Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në protestën e 11-të qytetare para Kryeministrisë, mijëra qytetarë, të rinj e të reja i janë bashkuar thirrjes për të protestuar kundër projektit të Zvërnecit, e cila ka nxitur revoltën kundër qeverisë. *Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë, gjithashtu u hodh ideja e ngritjes së një Kuvendi Kombëtar, me qëllim që protesta të mos përçahet por të vazhdojë deri në largimin e qeverisë.Protesta e sotme përkon me 148-vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
VIDEO/ Prindërit në protestë, fëmijët organizohen duke pikturuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Pamje të mrekullueshme janë postuar në rrjetet sociale ku protagonistë janë fëmijët.
E teksa prindërit e tyre kanë qëndruar në sheshin përballë Kryeministrisë, mbi 3 orë, fëmijët janë organizuar duke pikturuar.
Ndërsa prindërit kërkojnë që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë, fëmijët gjallëruan bulevardin duke krijuar një atmosferë të bukur e plot energji pozitive.
Protesta e 11-të shënoi pjesëmarrje të gjerë ku nuk munguan pensionistë, intelektualë, studentë që kërkuan dorëheqjen e qeverisë.
View this post on Instagram
“Nesër më shumë!”/ Përfundon protesta para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Ka përfunduar grumbullimi përpara godinës së Kryeministrisë, por protesta e kësaj mbrëmjeje në Tiranë ka vijuar me një marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Menjëherë pas fjalimeve të mbajtura në podium, mijëra protestues janë larguar nga sheshi dhe janë nisur në formë marshimi, duke kaluar në bulevardet kryesore dhe duke ndikuar përkohësisht në qarkullimin e automjeteve.
Në ditët e fundit të protestës, qytetarët kanë zgjedhur të vijojnë tubimet përmes lëvizjes në marshim, duke krijuar herë pas here bllokime të përkohshme në disa akse të rëndësishme të Tiranës.
Me dritat e telefonave të ndezura dhe nën tingujt e këngës “Dua më shumë Shqipërinë”, turma protestuese ka vijuar marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes thirrjeve dhe pankartave në duar.
FOTO-LAJM/ “Na falni për 3 gabime të mëdha që bëmë në vitet 1991-2013”, mesazhi i pensionistëve për rininë

Një ndër parullat më pikante këtë të mërkurë në protestën e 11-të që po zhvillohet në sheshin para Kryeministrisë, ishte ajo e pensionistëve të cilët kanë një mesazh pë rininë shqiptare.
“Na falni për 3 gabimet e mëdha që bëmë në vitet 1991-2013”, shkruhet në mesazhin e pensionistëve.
Në protestën e 11-të qytetare kundër projektit turistik të Zvërnecit, shihet një pjesëmarrje shumë e madhe e qytetarëve të cilët tashmë kërkojnë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Grupi i Sali Lushajt dhe i biri Stresi përplasen me protestuesit, ngrejnë 2 gishtat lart, simboli i PD

Stresi, sic njihet Arkimed Lushaj së bashku me babain e tij i është bashkuar revoltës së sotme qytetare në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Gjatë protestës së sotme, u raportua për një tension në tubim, pasi grupi i Stresit ka bërë tifo për opozitën, duke ngritur dy gishtat lart, simbol i PD, por u është kërkuar të mos bëjnë gjeste të tilla.Versus.al
Të rinjtë e FRPD-së zhurmojnë folësit kur thërrasin “Berisha n’burg”, Luçjana: Jemi përtej partive politike, mos interfenoni

Në fillim të nisjes së fjalimeve të organizatorëve të protestës qytetare, Luçjana Kokaj banore e Rrjollit u ka tërhequr vëmendjen disa të rinjve të Forumit Rinor të PD, të cilët kanë bërë zhurmuesin teksa protestuesit thërrisnin në kor “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Duke marrë megafonin, Luçiana u ka kërkuar të rinjve të mos përçajnë protestën pasi ajo është përtej partive politike.
“Kjo protestë është përtej interesave të partive, jemi këtu për të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Luçiana.
Të rinjtë e FRPD-së ishin ata që nisin marshimin të parët nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, duke u shkëputur nga pjesa tjetër e qytetarëve.
Ndërkohë, paraditen e sotme, vetë kreu i PD-së u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në protestë, por pa simbolet e PD-së.Versus.al
VIDEO/ “Hiqe flamurin”, tensione në protestë, protestuesit heqin flamurin e LGBT

