të hakmarret. Të premten e kaluar u vra Hassan Nasrallah, kreu i organizatës shiite libaneze Hezbollah, një tjetër aleat kyç i Teheranit. Më parë, shpërthimi i radiomarrëseve, të ashtuquajturit pager, plagosi qindra zyrtarë të Hezbollahut dhe vrau disa të tjerë. Që atëherë, ka qenë e paqartë nëse dhe si do të përgjigjet lidershipi ushtarak i Iranit - edhe për shkak të historisë së tyre të përbashkët të mbushur me konflikte.
Kundërsulmi i Republikës Islamike erdhi të hënën në mbrëmje: Garda Revolucionare e Iranit goditi me rreth 200 raketa Izraelin. Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e kreut të jashtëm të Hamasit, Ismail Haniya, Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe një gjenerali iranian, u tha televizioni shtetëror iranian.
Nga aleatë në armiq
Irani dhe Izraeli janë armiq tani prej dekadash. Teherani i mohon të drejtën e ekzistencës Izraelit dhe kërcënon "regjimin sionist" me shkatërrim. Izraeli, nga ana e tij, e konsideron Iranin armikun e tij kryesor. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Të dy vendet ishin aleate të ngushta deri në Revolucionin Islamik në Iran në vitin 1979. Irani ishte madje një nga shtetet e para që njohu shtetin e Izraelit në vitin 1948. Izraeli e shikonte Iranin si një aleat kundër shteteve arabe në konfliktin e Lindjes së Mesme. Për Teheranin, Izraeli, i mbështetur nga Uashingtoni, shihej gjithashtu si një kundërpeshë e mirëpritur politike ndaj fqinjëve të tij arabë.
Izraeli madje trajnoi ekspertë iranianë për bujqësinë, ofroi njohuri teknike dhe ndihmoi në ndërtimin dhe trajnimin e forcave të armatosura persiane. Sundimtari i atëhershëm i Iranit, Shah Mohammad Reza Pahlavi, ofroi nga ana e tij naftë, e cila nevojitej urgjentisht në zhvillimin ekonomik të Izraelit. Irani kishte komunitetin e dytë më të madh hebre jashtë Izraelit. Pas revolucionit, një pjesë më e madhe e hebrenjve u larguan nga vendi. Por ka ende më shumë se 20,000 hebrenj që jetojnë në Iran sot.
Pika e kthesës: Revolucioni Islamik
Pas fitores së Revolucionit Islamik në Iran në vitin 1979 dhe ngritjes në pushtet të krahut fetar brenda revolucionarëve nën Ajatollah Ruhollah Khomeini, Teherani i anuloi të gjitha marrëveshjet me Izraelin. Ajatollah Khomeini e kritikoi vazhdimisht Izraelin për pushtimin e territoreve palestineze. Gradualisht Teherani filloi të zhvillonte një retorikë të ashpër kundër Izraelit me synimin për të fituar mbështetjen e shteteve arabe ose të paktën simpatinë e popullsisë në këto vende. Regjimi në Iran donte të rriste kështu ndikimin e tij.
Kur Izraeli ndërhyri në luftën civile libaneze në vitin 1982 dhe pushtoi jugun e vendit, Khomeini dërgoi Gardën Revolucionare iraniane në Bejrut për të mbështetur milicët shiite atje. Edhe sot e kësaj dite, milicia e Hezbollahut që u krijua në atë kohë konsiderohet si krahu i zgjatur i Teheranit në Liban.
Thellimi i konfliktit
Udhëheqësi aktual fetar i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili vendos në fund për të gjitha çështjet e vazhdoi këtë politikë. Khamenei dhe i gjithë lidershipi i Republikës Islamike të Iranit gjithashtu vënë në dyshim në mënyrë të përsëritur realitetin historik të vrasjes sistematike të hebrenjve evropianë në kohën e nacionalsocializmit dhe përpiqen të relativizojnë apo madje edhe të mohojnë Holokaustin.
Për të forcuar pozicionin e tij kundër Izraelit, por edhe kundër Arabisë Saudite, Irani jo vetëm që mbështeti Hezbollahun në Liban dhe Hamasin në Gaza, por edhe ndërhyri në luftën siriane në anën e presidentit sirian Assad deri më sot, po ashtu mbështeti edhe milicët Huthi në Jemen e të ashtuquajturën lëvizje e rezistencës islame në Irak. Një arkitekt kryesor i kësaj lufte në hije ishte gjenerali i Gardës Revolucionare Quasem Soleimani, i cili u vra në një sulm me dron amerikan në fillim të vitit 2020.
Izraeli gjithashtu ka bërë pak për të lehtësuar tensionet me Iranin. Në fjalimet e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu e krahasoi vazhdimisht Republikën Islamike me Gjermaninë naziste, e cila kërcënonte drejtpërdrejt ekzistencën e vendit të tij. Ai e përshkroi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, e cila u negociua nga fuqitë me veto në OKB-së, si edhe Gjermania dhe Irani, si një "gabim me përmasa historike". Sipas Netanyahut, ai do të parandalonte një bombë bërthamore iraniane "me çdo mjet".
