Çfarë do të gjeni në brendësi
*SPAK në bashkëpunim me autoritetitet italiane ka finalizuar një operacion të përbashkët për të cilin kryeprokurori Klodian Braho tha se kishte nisur prej kohësh. Mësohet se janë ekzekutuar 10 masa sigurie nga 15 të lëshuara në total në të dy vendet. *Kreu i grupit kriminal është Igli Kamberi, i cili ndodhet i arrestuar në Itali për vrasjen e një parukieri Italian. Ndërsa bashkëpunëtori i tij më i afërt Ergys Kastrati Bishja i cili ndodhej në një vilë në zonën e TEG-ut së bashku me gruan e tij. Në konferencën e përbashkët e mbajtur nga SPAK e Antimafia italiane u deklarua se janë sekuestruar 1 milionë euro cash dhe janë bllokuar disa kompani e biznese të ndryshme që zotëroheshin nga familjarët e personave të përfshirë në grupin kriminal. *Njëri prej prokurorëve italianë shpjegoi edhe strukturën e funksionimit të grupeve kriminale shqiptare duke thënë se këto të fundit janë ndër më të fortët në Evropë.
"Grupet shqiptare më të fortat në Evropë", prokurori italian: Janë kthyer në struktura mafioze

Gjatë konferencës së përbashkët mes SPAK e Antimafias italiane për goditjen e grupit të drejtuar nga Igli Kamberi që pastronte paratë duke investuar në Shqipëri, prokurori Italian, Giuseppe Gatti ka dhënë detaje mbi organizatat kriminale shqiptare duke i konsideruar ato ndër më të fortat në Evropë.
Sipas tij, këto grupe kriminale, kudo që kanë shkelur, kanë sjellë me vete edhe një kulturë kriminale të krijuar në Shqipëri. Ai tha se klanet mafioze ruajnë lidhjet me Shqipërinë, ndërsa e konfirmojnë dominimin e tyre nëpërmjet vrasjeve dhe mënyrave makabre të dhunës.
“Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri.
Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.
Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’”- u shpreh prokurori ndër të tjera. Versus.al
"Sekuestruam 1 mln € cash", SPAK për grupin e pastrimit të parave: 15 urdhër-arreste, bllokuam pasuri në Tiranë

SPAK dhe autoritetet italiane kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat lidhur me goditjen e një grupi kriminal që dyshohet se merrej me pastrim parash. Kryeprokurori Klodian Braho tha se nga 15 masa arresti, janë ekzekutuar 10 prej tyre në Tiranë. Gjithashtu tha se janë sekuestruar 1 milionë euro "cash" dhe janë bllokuar disa pasuri në Tiranë.
“Ky është një rezultat i përbashkët. Në lidhje me këtë çështje janë ekzekutuar 15 masa, 10 janë ekzekutuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Është një element i rëndësishëm i këtij rasti, jo vetëm goditja e këtij aktiviteti të krimit të organizuar të drogës, por dhe produkti i krijuar nga ky aktivitet i paligjshëm. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para në gjendje cash. Po kështu nga GJKKO në Tiranë, janë sekuestruar pasuri të tjera, llogari bankare, shoqëri, që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale. Dua të përmend operacionit “Shpirti”, “Kulmi” dhe “Ura” ku u dënuan penalisht 167 persona dhe për 145 prej tyre janë dhënë dënime të konsiderueshme nga 12 vite burg e deri në 20.”, tha Braho. Versus.al
SPAK godet grupin e pastrimit të parave! "Koka" i arrestuar në Itali, bashkëpunëtori i tij u kap në një vilë (EMRAT)
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar së fundmi një goditje ndaj një grupi kriminal që dyshohej se merrej me pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Mësohet se nga 10 masa sigurie të lëshuara, deri tani janë ekzekutuar 4 prej tyre.
Mes të arrestuarve është edhe Ergys Kastrati allias Bishja i cili dyshohet si një prej personazheve drejtues të grupit.
Ai u kap në një vilë pranë TEG-ut gjatë operacionit të forcave speciale.
Në Itali iu komunikua tjetër masë arresti, Igli Kamberit i cili dyshohet se është kreu i këtij grupi kriminal. Kamberi rezulton të jetë arrestuar pasi akuzohet për vrasjen e një shtetasi italian.
Sipas informacioneve, ishin hetimet për këtë vrasje që çuan në zbulimin e këtij rrjeti kriminal dhe aktivitetit të apstrimit të parave, të cilat nga Italia i sillnin në Shqipëri me mjete të ndryshme transporti.
Mbi 680 mijë euro të sekuestruara në pikën kufitare të Muriqanit ndërsa po tentohej të futeshin në Shqipëri me një automjet, dyshohet se i përkasin pikërisht grupit të Kamberit. Versus.al