Momente tensioni janë shënuar në radhët e protestuesve gjatë mbrëmjes së sotme, ku po mbahet protesta e 11-të qytetare para Kryeministrisë.
Disa persona u shfaqën me flamurin e LGBTQI-së, por është ndërhyrë menjëherë për ta hequr atë.
“Kanë ardhur persona të ndryshëm që duan të prishin protestën. Ju lutem mos bini pre e provokimeve, përndryshe do të kërkojmë ndihmën e Policisë së Shtetit, të arrestohen menjëherë”, u shpreh me megafon një prej protestuesve.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet për ndryshimin e klasës politike, teksa edhe më herët kanë paraqitur 5 kërkesa:
-Dorëheqjen e qeverisë;
-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë;
-Shfuqizimin e Paketës së Maleve;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura;
-Anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
“Të krijohet një Kuvend Kombëtar”/ Aktivisti nga Vlora: Nismëtarët e protestës duhet të bëhen publikë, nuk duhet të përçahemi!

Ka nisur protesta e 11-të në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit, ku në një prej fjalimeve u hodh ideja e ngritjes së një Kuvendi Kombëtar të aktivistëve dhe grupeve qytetare nga e gjithë Shqipëria.
Aktivisti nga Vlora theksoi nevojën për bashkimin e të gjitha grupeve përfaqësuese në një forum të përbashkët, me synimin për të koordinuar veprimet dhe për të shmangur përçarjet brenda lëvizjes qytetare.
“Më bëhet zemra mal kur ju shoh kaq të shumtë dhe të bashkuar. Kemi pasur shumë debate edhe si aktivistë. Për të shpëtuar protestën duhet të kemi një forum, të mblidhen të gjithë grupet e aktivistëve. Nuk mund ta lejojmë protestën të na përçahet”, u shpreh ai.
Sipas aktivistit, një tryezë kombëtare ku të marrin pjesë të gjitha grupet qytetare do të ndihmonte në vendosjen e rregullave të komunikimit dhe koordinimit, duke forcuar kauzat e përbashkëta dhe duke shmangur fragmentarizimin e lëvizjes.
Ai propozoi që në këtë Kuvend Kombëtar të përfshihen të gjitha forcat që ai i cilësoi si “përparimtare”, ndërsa theksoi se partitë politike, qofshin ato të vjetra apo të reja, duhet të qëndrojnë jashtë këtij procesi.
“Le të thërrasim një kuvend kombëtar ku të gjitha forcat përparimtare shqiptare të bëhen bashkë e të vendosen disa rregulla komunikimi. Na duhet një tryezë kombëtare ku të diskutojmë së bashku”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe ovacioneve të protestuesve.
Dita e 11-të, sot protestë mbarëkombëtare në Tiranë, qytetarët mbërrijnë para Kryeministrisë

Qindra qytetarë kanë marshuar këtë të martë nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, në kuadër të ditës së 11-të të protestave kundër qeverisë.
Tubimi i thirrur në datën 10 qershor përkon me 148-vjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit dhe ka nisur me ekzekutimin e himnit kombëtar. Të pajisur me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kanë bërë thirrje për ndryshim dhe kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit, pjesëmarrësit kanë artikuluar kundërshtimin e tyre ndaj projektit të Zvërnecit, duke kërkuar anulimin e tij. Sipas organizatorëve, protesta synon të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet për shqetësimet që lidhen me këtë projekt, si dhe për situatën politike në vend.
Me thirrje njëzëri dhe flamuj kuqezi, qytetarët kanë vijuar marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku kanë përsëritur kërkesat për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe rishikimin e projektit të Zvërnecit.Versus.al
.