Izraeli ka kryer vazhdimisht akte sabotazhi kundër programit bërthamor të Iranit. Në vitin 2020, kreu i programit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrisadeh, u vra. Atëherë gazetat angleze "The Guardian" dhe "New York Times" raportuan se të gjitha provat tregojnë për një vrasje të qëllimshme nga shërbimi sekret izraelit. Izraeli as e mohoi dhe as nuk e konfirmoi përgjegjësinë.
Narrativa e armiqësisë jo e pakontestuar
Ndryshe nga konflikti mes qeverive dëgjohen gjithmonë tone të ndryshme në mesin e popullatës ose nga shoqëria civile. "Irani duhet të shqyrtojë marrëdhëniet e tij me Izraelin sepse ato nuk janë më aktuale”, tha Faeseh Hashemi Rafsanjani në një intervistë në fund të vitit 2021. Faeseh është vajza e ish-presidentit iranian Ali Akbar Hashemi Rafsanjani dhe një ish-deputete e Parlamentit iranian. Edhe politologu i njohur Sadegh Zibakalam, i cili është kritik ndaj qeverisë, gjithashtu e kundërshton politikën e Iranit ndaj Izraelit. "Ky qëndrim e ka izoluar vendin në skenën ndërkombëtare”, thekson profesori në Universitetin e Teheranit në një intervistë për Dë në vitin 2022.
Në Izrael, gjithashtu, ka pasur rregullisht zëra që kanë shprehur solidaritet me popullin e Iranit. Për shembull, iniciativa e mediave sociale "Izraeli e do Iranin", e cila u bë e njohur për herë të parë në vitin 2012. Në vitin 2023, një fushatë e ngjashme mbështeti iranianët që dolën në rrugë kundër regjimit në Teheran pas vrasjes së vajzës së re Mahsa Jina Amini. Së fundmi, pati një përpjekje tjetër për të ringjallur fushatën duke përdorur hashtagun #IsraelisLoveIranians.
Por në nivelin politik, që nga sulmi i organizatës terroriste të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023 dhe si pasojë "luftën për shpagim" të shpallur nga Izraeli, siç e përshkroi kryeministri Netanyahu, frontet janë ngurtësuar më shumë se kurrë. Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 41,000 palestinezë janë vrarë në luftën e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Sulmet me raketa nga Hezbollahu dhe bombardimet izraelite mbi Libanin jugor deri në kryeqytetin Bejrut kanë detyruar tashmë qindra mijëra njerëz në Izrael dhe Liban të lënë shtëpitë e tyre. Frika e një zgjerimi të luftës ishte dhe është për këtë arsye e madhe. SHBA, BE dhe Gjermania u bëjnë thirrje të gjitha palëve ndërluftuese të përfshira që të tregojnë përmbajtje. DW
Izraeli bombardohet me qindra raketa, Netanyahu: Do të hakmerremi! Irani: Ju bëjmë hi nëse kundërpërgjigjeni

Konflikti në Lindjen e Mesme duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim pas dhe shtetet arabe pothuajse po përfshihen në një luftë totale me Izraelin. Mbrëmjen e djeshme, Tel Avivi u sulmua me qindra raketa nga Irani si kundërpërgjigjie për vrasjen e kreut të Hezbollahut Hasan Nasrallah. Si pasojë vetëm një palestinez nga Gaza humbi jetën.
Në një deklaratë të dhënë më pas, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua për hakmarrje. Ndërsa nuk vonoi as përgjigjia nga Irani ku shefi i Shtabit të Ushtrisë, generalmajor Mohammad Bagheri tha se nëse Izraeli tentonte të kundërpërgjigjej, atëherë Tel Avivi do të bëhej ‘hi’.
“Nëse regjimi sionist, i cili është çmendur, nuk kontrollohet nga financuesit e tij amerikanë dhe evropianë dhe dëshiron të vazhdojë këto krime ose të veprojë kundër sovranitetit dhe integritetit tonë territorial, operacioni si ai sonte (e martë) do të përsëritet me intensitet më të madh dhe e gjithë infrastruktura e regjimit do të jetë në shënjestër”, tha gjenerali Bagheri për televizionin shtetëror iranian.
Ndërkoh,ë luftimet kanë vijuar në Libanin jugor ku që prej ditës së djeshme ka nisur operacioni tokësor i Izraelit për të shkatërruar bazat e Hezbollahut. Por në një deklaratë të shpërndarë në Telegram, Hezbollahu pretendon se ka pasur përplasje me ushtarët izraelitë të cilëve u kanë shkaktuar viktima dhe i kanë sprapsur.
Ndërkohë, roli i amerikanëve në këtë konflikt ka qenë në ndihmë të Izraelit. Mbrëmjen e djeshme kur Tel Avivi ishte nën sulm, presidenti Joe Biden u ka dhënë urdhër ushtarëve amerikanë që ta mbrojnë duke pritur në ajër raketat e lëshuara nga Irani. Versus.al







